1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumë pikëpyetje në samitin amerikano-kinez në Florida

6 Prill 2017

Opinioni pret me interes takimin e nivelit të lartë mes Donald Trump dhe Xi Jinping. Trump gjatë luftës elektorale e sulmoi verbalisht ashpër Kinën. Tani ai duhet të vendosë marrëdhënie pune me të, mendon Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/2alTa
Donald Trump und Xi Jinping
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Mik apo armik? Mënyra se si Donald Trump e sheh botën shpesh karakterizohet nga shablloni bardh e zi. Kinën deri më tani 70 vjeçari e ka klasifikuar në kampin armiqësor, kryesisht për arsye ekonomike. Kjo për faktin, se prej dekadash Pekini ka të ardhura nga tregtia në shifra miliardëshe. Ishte kjo arsye e mjaftueshme për kandidatin për president Trump që në çdo fjalim elektoral ta sulmonte Kinën: administratat e mëparshme kanë lejuar, që Pekini t'ia hedhë SHBA-së, theksonte ai. Trump u premtoi përkrahësve të tij, që sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë do ta ndryshojë këtë.

E çfarë veprash do t'i pasojnë këto fjalë? Këtë pyetje i shtron vetes tani jo vetëm presidenti kinez Xi, i cili takohet për herë të parë personalisht me Trumpin. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje u intereson të gjitha vendeve, që kanë të ardhura të mëdha nga tregtia me SHBA-në - ndër to Gjermania, Kanadaja dhe Mekiska.

Frymë pozitive me investime të reja?

Xi, i cili nuk preferon të surprizohet, duhet ta ketë ndjekur me shumë kujdes vizitën e kancelares gjermane në Uashington. Merkel ia doli, që ta zbusë indinjatën e Trumpit për gjoja tregtinë jo korrekte bilatere, duke tërhequr vëmendjen për angazhimin e ekonomisë gjermane në SHBA. Edhe Xi do të ketë me vete në bagazh investimet miliardëshe në ekonominë e SHBA-së. Por a i mjafton  kjo Trumpit? 

Soric Miodrag Kommentarbild App
Miodrag Soric

Në samitin amerikano-kinez ka mjaft pikëpyetje: në rastin më të keq një luftë tregtare e kamufluar ose e hapur. Nëse Amerika i rrit barrierat doganore, shpejt ose vonë do të bjerë rritja e ekonomisë botërore - e kjo do të ketë pasoja të rënda për shumë vende. Me secilin president tjetër të tilla frikëra do të ishin minimale, sepse së fundi edhe vet SHBA-ja ka vuajtur nga një rritje e pakët ekonomike. Por me këtë zotëri të moshuar e impulsiv gjithçka është e mundshme. Interesi i Trumpit - apo aftësia e tij?  - një raport ky i ndërlikuar për t'u kuptuar. Durimi i tij për të përballuar situata të vështira politike është i pakët. Mënyra se si ai dështoi me reformimin e "Obamacare", është vetëm njëri prej shembujve. Pra është e vështirë të parashikohet suksesi pa i analizuar të gjitha detajet. Presidenti kinez i kushton rëndësi faktit, që atë ta trajtojnë me respekt. Ai është gjithsesi përfaqësuesi i asaj fuqie, që shpejt ose vonë do ta verë në pikëpyetje dominancën e Amerikës në politikën botërore.

Pekini i duhet Uashingtoni si partner

Qysh tani vetëm me ndihmën e Pekinit mund të ushtrohet më shumë presion ndaj Koresë së Veriut ndaj politikës së saj aventureske atomike dhe të raketave bërthamore. Pikërisht në kohën që zhvillohet samiti në Florida Kim Jong Un ka deklaruar një provë të re rakete. Trump do të kërkojë ndihmën e Kinës, distancimin e Pekinit ndaj Penjanit. Por a është ai i gatshëm të bëjë lëshime në konfliktin për ishullin në detin e Kinës Jugore? Ndërkohë ai flet pak për këtë. Pekini - përkundër vullnetit të fqinjëve të vet - ngre pretendimin ndaj këtij rajoni të rëndësishëm strategjik detar.

Vështirë se mund të priten suksese të vërteta mbi njërën apo tjetrën çështje në këtë samit të parë të ty politikanëve. Tani synohet më shumë që ata të njihen bashkë, të krijojnë besim të ndërsjelltë dhe të zhvillojnë një marrëdhënie funksionuese pune. Shumë tema të rëndësishme do të trajtohen në plan sekondar si: politika për klimën, lufta kundërt terrorit, të drejtat e njeriut apo marrëdhëniet me Tajvanin.

Mik apo armik? Trumpit do t'i duhet të mësojë, që vende të tjera të fuqishme ndonjëherë mund të jenë njëkohësisht edhe miq edhe armiq.