1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dilema e Koresë e Trumpit

Peter Sturm
28 Prill 2017

A ndodhen në rastin e Koresë së Veriut vërtet "të gjitha opsionet" në tryezë, siç bën të ditur Donald Trumpi? Mjetet ushtarake në të vërtetë janë shumë të kufizuara, mendon komentatori ynë Peter Sturm i FAZ.

https://p.dw.com/p/2c2SC
Nordkorea Pukkuksong balistische Rakete
Fotografi: Reuters/D. Sagolj

Kjo fjali bën pjesë në repertorin standard të trajtimit që SHBA i bëjnë Koresë së Veriut. "Të gjitha opsionet" janë në tryezë, thotë tani edhe qeveria Trump. Një rezolutë e OKB-së do të vendosë sanksione të reja kundër Koresë së Veriut. Në parim Uashingtoni është i hapur edhe për negociata. Të gjitha këto tingëllojnë shumë si vazhdimësi - dhe prandaj në thelb janë lajm i mirë.

A ekzistojnë objektiva?

Në këtë pikë megjithatë nisin pyetjet. Si do ta arrijë Uashingtoni, që Kina t'i vërë seriozisht në jetë vendimet për sanksione të OKB-së? Për se mund të negociosh konkretisht me Korenë e Veriut - kur "negociim" do të thotë që të gjithë të bëjnë lëshime? Para së gjithash: cilat opsione ushtarake do të ishin realiste? Veçanërisht te pyetja e fundit mbetesh shpejt pa përgjigje.

Natyrisht Amerika mund të ndërmarrë për çdo rast një goditje preventive sipas modelit të sulmit në Siri. Por cili do të ishte objektivi? Po të bombardohet zona ku bëhen prova bërthamore rreziku është i madh që të çlirohet radioaktivitet, i cili do të prekte edhe rajone fqinjë kineze. Një "goditje për t'i prerë kokën" udhëheqjes rreth Kim Jong-un-it vërtet që do të çonte në kaos të madh, por thuajse nuk do t'i prekte aftësitë e mirëfillta ushtarake të Koresë së Veriut. Pra një sulm në afërsi të kufirit ndaj trupave të stacionuara atje, të cilat bëjnë pjesë në më të mirat që mund të ofrojë Koreja e Veriut?

Një rast klasik i vetëfrikësimit

Të gjitha këto janë teorikisht të mundura. Por edhe sikur të mbetet pa u shkatërruar një numër shumë i vogël baterish artilerie dhe raketash, ato do të mjaftonin krejtësisht për t'i shkaktuar dëm të madh aleates amerikane Kore e Jugut (në mbrojtje të së cilës është angazhuar edhe Donald Trumpi). Kryeqyteti koreanojugor Seoul ndodhet në afërsi të kufirit të brendshëm të Koresë së Veriut dhe ai është kaq i madh, sa predhave të Koresë së Veriut nuk do t'u duhej as të godisnin me precizion të lartë, për ta arritur synimin. Në rastin e Koresë ne kemi të bëjmë me një skenar klasik të vetëfrikësimit. A ka rrugëdalje? Tani, Kim Jong-un e mban vendin e tij dhe popullin emocionalisht në një gjendje permanente të jashtëzakonshme. Më e keqja që mund t'i ndodhte atij, do të ishte sikur të mos ndodhë asgjë. Atëherë njerëzit mund të kujtoheshin se gjendja e tyre është e keqe. Dhe mund të pyesnin se pse është e keqe kjo gjendje.