1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Të pafuqishëm kundër terrorit! Atentatet me bombë në Sharm El Scheik, vrasje në Londër

Peter Philipp25 Korrik 2005

Më shumë se dy ditë pas sulmeve terroriste në qytetin pushues, sharm El Sheik, policia nuk ka arritur akoma të gjejë autorët e krimit. Guvernatori i gadishullit të Sinait, Mustafa Afifi u shpreh, se është e paqartë, se kush fshihet pas këtyre atentateve. Pas vrasjes së një braziliani, i cili gabimisht u mor për terrorist, policia britanike ndodhet nën presionin e opinionit publik. Qeveria braziliane ka kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ndërsa organizatat myslimane në Britani kanë kërkuar një hetim të pavarur. Ngjarjet e Sharm El Sheikut edhe ato të Londrës, po tregojnë se sa të pafuqishëm jemi në luftën kundër terrorizmit

https://p.dw.com/p/ArOZ
Pamje nga atentatet në Sharm El Sheik
Pamje nga atentatet në Sharm El SheikFotografi: dpa

Një gjë është e sigurtë: Aktet terroriste në Londër dhe Sharm El Sheik nuk kanë të bëjnë me njëra tjetrën. Ose fare pak, sepse mund të gjesh diçka të përbashkët me Britaninë e Madhe dhe Egjiptin. Të dy shtetet janë aleate të SHBA në luftën kundër terrorizmit. Por terroristët nuk kanë në shënjestër përfaqësuesit zyrtarë të shteteve që ata sulmojnë. Ata godasin pushuesit e thjeshtë, punonjësit e hoteleve dhe shitësit e suvennireve në Egjipt. Viktimat madje i përkasin të njëjtës kombësi si terroristët. Por kjo nuk ju intereson atyre. Viktimat e të pafajshmëve janë vetëm dëme kolaterale në luftën e tyre kundër SHBA.
Dëm kolateral ishte edhe jeta e një braziliani të ri, i cili mori pesë plumba në kokë nga policia britanike. Përse? Sepse ai doli nga një shtëpi e gabuar, ishte veshur me një pardesye të gjatë, dhe kishte fytyrën e një jugori apo orientali dhe ju iku policëve. Deklarata e Skotland Jard, se ai shpreh keqardhjen për këtë incident, tingëllon boshe, sepse në të njëjtën kohë lihet të kuptohet që raste të tilla mund të ndodhin edhe në të ardhmen.

"Ekzekutime të tilla të rastësishme" janë vrasje në mes të rrugës. Bota i dënon vrasje të tilla të palestinezëve radikalistë nga ana e izraelitëve në mes të rrugës. Madje edhe vrasja e radikalistëve të IRA-s nga ana e agjentëve britanikë në Gjibraltar u kritikua nga opinioni botëror. Agjentët e mbretërisë kishin atëhere dorë të lirë, d.m.th. në fillim të qëllonin pastaj të pyesnin.
Kjo e bën demokracinë britanike, aq të njohur në botë, t'u afrohet antidemokracive po aq të njohura në botë, si qeveritë në Lindjen e Mesme.

Deri më tani autoritetet egjiptiane nuk kanë të dhëna për autorët e krimit. Ata vetëm kanë arrestuar me dhjetëra të dyshuar. Terroristët synojnë t'a godasin qeverinë e Hosni Mubarakut në pikën më të rëndësishme. Tek turizmi. Pushuesit mund të ikin dhe Egjiptit i largohet deviza e rëndësishme e turizmit. Një gjë u bë e qartë këto ditë. Asnjë vend nuk është i mbrojtur nga terrorizmi. Duket makabre por kundër terrorizmit jemi po aq të pafuqishëm si kundër tërmeteve. Ardhjen e tyre nuk mund ta ndalojmë, por vetëm të merren masa që të parandalohen katastrofa të përmasave të mëdha.