1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas takimit Trump-Lavrov - Rusia në avantazh

11 Maj 2017

Ministri i Jashtëm rus, Serger Lavrov kishte për çfarë të qeshte në takimin me presidentin amerikan, Donald Trump. Kaosi politik aktualisht në Uashington çon ujë në mullirin e Moskës, mendon Miodrag Soric

https://p.dw.com/p/2cmG9
USA Trump und Lawrow
Fotografi: picture alliance/dpa/A. Sherbak

Gjëja e fundit, për të cilën mund të ketë nevojë tani Trump është arritja e ndonjë suksesi në negociatat me Rusinë. Nuk dihet se çfarë mund të ndodhte, nëse Moska dhe Uashingtoni do të binin në ujdi për armëpushim në Siri apo do të gjenin ndonjë zgjidhje për të ardhmen e Ukrainës - sepse çdo ujdi mes Putinit dhe Trumpit do të rriste më shumë dyshimin e demokratëve dhe shumë republikanëve në kongresin amerikan. Trumpi duhet t'i lutet Moskës tani për më shumë durim, para se të fillojë një periudhë e re çtensionimi.

Hetimet për influencën e mundshme ruse në zgjedhjet e SHBA do të shtyhen

Këtë nuk e kupton askush më mirë se ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov. 67 vjeçari u ka shtrënguar dorën shumë politikanëve amerikanë. Por një kaos të tillë në kryeqytetin amerikan ai nuk e ka parë ndonjëherë. Politikanët e Amerikës merren vetëm me veten tani: Pyetja kryesore që shtrohet është, nëse dhe nëse po, kur e në ç'masë ka influencuar Kremlini rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Hetimet, pas largimit nga detyra të drejtorit të FBI-së, James Comey, do të shtyhen tani edhe më shumë, ndoshta me vite.

Nëse qëllimi i qeverisë ruse ka qenë ky - kufizimi i aftësisë vepruese të superfuqisë së fundit -mund të thuhet, se ia ka dalë mbanë. Demokratët i besojnë gjithnjë e më pak presidentit Trump. Kjo bën që të mungojë shumica e kërkuar për reforma të rëndësishme, si ajo e tatimeve. Në një kohë, që as republikanët në Uashington nuk janë të një mendjeje, vërtet ata e kontrollojnë kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë, por atyre u mungon fuqia për një fillim të ri politik, pas viteve të Omabës. Mosbesimi shtrihet si mjegull mbi Uashington.

Soric Miodrag Kommentarbild App
Miodrag Soric komenton takimin Trump-Lavrov

Nga këndvështrimi i Kremlinit lajme të mira: Të dobësojë kundërshtarin, ta paralizojë atë. Çfarë mund të ëndërronte më shumë Putini? Ministri i Jashtëm rus me zor mundi ta fshihte gëzimin në Uashington. Gjatë konferencës së shtypit ai duhej të qeshte disa herë, kur u pyet për rolin e Rusisë në fushatën zgjedhore amerikane. Lavrov foli pa letër, e rrezatonte shumë siguri. Ai e prezantoi Rusinë si një shtet që i diskuton problemet botërore me Amerikën si i barabartë: gjendjen në Siri, në Afganistan, në Ukrainë.

Një diplomat i regjur përballë fillestarëve në Uashington

Nga viti 2004 Lavrov është ministër i Jashtëm, më parë ai e kishte prezantuar Rusinë për 10 vjet në Kombet e Bashkuara. Tani një diplomat kaq i regjur ndeshet në Shtëpinë e Bardhë me fillestarë në politikë. Në Moskë ai do të raportojë, se Trump për një kohë të caktuar nuk mund t'i heqë sanksionet e perëndimit kundër Moskës, për shkaqe politike të brendshme. Por Trump do të pengojë sanksione të tjera më të ashpra.

Momenti, dinamika politika duket se janë tani në anën e Kremlinit. Rusia po organizon një proces paqeje për Lindjen e Afërt -dhe fton për këtë SHBA-në, jo e kundërta. Rusia negocion me talebanët për të ardhmen e vendit, në një kohë që koalicioni i mbështetur nga SHBA në Kabul ndodhet në defensivë. Edhë nëse luftimet në Lindjen e Afërt vazhdojnë. Rusia pëfiton prej tyre. Rreth 7000 vetë me nënshtetësi ruse, shumica kaukazianë mbështesin islamistët në Siri dhe kudo. Moska nuk ka interes, që ata të kthehen në vend dhe të ushtrojnë akte terrori. Aq më shumë kur po afrohen edhe zgjedhjet presidenciale në Rusi në vitin 1918.

 

 

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij komenti. Ne ju mirëpresim!