1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Sinjal i fortë kundër dhunës seksuale

10 Dhjetor 2018

E megjithatë Çmimi Nobel i Paqes për angazhimin kundër dhunës seksuale mund të jetë vetëm një fillim, mendon Dirke Köpp.

https://p.dw.com/p/39oVS
Verleihung Friedensnobelpreis Denis Mukwege Nadia Murad
Fotografi: NTB Scanpix/Haakon Mosvold Larsen/Reuters

Çmimi Nobel i Paqes për dy njerëz, që angazhohen në mënyrë të jashtëzakonshme kundër dhunës seksuale si armë (lufte), është një sinjal i fortë dhe i mirë. Vlerësimi i gjinekologut kongolez Denis Mukwege dhe i aktivistes jezide Nadia Murad e zbut disi irritimin që shkaktoi vlerësimi me këtë çmim asokohe presidentin e sapo zgjedhur të SHBA-së Barack Obama. Ose vlerësimi për Bashkimin Europian që u dha para gjashtë vjetësh, që nisur nga aktualiteti i sotëm me dramat që po ndodhin në Mesdhe duket si irreal.

Njerëzit që angazhohen konkretisht për njerëzit e tjerë - të tillë laureatë bëjnë mirë në një kohë, kur pothuajse çdo ditë ke ndjenjën, se njeriu për njeriun është ujk.

Karakterizuar prej përvojës vetiake me vuajtjen

Mukwege dhe Murad e kanë përjetuar këtë në trupin e tyre: Murad është mbajtur si skllave seksi prej organizatës terroriste Shteti Islamik në Irak, ku e kanë përdhunuar vazhdimisht. Por ajo nuk i lejoi vetes të bjerë në rolin e viktimës, përkundrazi ajo e ngriti zërin kundër abuzimit sistematik. Kjo është më shumë se sa guxim në një vend si Iraku të përfshirë prej vitesh nga lufta dhe dhuna. Mukwege vjen nga provinca e trazirave Sud-Kivu në Lindje të Republikës Demokratike të Kongos dhe ka parë edhe këtu, se si përdhunimet janë përdorur qëllimisht si një strategji ushtarake. Më 1999 ai themeloi në qytetin e tij Bukavu një spital, në të cilin ekipi i tij kujdeset dhe operon gratë e përdhunuara dhe të gjymtuara. "Burri, që rikuperon gratë" e quajnë atë plot respekt.

Ai që ka folur një herë më gratë në Bukavu, i ka parë ato në sy, e di se si përdhunimi funksionon si armë lufte: Viktimat damkosen për tërë jetën, ato janë të shkatërruara fizikisht dhe emocionalisht. Gratë si Nadia Murad, që kanë kurajon, ta ndryshojnë situatën e tyre dhe të dalin nga roli i viktimës, janë të rralla. Po aq e rëndësishme është edhe që në spitalin e Mukweges bëhen përpjekjet për t'ua kthyer grave dinjitetin. Por kjo është e vështirë në një shoqëri, që i stigmatizon gratë për përdhunimin që ato kanë përjetuar.

Dirke Köpp Kommentarbild App
Dirke Köpp

Se sa ka të bëjë dhuna seksuale me cënimin e dinjitetit, për këtë bota po diskuton së paku qysh prej një viti. Debati #MeToo ka kontribuar ndoshta edhe për anulumin sivjet të Çmimit Nobel në Letërsi për shkak të akuzave për ngacmim seksual në qarqet e jurisë.

Ky mund të jetë vetëm fillimi

Por ende ka shumë për të bërë: Ende presidenti i SHBA-së në detyrë, vazhdon të tallet lidhur me një viktimë të mundshme të dhunës seksuale. Ende vazhdon të ketë një faqe të plotë reklame me Cristiano Ronaldon të veshur me kilota, ndonëse ylli i futbollit po akuzohet për një përdhunim. Ndërsa në Kongo në listën zyrtare të kandidatëve për zgjedhje u shfaq edhe një burrë, i cili ka qenë i dënuar për përdhunimin e bebeve. E për të gjitha këto në rastin më të mirë ka vetëm fare pak sensibilitet. Çmimi Nobel i Paqes për Mukwege dhe Murad për angazhimin e tyre kundër dhunës seksuale mund të jetë vetëm një fillim!

Qeveria e Kongos e ka uruar Denis Mukwege. Por në fakt në sfondin e vlerësimit të tij me këtë çmim kësaj qeverie duhej t'i vinte turp. Sepse Çmimi nënvizon, se sa shumë qeveria dhe presidenti i saj Joseph Kabila - po ashtu si edhe babai i tij - prej dekadash e kanë lënë pasdore Lindjen e vendit. Që nga fillimi i viteve 1990 atje grupet e armatosura e kanë terrorizuar popullsinë civile duke përdhunuar pa u ndëshkuar gratë, vajzat e ndonjëherë edhe burrat. E çfarë bën qeveria kundër kësaj? Asgjë.