1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Shpallja e dështimit të François Hollande

Lindita Arapi7 Nëntor 2014

Më keq nuk ka ku të shkojë. Bilanci i gjysmës së mandatit të presidentit francez, François Hollande është katastrofik. Ky fakt duhet të zgjojë nga gjumi të gjithë Europën, komenton Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1DiuM
Frankreich Präsident Francois Hollande
Fotografi: Reuters/Martin Bureau

François Hollande donte të ishte një president "normal". Krahasuar me paraardhësin e tij konservator, Nicolas Sarkozy, që me gruan e tij bukuroshe Carla Bruni dukej si një personazh filmash serialë, François Hollande ishte fillimisht një lloj balsami për francezët. Ndërsa sot, sipas një sondazhi të fundit, vetëm 4% e francezëve dëshirojnë që Hollande të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në vitin 2017. François Hollande është presidenti më i papreferuar i Republikës së pestë.

Dështimi si shoqërues i pandarë

"Normale" për presidentin francez do të thoshte pasivitet dhe dobësi drejtimi. Për fat të keq Franca në këtë moment vetëm për një president me cilësi të tilla nuk ka nevojë. Aftësia konkurruese e një shteti dikur shumë krenar po bie pandalshëm, po ashtu edhe kapitali francez në tregun botëror. Papunësia qëndron në nivele të larta. Mbi të gjitha këto, perspektiva e të rinjve duket e zymtë, ndërsa deficiti buxhetor është prej vitesh mbi kufirin e lejuar në Europë, dhe ai vazhdon të rritet, sipas prognozës së fundit të Bashkimit Europian. Në vitin 2016 ai do të jetë më i larti në eurozonë. E gjithë Europa e pret me shumë kërshëri, nëse i dërguari i Francës në BE si komisioner për çështjet ekonomike, Pierre Moscovici do të mbajë qëndrim strikt ndaj vendit të tij.

Gjermania fajtore?

Dobësimi i vendit të tyre, në një kohë kur fuqizimi i Gjermanisë nuk ka të ndalur është dekurajues për francezët. Ai lëndon krenarinë e tyre kombëtare. Për këtë sigurisht nuk është fajtor vetëm Hollande, gjendja e vështirë ka rrënjë më të thella. Aparati shtetëror tejet i fryrë ka pjesën e vet këtu, po ashtu si deindustrializimi dhe një mentalitet i pretendimeve të ekzagjeruara. Por Sarkozy së paku u përpoq të ndryshonte diçka në dobësitë bazike të francezëve.# b#

Hollande përkundër tij, i injoroi një kohë këto probleme, duke ia kaluar përgjegjësinë Europës, duke ia vënë fajin për këtë politikës gjermane të kursimit, e duke shpresuar se mjaftonte që Gjermania pa marrë parasysh borxhet, të rriste programet koniunkturore, dhe çdo gjë do të rregullohej. Një përpjekje jo e mençur për të justifikuar dështimin.

Afera e dashurisë

Në një kohë që brenda vendit François Hollande ka pasur shumë probleme, në politikën e jashtme gjithmonë ai ka demostruar politikanin e fortë: François Hollande dha urdhrin për ndërhyrjen ushtarake në Mali, madje mbështeti edhe një ndërhyrje në Siri kundër Bashar al-Asadit, aksion që nuk u bë, sepse për këtë mungonin aleatët. Së paku kjo tregoi vendosmëri.

Përkundër kësaj, imazhin e tij e shkatërruan pamjet nga jeta private. Fotografitë e paparacëve, ku kreu i shtetit, i parruar, i maskuar me kaskë në kokë dhe me motor shkon tek shtëpia e mikeshës, Julie Gayet pushtuan botën. Ka gjasa që francezët t'i tolerojnë aferat e presidentëve të tyre, por që presidenti i tyre të bëhej kaq qesharak, kjo nuk përkoi më me tolerancën franceze.

Përfituesja Le Pen

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, për presidentin e goditur rëndë vjen edhe një fenomen me emrin Le Pen. Dhe këtu nuk ka shaka. Marine Le Pen, drejtuesja e Frontit Nacional, përfiton jo vetëm nga gjendja e vështirë e francezëve, por edhe nga rënia e pikëve për François Hollande. Me recetat e saj të thjeshta për sovranitetin francez dhe izolimin, kundër globalizimit, ajo e ka tronditur në themel elitën franceze. Hollande dhe njerëzit e tij përpiqen në dëshpërimin e tyre, të vënë nën presion Gjermaninë, duke ngritur zërin se pa programe të rritjes ekonomike do të rritet ekstremizmi. Çfarë fiaskoje!

Nuk ka arsye për tallje

Por sado irrituese është kjo përpjekje për të bërë presion ndaj Gjermanisë, gjendja politike në Francë, jo vetëm ajo ekonomike, vërtet është shqetësuese. Sipas sondazheve Le Pen ka shanse të mira madje të kalojë në balotazh në zgjedhjet presidenciale 2017, disa madje e shohin atë në Elysee. Kjo do të ishte katastrofë për Francën dhe Europën. Për këtë arsye askush nuk duhet të fërkojë duart nga dobësimi i francezëve dhe nga një bilanc rrënimi i gjysmës së mandatit të François Hollande. Gjermania do të bënte mirë ta mbështeste partneren e saj më të rëndësishme, të kërkojë të përbashkëtat, të bëjë kompromise, edhe pse kundërshtitë ideologjike mes Parisit dhe Berlinit në moment janë shumë të mëdha. François Hollande

ndoshta ka dështuar si president, por partneriteti gjermano-francez nuk duhet të vuajë nga kjo.