1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: shoqëria e përçarë

Felix Steiner20 Tetor 2015

Veproj për fëmijët tanë, thirri atentatori, që goditi me thikë Hennriette Reker, kandidate për kryebashkiake në Këln. Kriza e refugjatëve po e ve vendin para një sfide të papritur, mendon Felix Steiner.

https://p.dw.com/p/1Gr2u
Köln Messerattacke auf OB-Spitzenkandidatin Henriette Reker
Kryebashkiakja e sapozgjedhur e Këlnit Henniriette Reker i shpëtoi sulmit me thikë nga një ekstremist një ditë para votimit më 17 tetor 2015Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Berg

"Ne e mendojmë, që vala e atyre që kanë marrë arratinë do ta ndryshojë vendin tonë", tha presidenti para katër javësh. Se sa shpejt dhe në ç'drejtim po ndryshon Gjermania, kjo është tronditëse. Tronditëse, por jo krejt e papritur. Sepse sulmi brutal me thikë ndaj kryebashkiakes tashmë të zgjedhur të Këlnit Henriette Reker është vetëm një pikë kulmore e përkohshme e radizikalizmit gjithnjë e më fort të atmosferës në shoqëri.

Prej javësh në forumet e portaleve të mëdha informative si dhe në Facebook po ringjallet urrejtja. Po përhapen teori komploti, thashetheme paraqiten si fakte, polemizohet dhe bëhen ofendime të rënda. Në fokus është në radhë të parë kancelarja: "tradhëtare e popullit" dhe "prostitutë e refugjatëve" janë vetëm dy nga titujt, me të cilat përmendet ajo rregullisht. Ka kohë që kjo nuk ndodh më vetëm në anonimitet në internet, por edhe në veprimtaritë publike.

Trikëmbësh i varjes në litar dhe vënie zjarri

Para një jave në një manifestim të lëvizjes Pegida (Patriotët Europianë kundër Islamizimit të Perëndimit) në Drezden dy trikëmbëshat e varjes në litar si simbol i ishin kushtuar njëri kancelares Angela Merkel dhe tjetri zëvendëskancelarit Sigmar Gabriel. Pothuajse çdo ditë ne lexojmë në lajme për vënie zjarri ndaj strehimoreve të refugjatëve - por pothuajse një mrekulli që nuk ka pasur viktima në njerëz. Dhe të shtunën (17.10) sulmi gati vdekjeprurës me thikë ndaj kandidates për kryebashkiake në Këln një ditë para votimit. Ndër detyrat e saj të deritanishme bënte pjesë edhe puna për strehimin e refugjatëve.

Kjo s'ka të bëjë aspak me "devijimet" ose me rezistencën legjitime të "qytetarëve të shqetësuar" kundër kursit të qeverisë federale në politikën e refugjatëve. Ajo që po ndodh tani këtu është terrorizëm. Jo i organizuar, por megjithatë i shtrirë në mbarë vendin. Nuk ka asnjë land të federatës dhe praktikisht asnjë rajon, që t'i ketë shpëtuar sulmeve me vënie zjarri.

Steiner Felix Kommentarbild App
Felix Steiner

Sulmi ndaj politikanes lokale ndodhi jo në landin sakson të Pegidës, por në një qytet të madh, që e konsideron veten si ndër metropolet më liberale dhe më kozmopolite të Gjermanisë. Dorasit e hetuar deri tani, janë kryesisht njerëz, që deri më sot nuk kanë qenë në fokusin e policisë.

E sikur kjo të mos ishte mjaft alarmuese, tani pas atentatit të së shtunës gjithçka vazhdon me ritmin e zakonshëm: në një kordon njerëzish me drita që u krijua spontanisht në Këln me rënien e muzgut krahas personaliteteve politike erdhën edhe të gjithë ata, që nuk mungojnë ndonjëherë në raste të tilla. Eshtë e njëjta pjesë e shoqërisë, që në fillim të shtatorit i përshëndeti me duartrokitje refugjatët nëpër stacionet e trenave, që rregullisht jep donacione dhe ndihmon në qendrat e pranimit të refugjatëve.

Asnjë minutë heshtje pas aktit të përgjakshëm

Në forumet në internet në të kundërt edhe pas atentatit ndaj Henriette Reker sërish nisën shfrerjet, sikur të mos kishte ndodhur një goditje e fortë ndaj shoqërisë se hapur demokratike: që nuk u vjen keq për këtë, se kjo është drejtësia dhe se ky është vetëm fillimi. Hendeku i thellë (i pakapërcyeshëm?), që po krijohet në mesin e shoqërisë gjermane - nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq i dukshëm.

Të dielën Henriette Reker, që ndodhej në gjendje kome artificiale në pavionin e reanimacionit, u zgjodh kryetare bashkie e qytetit të katërt për nga madhësia në Gjermani. Jo prej keqardhjes, por pikërisht me atë kuotë votash që kishte parashikuar Instituti i Hulumtimeve Elektorale përpara gjashtë javësh. Eshtë e rëndësishme, që zgjedhja u bë pavarësisht nga atentati, bëri të ditur kryesia e qytetit të Këlnit. Sepse nuk duhet të lejojmë diktatin prej terroristëve dhe atyre që ushtrojnë dhunë. E drejtë.

Por edhe një sinjal i rëndësishëm do të kishte qenë, nëse të dielën do të kishin dalë në votime 70 apo 80 përqind e zgjedhësve në Këln. ky do të kishte qenë një mandat, që do ta kishte forcuar demokracinë. Pra na duhet ta pranojmë, që 60 përqind e këlnasve janë indiferentë ndaj çështjeve publike.

Duket se ende masa e gjermanëve nuk e ka kuptuar, se përpara çfarë sfide ndodhet shoqëria në vjeshtën 2015. Jo vetëm, se masa të mëdha njerëzish duhen strehuar dhe integruar, por sepse vlerat themelore të shoqërisë sonë duhen mbrojtur: në radhë të parë jo ndaj imigrantë të supozuarve si radikalë-islamikë, prej të cilëve kanë frikë të gjithë, por ndaj përçmuesve të demokracisë dhe të lirisë brenda radhëve tona të qendrës.