1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë e rangut të dytë

Kersten Knipp15 Maj 2015

SHBA i kanë ftuar shtetet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit për bisedime. Por arabët tregohen të rezervuar. Pikërisht kjo tregon se sa fort u duhet atyre edhe më tej mbështetja e SHBA, mendon Kersten Knipp.

https://p.dw.com/p/1FPym
Obama e GCC ne Camp David
Fotografi: Reuters/K. Lamarque

A është ai i sëmurë, ndihet i detyruar ndaj armëpushimit në Jemen apo është zemëruar me të vërtetë? Çfarëdo që të ketë qenë që e ka shtyrë mbretin saudit Salman Ibn Abd al-Aziz për të kundërshtuar ftesën e Obamas për takimin e nivelit të lartë në SHBA: spekulimet, që qarkulluan me muaj të tërë hedhin një dritë mbi gjendjen e vështirë në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij në gadishullin arab në vitet e fundit. Arabët nuk besojnë më, harmonia e ushtruar me dekada të tëra dhe e konsideruar si e vetëkuptueshme ia ka lënë vendin kthjelljes, ndoshta edhe skepticizmit. Në Riad, Manama dhe Abu Dabi, përsa i përket Uashingtonit dominon pyetja: Çfarë do Amerika, çfarë do Obama? Ose më mirë: çfarë do me të vërtetë Obama?

Çfarë do Obama?

Vërtet që Presidenti amerikan u ka bërë të ditur shteteve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) në pjesën më të madhe se çfarë do - pikërisht një raport të ri, më të mirë ndaj Iranit, rivalit kryesor të shteteve të GCC. Ky vullnet doli në pah si në negociatat atomike me Iranin ashtu edhe në aleancën strategjike kundër terrorit xhihadist, në të cilën SHBA i njohin Teheranit një rol të rëndësishëm.

Megjithatë shtetet e Gjirit do të preferonin të mësonin më shumë nga Obama. Para së gjithash, se çfarë çmimi është i gatshëm të paguajë ai për raportin e ri me Iranin. Shtetet e GCC mund t'i akuzosh për shumë gjëra, para së gjithash për politikën e tyre shoviniste fetare dhe raportin e tyre të paqartë me salafizmin dhe xhihadizmin. Por në një gjë ato kanë të drejtë: nëse prestigji i ri në politikën e jashtme të Iranit do të jetë me përfitim për të tjerët, kjo është gjithçka tjetër po jo e sigurtë.



Kështu, mbështetja pa kushte nga Teherani e diktatorit Bashar al Assad ka bërë në mënyrë shumë të konsiderueshme që lufta në Siri të vazhdojë për vitin e pestë me radhë, që një çerek milioni sirianë e kanë humbur jetën dhe dhjetë milionë të tjerë të marrin arratinë. Së bashku me partnerin e ngushtë të Assadit, Rusinë, Irani është përgjegjës në mënyrë shumë të konsiderueshme që lufta nuk ka marrë fund. Dhe qeveritë e shteteve të GCC shtrojnë pyetjen nëse Obama nuk mund të kishte bërë më shumë për t'i dhënë fund luftës.

Dashuri për paqe, dashuri për pushtet

Po ai u ngrihen flokët përpjetë nga revolta pushtetmbajtësve në Riad sepse e dëshirojnë me çdo kusht paqen? Jo. Siria është fushë beteje e një lufte me prokurë, lufte forcash agjente, në të cilën shtetet sunite dhe ato shiite përpiqen të fitojnë ndikim. Shtetet sunite, dhe me to para së gjithash shtetet në Gadishullin arab - duan ta pengojnë një dominancë të Teheranit në Siri. Prandaj i furnizojnë ata me armë kryengritësit. Por gjithnjë e më shumë ato shtrojnë pyetjen, sa mund të mbështeten me të vërtetë tek Obama.

Në Jemen, në një fushë tjetër beteje të luftës me prokurë midis shiitëve dhe sunitëve, Obama vërtet mbajti anën e shteteve të GCC dhe e mbështeti ushtarakisht ndërhyrjen e tyre ushtarake. Çështja është vetëm sa ndikohet me të vërtetë Irani nga kjo.

Çfarë do pra Obama? Shtetet e GCC nuk u përfshinë në negociatat atomike me Iranin. Si reagim ndaj këtij qendrimi mund të shihet edhe ajo që ndodh në takimin e GCC: shumica e shteteve përfaqësohet nga politikanë të rangut të dytë. Po nëse kjo është shenjë proteste, ajo mund të interpretohet edhe ndryshe: që të dyja palët, si Irani, ashtu edhe shtetet e GCC e vështrojnë si ndërmjetësues të tërthortë Uashingtonin. Një dëshmi pragmatike e kthjellët kjo nuk është. Si shtetet e GCC, ashtu edhe Irani ende nuk e kanë dhënë provimin e pjekurisë.

Kersten Knipp
Kersten Knipp