1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresa vdes e fundit

Jens Thurau2 Dhjetor 2015

A do arrihet në fund të Konferencës së OKB-së për Klimën një marrëveshje? Kjo nuk është e sigurt, mendon Jens Thurau. Por ende ka katërmbëdhjetë ditë kohë që nga qëndrimet e kundërta të dalë një sinjal i përbashkët.

https://p.dw.com/p/1HFX8
Fotografi: Reuters/J. Naegelen

Në fillim një lajm i mirë : asnjë nga më shumë se 150 kryetarët e shteteve dhe të qeverive, që hapën të hënën në Paris samitin e klimës me fjalime të fuqishme nuk ka më dyshim se efekti serrë ekziston dhe që tani vërtetë të gjithë duhet të bëjmë diçka për këtë. Kjo tingëllon e qartë, por nuk është e tillë: për shumë vite, konferencat për ndryshimet klimatike të OKB-së janë shoqëruar nga shumë politikanë me një përzierje mes mohimit ose injorancës. Kjo me sa duket tani ka marrë fund.

Po, të gjithë duan një marrëveshje, duan t'u vijnë në ndihmë më të varfërve dhe më të vuajturve nga uraganet dhe thatësirat me shumë miliarda, në mënyrë që ata të ndërtojnë prita, të ndryshojnë sekuencat e mbjelljeve dhe të ndahen nga qymyri ose gazi si burim energjie. Në rregull deri këtu. Por një marrëveshje që do të përshtatet vërtet këtij problemi, ende nuk është nënshkruar.

Dallime të vogla, por vendimtare

Kjo sepse në fjalimet e Presidentit Obama, Putin dhe Xi dhe në fjalët e kancelares gjermane për fat të keq u bënë edhe një herë të qarta dallimet e vogla por vendimtare në ambiciet për ndryshime, të cilat kanë çuar edhe në takimet e tjera për klimën në përvojat frustruese.

Jens Thurau
Jens Thurau

Përsëri, një lajm i mirë: kancelarja ishte në gjendje të bindte duke përmendur si objektiv më pak se dy gradë ngrohje globale, duke e ditur fare mirë se objektivat klimatike tashmë të dorëzuara në Paris nga shtetet mund të çojnë në rastin më të mirë në 2.7 gradë. Kështu, shumë udhëheqës shtetesh ranë dakord, edhe pse shkencëtarët paralajmërojnë se rreth dy gradë nuk është më i përballueshëm. Të lumtë Angela Merkel!

Dhe Barack Obama pranoi: SHBA janë shkaktari kryesor i ndryshimeve klimatike. Dhe presidenti amerikan premtoi gjithashtu të japë shumë të holla, që vendet e varfra të mund për shembull, të ofrojnë sigurime për klimën për njerëzit e tyre. Sa të holla? Këtë Obama e shtyu për nesër. Dhe humbi kështu mundësinë për të ofruar që në fillim impulse.

Mbrojtja e klimës - çështje e shteteve kombëtare?

Edhe Kina do t'i bashkohet më në fund traktatit të klimës, por fjalët e Presidentit Xi të kujtonin fort shumë nga fjalimet e mëparshme të kinezëve në samite të tilla: fajin për ngrohjen globale e kanë vendet e industrializuara - ku Kina zyrtarisht nuk bën pjesë, edhe pse është shkaktarja më e madhe në botë e gazrave që shkaktojnë efektën serrë. Ndryshimi i klimës duhet të jetë sipas Pekinit në të ardhmen çështje e secilit vend. Kjo nuk qe ideja e vërtetë kur konferenca e klimës vendosi të kombinojë qëllimet klimatike vullnetare e shteteve në një marrëveshje.

Ende ka katërmbëdhjetë ditë kohë që nga të gjitha këto qëndrime të kundërta të bëhet një vepër e përgjithshme arti, që t'i shërbejë vërtetë klimës. Po dhe tani duket si gjithmonë: disa ndërtojnë të tjerë përpiqen të lëkundin, evropianët duan të shkojnë (së paku disa) më tej dhe vendet e varfra duan të holla. Por për të humbur guximin, që në fillim të Konferencës së Parisit është vërtetë shumë herët. Pra tani vlen: shpresa vdes e fundit.

Ju mund të shprehni mendimin tuaj për këtë koment. Ne gëzohemi për mendimin tuaj!