1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Rusia duhet ta vlerësojë relovucionin antikomunist

Konstantin von Eggert12 Qershor 2015

Shpallja e sovranitetit të Rusisë para 25 vjetësh ishte një shans për ndryshim, që ka mbetur i pashfrytëzuar. Megjithatë rusët një ditë do ta vlerësojnë revolucionin antikomunist, mendon Konstantin von Eggert.

https://p.dw.com/p/1FgBT
Tag Russlands Feiertag Fahnen, Patriotismus Nationalismus
Fotografi: picture-alliance/ITAR-TASS

12 qershori, ndonëse është ditë feste, nuk u ngjall rusëve sot asnjë emocion. Por edhe nëse ndokush kujtohet për "Ditën e Rusisë", i vetmi reagim është një buzëqeshje nga zori: "Kjo është si të thuash dita jonë e pavarësisë. Por prej kujt?"

Në vitin 1990 e gjitha kjo nuk dukej kaq pa e kuptimtë sa sot. Dokumenti, që u miratua në këtë datë asokohe prej parlamentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Republikës Socialiste Sovjetike Federative të Rusisë (RSSFR), që atëbotë ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, konsiderohej si një kapitull i ri i hisotrisë së vendit. "Deklarimi i sovranitetit shtetëror të RSSFR" proklamon përparësinë e ligjeve ruse kundrejt Bashkimit Sovjetik, ndarjen e pushtetit si dhe barazinë e qytetarëve përballë ligjit. Njëkohësisht përmes tij iu garantuan më shumë të drejta autonomive kombëtare në përbërjen e RSSFR. Deklarata është faktikisht një dokument i rëndësishëm, sepse për herë të parë Rusia moderne u përkufizua zyrtarisht si një demokraci e vërtetë dhe si demokraci socialiste.

"Cilin vend humbëm ne!", apo cilin fituam?

Parlamenti i RSSFR dekalroi gjithashtu objektivin, për të qendruar në një Bashkim të ripërtërirë Sovjetik pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të re të bashkimit. Por Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Pjesa më e madhe e shoqërisë ruse bën përgjegjëse udhëheqjen e atëhershme të RSSFR nën Boris Jelcinin për "shkatërrimin" e Bashkimit Sovjetik. Ndërsa Mihail Gorbatçovi, i cili në mars 1990 ishte presidenti i parë dhe i fundit i Bashkimit Sovjetik, akuzohet për dobësi dhe paaftësi si dhe si personi që nuk mundi ta ndalojë "shkatërrimin e vendit. Nëse e përmend në Rusinë e sotme deklaratën e 12 qershorit, atëherë nis diskutimi nëse ishte e pashmangshme shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, apo nëse shteti mund të ruhej. "Cilin vend kemi humbur ne!" Këtë fjali e përdorin njerëzit si refren që nga Smolensku e deri në Vlladivostok. Megjtihatë Bashkimi Sovjetik do të ishte shpërbërë, edhe në rast se deputetët e RSSFR nuk do ta kishin miratuar deklaratën e sovranitetit. Sistemi sovjetik, që ka asgjësuar disa miliona qytetarë të vetët, në fundin e viteve 80-të i kishte konsumuar burimet e veta.

Gorbaçovi kundër Jelcinit

Eshtë e vështirë ta mohosh, që miratimi i deklaratës së sovranitetit ishte pjesë e luftës për pushtet të Jelcinit kundër udhëheqjes së Bashkimit Sovjetik. Por dokumenti i miratuar njëzëri nuk duhet shkëputur nga konteksti, në të cilin ai u bë i mundur. Përpara kësaj ishin zhvilluar dy herë zgjedhje: në 1989 zgjedhjet për deputetët popullorë të Bashkimit Sovjetik dhe në 1990 për deputetët e RSSFR-së. Jelcini ishte politikani më popullor me legjitimitetin më të fortë. Në mënyrë instiktive ai e kuptoi, se besueshmëria dhe autoriteti mund të fitohen në luftën e konkurrencës politike. Kjo e dalloi atë rrënjësisht prej Gorbaçovit, i cili u trëmbej zgjedhjeve. Ky e humbi shansin e tij të fundit për t'u legjitimuar si figurë udhëheqëse, kur në mars 1990 vendosi që presidenti i Bashkimit Sovjetik të zgjidhet nga populli. Faktikisht Gorbaçovi e pati emëruar vetëveten për këtë post. Por që nga ky çast ai u bë peng i kreut reaksionar të partisë komuniste dhe burokracisë së vendit, që e rrëzuan atë në gusht 1991. Me këtë u varrosën edhe shpresat, për ruajtjen në një farë forme të të gjithë Bashkimit Sovjetik.

Shansi i humbur apo modeli i ardhshëm?

Rusia asnjëherë nuk ka qenë demokraci. Kur në vitin 1992 u shpall 12 qershori ligjërisht si ditë feste "Dita e Rusisë", shumica e rusëve shpresonin ende, që vendi i tyre do të shndërrohej në një demokraci të mirëfilltë. Por këto shpresa nuk u përmbushën plotësisht. Sot, nëse i shkon ndokujt ndërmend, në përgjithësi deklarimi i sovranitetit më 12 qershor 1990 kujtohet me nota negative. Me negativitet shihet edhe e gjitha periudha e Perestroikës dhe revolucionit paqësor antikomunist në vitet 1989 deri në 1991. Për këtë ka disa arsye. Por ndoshta arsyeja më e rëndësishme është sindroma postimperialiste e madhësisë së humbur të vendit. Kremlini e kultivon me sukses këtë dhe e shfrytëzon për qëllimet e veta me ndihmën e makinerisë së vet të fuqishme të propagandës. Politika e sotme ruse është e orientuar në të shkuarën dhe karakterizohet prej nostalgjisë. Ajo nuk ofron vizion për të ardhmen. Herët ose vonë kësaj politike do t'i shuhet zeniti dhe ajo do ta humbasë efektin joshës ndaj qytetarëve. Një rivlerësim i historisë ruse të shekullit të 20-të vërtetë që nuk mund të ndodhë nesër, por kjo është e pashmansghme. Fundi i viteve 80-të dhe fillimi i viteve 90-të, kjo është periudha e të vetmit sukses relativisht të pjesshëm të shoqërisë ruse drejt lirisë politike dhe ekonomike. Historiani nga SHBA Leon Aron e quan këtë "epoka e idealizmit dhe e dinjitetit qytetar". Pas 15 apo 20 vjetësh rusët do të kenë avancuar aq sa edhe ata ta vlerësojnë atë kohë dhe ta shënojnë atë si një ndër momentet më pozitive në historinë ruse.