1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trishtim i thellë për Tugce

Verica Spasovska2 Dhjetor 2014

Gjermania ka fituar një heroinë të re dhe ka humbur një grua të re plot vitalitet. Vendi mban zi për gjermano-turken Tugce. Le të shpresojmë që vdekja e saj butale të mos ketë qenë më kot, mendon Verica Spasovska.

https://p.dw.com/p/1Dxsb
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Roessler

Tugce, studentja e guximshme me rrënjë turke, e pagoi angazhimin e saj me jetë. Ajo u fut mes tipave të dhunshmen dhe vajzave të pambrojtura dhe ra vetë viktimë. Tugce vdiq në ditëlindjen e saj të 23-të si pasojë e rrahjes brutale me grushta. Dhe gjithë Gjermania mban zi për këtë grua të re, të guximshme dhe plot vitalitet. Gjithë Gjermania përkulet me respekt të thellë para saj.

Mbrëmjen e vdekjes së saj qindra njerëz qendruan para spitalit ku ndodhej ajo derisa u fikën makineritë. Qindra mijëra shprehën në rrjetet sociale keqardhjen dhe admirimin e tyre. Kjo pjesëmarrje në dhimbje shkon deri te politika: Presidenti Gauck jo vetëm u ka shkruar prindërve të saj dhe ka shprehur indinjatën e thellë për vdekjen e Tugce, por po shqyrton nëse asaj do t'i jepet posthum Kryqi i Meritës për kurajon e saj civile.

Rasti Dominik Brunner

Vdekja e tmerrshme e gjermano-turkes të sjell në mendje një rast shumë të ngjashëm, i cili ka ndodhur në Gjermani para pesë vitesh. E megjithatë këtë herë shumë gjëra janë ndryshe. Atëherë menaxheri Dominik Brunner i kishte dalë përpara për ta mbrojtur një nxënësi në metro dhe u rrah vetë për vdekje. Humbja e jetës së tij për shkak të angazhimit për më të dobëtit shkaktoi në Gjermani një diskutim disa javë të gjatë për çmimin dhe kuptimin e kurajos civile. Edhe për Dominik Brunner pati një valë keqardhjeje dhe respekti.

Verica Spasovska
Verica SpasovskaFotografi: DW/M. Müller

Atëherë ashtu si sot secili i bën pyetje vetes: si do të kisha vepruar unë nëse të tjerë, më të dobët, do të ishin në rrezik? Do të kisha guxim të tregoja kaq shumë kurajo civile dhe të rrezikoja? Atëherë ashtu si sot, mendimi i përgjithshëm i opinionit është: është e drejtë të ndërhysh edhe pse çmimi për këtë angazhim në rastin më të keq është shumë i lartë. Fati i Dominik Brunnerit u zhduk shpejt nga kryetitujt. A do të bjerë në harresë së shpejti edhe vdekja e Tugces? Le të shpresojmë që jo! Megjithë paralelet me Dominik Brunnerin, vdekja këtë herë luan një rol disi ndryshe: vdekja tragjike e Tugces mbart edhe një shans, pasi mund të ndryshonte vështrimin tonë ndaj debatit për imigrimin me tipare negative.

Migrantë të integruar që i duhen Gjermanisë

Shumë shpesh diskutimi për imigrimin në Gjermani kufizohet në raste problematike, në grupe në skaje, tek ata imigrantë që nuk duan të integrohen dhe jetojnë në një botë paralele. Por këtë herë heroina ka vetë sfond migracioni. Ne shohim një grua të re me rrënjë turke, e cila donte të bëhej mësuese dhe ishte e interesuar për përparimin e saj në shoqëri. Një studente e cila kërkonte një bashkëjetesë paqësore. Një përfaqësuese e atij grupi të madh njerëzish me rrënjë të huaja, që kontribuojnë në masë të konsiderueshme në zhvillimin shoqëror të Gjermanisë. Dhe nga të cilët Gjermania përfiton në masë të madhe: në aspektin demografik, ekonomik, kulturor. Kjo dëshmohet nga studime të shumta. Por shifrat, faktet nuk kanë thuajse fare ndikim në një diskutim publik që zhvillohet shumicën e kohës në mënyrë emocionale. Ashtu siç ndodh shpesh është rasti individual që na ngelet në mendje. Në këtë rast është një gjermano-turke e guximshme, e bukur, e re që tani ka zënë një vend në zemrat e gjermanëve.