1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ruani gjakftohtësinë ju lutem!

24 Nëntor 2015

Pas atentateve në Paris, Franca ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Gjendja e tensionuar po hedh hije edhe në Gjermani. Marcel Fürstenau apelon ndaj politikës, shoqërisë dhe medias për të reaguar më me arsye.

https://p.dw.com/p/1HBBI
Frankreich Trauer nach Terroranschlägen in Paris
Fotografi: Reuters/G. Fuentes

"Gjendja është serioze, por nuk ka asnjë arsye për panik". Kjo fjali është e ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere në mbrëmjen kur u anulua ndeshja miqësore mes Gjermanisë dhe Holandës në Hanover. Këto fjalë duhej ta qetësonin popullatën dhe i shkonin një ministri, që prej kohësh shihet si mishërim i vetëpërmbajtjes, një epitet ky që është dëmtuar pas disa daljeve publike të kontestuara të tij në lidhje me debatin e ndezur emocional për refugjatët. Deklaratat e tij të mençura pas sulmeve barbare në Paris, ai i zhvlerësoi me deklarata të tjera irrituese.

Tentativë për qetësim me efekt shqetësimi

Për sfondin e anulimit kaq të menjëhershëm të ndeshjes miqësore, de Maiziere nuk ka dëshirë të flasë për të mos "e shqetësuar" popullsinë. Natyrisht me këtë ai provokoi të kundërtën dhe korri shumë tallje. Por sigurisht talljet e rafinuara në rrjetet sociale dhe disa qëndrime në media, sipas motos si "unë i njoh gjërat më mirë", janë thjesht reflekse të parëndësishme. Ato vijnë nga njerëz që nuk duhej të merrnin vendime me pasoja, si de Maiziere. Ai është përgjegjës për sektorë kaq të ndryshëm si sporti dhe Mbrojtja Kushtetuese. Mbi supet e tij rëndon momentalisht barra më e madhe e mundshme. Edhe këtë duhet ta mendojnë mirë kritikët e tij. E megjithatë vlen: Ministri i Brendshëm nuk duhet të lerë vend për irritime.

Kommentarfoto Marcel Fürstenau Hauptstadtstudio
Fotografi: DW/S. Eichberg

Më shumë vetëpërmbajtje dhe mençuri duhet pritur edhe nga mediat. Që atentatet janë kthyer në temën kryesore që prej një jave është e kuptueshme, po të kujtosh tragjedinë që ndodhi. Por disa aspekte të analizave dhe raportimit të bëjnë të mendohesh: si për shembull fotoja e atentatorit të Parisit që buzëqesh në kamera, ofrohet nga mediat gati pa ndërprerje. Të duket - sigurisht pa dashje - si një tallje e viktimave, të afërmve dhe botës perëndimore në përgjithësi. Dhe po qe se nuk ka foto të tjera - pamjet vijnë nga videot propagandistike të viktimave - atëherë përdorimi i tyre së paku duhet shpjeguar.

Më shumë pyetje se përgjigje

Deklarata të pamenduara nga politikanët dhe kryetituj që të trembin duket të jenë edhe një nga shkaqet për pasigurinë në pjesë të ndryshme të popullsisë. Kur gazeta më e madhe bulevardeske gjermane pas anulimit të ndeshjes, citon gjoja nga një raport sekret i Mbrojtjes Kushtetuese, sigurisht vëmendja është maksimale. Fakti që njoftime të tilla as nuk rrëzohen dhe as nuk konfirmohen nga qeveria gjermane, e rrit edhe më shumë pasigurinë. Ndërkohë po spekulohet publikisht, nëse vërtet ka pasur të dhëna kaq konkrete për atentatet e planifikuara në Hanover. Ekspertët e terrorit në media përmendin burimet e tyre anonime nga qarqet e sigurisë. Opinioni publik i interesuar për të ditur më shumë është i ndarë -kujt t'i besohet? Të gjitha këto sigurisht nuk zgjojnë besimin tek njerëzit.

Shqetësimet dhe frika e tyre do marrë seriozisht, sepse baza e saj është reale - ngjarjet e tmerrshme të Parisit. Por për këtë shkak të heqësh dorë nga një vizitë e planifikuar e parlamentit siç bëjnë disa? Apo të kthesh nxënësit nga ekskursionet me klasën në Francë? Disa reagime duken të ekzagjeruara dhe histerike. Pak më shumë relaksim do t'u bënte mirë të gjithëve. Fati nuk do sfiduar! Anulimi i ndeshjes, menjëherë pas atentateve në Paris dhe një gjendjeje të paqartë të hetimeve është i kuptueshëm. Por ndërkohë autoritetet kanë në duar më shumë të dhëna dhe mund ta vlerësojnë siç duhet potencialin e rrezikut aktual. Faza e reagimeve të shpejta, nganjëherë edhe të pamenduara duhet të marrë fund. Tani për të gjithë vlen: Ruani gjakftohtësinë! Ta themi edhe në frëngjisht: Contenance!

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore