1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Rrugë e hapur për ekstremistët në Jemen

Anne Allmeling26 Mars 2015

Jemeni ndodhet prej vitesh në krizë. Por vendi më i varfër në Gadishullin Arabik nuk i ka interesuar bashkësisë ndërkombëtare. Pasojat duken tani, mendon Anne Allmeling.

https://p.dw.com/p/1Exbc
Fotografi: Reuters/N. Quaiti

Rebelët huthi e kanë seriozisht. Që kur kanë marrë kryeqytetin jemenit Sanaa në shtator 2014, ata po vendosin nën kontroll hap pas hapi çdo gjë, që u forcon pushtetin. Ata kanë shpërndarë parlamentin, kanë bërë që presidenti i përkohshëm në Abed Rabbo Mansur Hadi të marrë arratinë, tani po i afrohen qytetit Aden në jug të vendit.

Huthi nuk e kanë të vështirë, sepse qeveria qendrore është dobësuar prej vitesh, jo që prej fillimit të së ashtuquajturës pranverë arabe. Që presidenti i mëparshëm Ali Abdullah Salih mundi të qendrojë në krye të shtetit tri dekada me rradhë, kishte të bënte edhe me faktin se ai bleu shumë prej kundërshtarëve të tij. Por disa rajone qeveria e tij nuk i pati kurrë nën kontroll, për shembull rajonin përreth Saada, qendrës së rebelëve Huthi.

Huthi rrjedhin nga zaiditët shiitë, që përbëjnë rreth një të tretat e popullsisë jemenite dhe janë të vendosur në veri të vendit. Prej kohësh ata luftojnë për t'u bërë pjesë e pushtetit. Që prej luftës civile në vitet 1960-të shiitët ndjehen të margjinalizuar nga shumica sunite.

Tani ata shohin se u ka ardhur shansi. Sepse në vendin më të varfër të Gadishullit Arabik prej kohësh asgjë nuk funksionon më, siç duhet të funksionojë në një shtet. Huthi mbështeten pikërisht nga Ali Abdullah Salih, kundër trupvae të të cilit kanë luftuar me vite. Në vitin 2011 ata u bashkuan madje me revolucionarë të tjerë dhe e detyruan atë të japë dorëheqjen. Por tani Huthi dhe Salih kanë një qëllim të përbashkët: të rrëzojnë qeverinë e përkohshme të Abed Rabbo Mansur Hadi dhe të marrin vetë pushtetin, kundër rezistencës së një pjese të madhe të popullsisë. Bashkësia ndërkombëtare nuk është shqetësuar deri tani shumë për këtë.

Problemi është se jo vetëm Huthi përpiqet të shfrytëzojë dobësinë e qeverisë. Edhe milicët terroristë të "Shteti Islamik" kanë tërhequr vemendjen javën e fundit në Jemen: me sulme në dy xhami shiite në Sanaa me më shumë se 130 të vdekur. Kjo nuk vjen papritur: IS është i fortë atje, ku kundërshtarët e tij janë të dobët. Në Irak dhe në Siri IS ka mundur të pushtojë territore shumë të mëdha, sepse qeveria siriane është e dobët dhe qeveria irakiane e paralizuar. Që kur SHBA dhe aleatët e tyre kryejnë sulme nga ajri mbi pozicionet e tij, IS i ka punët keq.

Anne Allmeling
Anne AllmelingFotografi: GMF/Anne Allmeling

Jemeni është konsideruar prej kohësh si strehë për xhihadistët, edhe për faktin se qeveria qendrore nuk kishte dëshirë, apo nuk ishte në gjendje për të luftuar terrorin në territorin e saj. Disa sulme të rrjetit terrorist Al-Kaida madje ndoshta i vinin përshtat qeverisë së Ali Abdullah Salih. Sepse i siguronin mbështetjen financiare dhe ushtarake nga SHBA për luftën kundër terrorit.

Se në duart e kujt gjenden sot armët e zjarrit dhe automjetet e blinduara nga Amerika, është megjithatë e paqartë. Ministria jemenite e Mbrojtjes pohoi për gazetën "Washington Post", se nuk gjenden më armatime ushtarake në vlerë prej 500 milionë dollarësh, edhe pse në Jemen duket se ka më shumë armë dhe njerëz. Shumë e mundur që xhihadistët të kenë përvetësuar armët, si në Libi, kur terroristët pas rrëzimit të pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi në vitin 2011 grabitën depot e shumta të armëve të diktatorit. Në muajt e mëvonshëm ata kontribuan në destabilizimin në Afrikën e Veriut dhe zonës së Sahel-it.

Por edhe nëse armët nuk janë në duart e xhihadistëve, por në duart e huthi-ve, kjo nuk e bën më të sigurtë gjendjen në vend. Në muajt e fundit rebelët kanë dëshmuar vazhdimisht se nuk janë të mëshirshëm ndaj kundërshtarëve. Prej kohësh vëzhguesit flasin për konfrontimin ndërmjet shiitëve Huthi, që mbështeten nga Irani shiit dhe qeverisë së presidentit Abed Rabbo Mansur Hadi, të dominuar nga sunitët, që mbështetet nga mbretëria e Arabisë Saudite. Një situatë e vështirë, ku vetëm një gjë duket se është e sigurtë, që ekstremistët përfitojnë prej saj. Për popullsinë në vendin më të varfër në Gadishullin Arabik kjo është një katastrofë.