1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komente për zgjedhjet në Gjermani

Vilma Filaj Ballvora19 Shtator 2005

Zgjedhjet në Gjermani, zgjedhjet në Afganistan si dhe fjalimi i presidentit të Iranit në OKB, janë tema që komentohen në shtypin gjerman të së hënës.

https://p.dw.com/p/Artk
Pasqyra e shtypit për zgjedhjet 2005
Pasqyra e shtypit për zgjedhjet 2005

Padyshim që tema numër një e kryeartikujve dhe komenteve të botuara sot janë zgjedhjet paralmentare në Gjermani dhe rezultati i tyre. Gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton të ardhmen e partisë krisjtandemokrate me në krye Angela Merkelin: "Përpara negociatave për koalicion do të fillojnë intrigat kundër Angela Merkelit. Ndoshta ditët e saj si kryetare e kristjandemokratëve janë tani të numëruara. Kështu shuhet shkëlqimi i luftës elektorale. Kandidatja Merkel është e rrethuar prej pasardhësve. Ajo është Angela pa atdhe. Krijimi i koalicionit do të jetë edhe më interesant se sa vetë lufta elektorale: obsionet janë të shumta dhe asgjë nuk përjashtohet. Rezultat zgjedhjesh që hap kaq shumë obsione koalicionesh, ndonjëherë edhe të sajuara, nuk ka patur kurrë në historinë e Republikës federale të Gjermanisë", shkruan "Süddeutsche Zeitung".

Sa i përket së ardhmes së Angela Merkelit "Osthüringer Allgemeine" ka mendim tjetër: Angela Merkel e ka siguruar vendin e saj në histori. Kjo është mëse e sigurt. Si gruaja e parë kryetare e Partisë Kristiandemokrate, ajo do të ulet në zyrën e kancelarisë duke u ngjitur kështu në postin e njërës prej grave më të fuqishme të botës, në të njëjtin nivel me Kondoliza Rajsin dhe Mbretëreshën Elisabet. 51 vjeçarja fizikante, me titullin doktor, mund të drejtojë një vend që ndonëse është ndër më të sukseshmit dhe me rendimentet më të larta në botë, i duhet aktualisht të luftojë me dëshpërimin dhe frikën ndaj së ardhmes. Por gjithçka mbetet në formën e mundësive. Votimet e djeshme nuk ishin zgjedhja në dehje e damës, ashtu siç parashikohej. Kristianandemokratët me Angela Merkelin, kanë humbur kundrejt rezultatit të tre viteve më parë me kandidat Edmund Shtojberin. Fillimi i shkëlqyer i një epoke të re politike është krejt ndryshe", vëren "Osthüringer Allgemeine".

E përditshmja "Braunschweiger Zeitung" analizon rezultatin e partive të mëdha në këto zgjedhje: "Të humburit nga këto zgjedhje janë partitë e mëdha popullore. Si socialdemokratët ashtu edhe kristiandemokratët kanë patur rezultate jashtëzakonisht të dobëta. Rropatjet për të ruajtur vendin e qendrës nuk mjaftojnë më për të fituar mazhorancën. Gjermanët jo vetëm që nuk i dhanë votën koalicionit socialdemokrat ekologjistë, por ata penguan edhe koalicionin mes kristjandemokratëve dhe liberalëve. Me votën e tyre zgjedhësit deshën të impononin partitë e mëdha që të shfaqnin më në fund profil të qartë dhe të mos profilizohen duke pritur dhe duke ndenjur në vendnumëro", nënvizon "Braunschweiger Zeitung".

Mbi zgjedhjet në Gjermani edhe një citat nga komenti i "Kölner Stadtanzeiger": "Ky rezultat votimesh pasqyron gjendjen e shoqërisë gjermane. Ai sinjalizon gjithashtu hendekun e thellë mes popullsisë dhe politikanëve. Asnjë nga partitë nuk iu përkushtua me seriozitetin e duhur frikës së kuptueshme të njerëzve", tërheq vëmendjen "Kölner Stadtanzeiger".

Edhe në Afganistan e djela ishte ditë votimesh. Për herë të parë pas 36 vjetësh në vendin e malësive të Hindukushit u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. E përditshmja "Tagesspiegel" komenton: "Matur me parametrat perëndimorë, Afganistani do të vazhdojë të mbetet një zonë rreziku ushtarak, politik dhe ekonomik. Por ai që bën vlerësime sipas parametrave ideale, sot kur kanë kaluar vetëm katër vjet pas rrëzimit të talibanëve, gabohet dhe nuk sheh përparimet e bëra që prej asaj dite. Rreth një e katërta e mandateve parlamentare është rezervuar për gratë, shumë vajza tani shkojnë sërish në shkollë. Në Afganistan ka sot mbi 80 gazeta dhe të rinjtë në vend janë veçanërisht të etur të kuptojnë se ç´ndodh nëpër botë dhe si mund të përparojë Afganistani. Kapërcimi nga mesjeta e sundimit të talibanëve tek kohët moderne nuk mund të realizohet brenda natës. Por zgjedhjet e para parlamentare që prej vitit 1969 janë dëshmi se Afganistani është në rrugë të drejtë", analizon "Tagesspiegel" .

Lidhur me fjalimin e presidentit iranian Ahmedinexhad në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe programin bërthamor të Iranit, një citat nga artikulli i gazetës "Thüringer Allgemeine": "Asnjë lëkundje. Presidenti i Iranit insistoi në programin për pasurimin e uranit gjatë fjalimit përpara OKB-së, fjalim i cili u prit me shumë interesim. BE-ja që ndërmjetëson bisedimet është shtangur, ndërsa SHBA kërcënojnë. Në rast të një shkallëzimi të mëtejshëm mbetet vetëm involvimi i Këshillit të Sigurimit dhe shqyrtimi i obsionit të sanksioneve. Por Kina do të jetë e para që do të kundërshtojë. Në OKB do të shtrohet njëkohësisht pyetja, nëse SHBA e dinë se çfarë duan. Me insistimin e presidentit Bush, në deklaratën përfundimtare të samitit të OKB-së nuk u përfshinë vendimet e kërkuara për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe çarmatimin bërthamor. Kjo pasi presidenti i SHBA i përmbahet planeve për t´i bërë ballë kërcënimit terrorist nga armët bërthamore. Në vorbullën e kundërthënieve, në të cilat po pështjellohet politika e SHBA, Irani e ka të lehtë lojën e vet", komenton "Thüringer Allgemeine".