1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komision Evropian: Në Kosovë ka mungëse të respektimit të rendit dhe ligjit

Bekim Shehu/Prishtinë5 Nëntor 2008

Komisioni Evropian në raportin vjetor kritikon institucionet e Kosovës të cilat nuk ka bërë sa duhet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

https://p.dw.com/p/Fnzh
Dy udhëheqësit kryesorë politikë kosovarë, presidenti dhe kryeministri u ikën deklarimeve
Dy udhëheqësit kryesorë politikë kosovarë, presidenti dhe kryeministri u ikën deklarimeveFotografi: AP/DW

Komisioni Evropian u rekomandon institucioneve të Kosovës që të angazhohen më shumë në respektimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në raport thuhet se Kosova ka konsoliduar institucionet e saj, vlerësohet stabiliteti në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë por, vetëm këto nuk mjaftojnë që Kosova të arrijë vlerat evropiane.

Renzo Davidi, shef i zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, thotë: "Disa nga fushat për të cilat Komisioni është i shqetësuar është mungesa e respektimit të rendit dhe ligjit. Korrupsioni dhe krimi i organizuar është akoma në shkallë të lartë. Për këtë dëshirojmë që institucionet e Kosovës të tregojnë fuqinë e tyre dhe të luftojnë këto dukuri negative të cilat cilësohen si kanceri i një shoqërie."

Raporti i Komisionit Evropia pjesa që ka të bëjë për Kosovën kësaj radhe duket shumë kritik për institucionet e Kosovës dhe kjo bëri që dy udhëheqësit kryesorë politikë kosovarë, presidenti dhe kryeministri t'u ikin deklarimeve. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu thotë se akoma nuk e ka lexuar raportin pavarësisht se atë e ka marrë zyrtarisht.

Në raportin e Komisonit Evropian kritikohet qeveria e Kosovës edhe për miratimin e buxhetit të Kosovës. Thuhet se buxheti është miratuar pa konsultime të mjaftueshme madje thuhet se ky buxhet mund të cilësohet se një buxhet ad-hoc.

Zhvillimi eknomik ende fragjil dhe i penguar nga paqartësitë politike

Në raport po ashtu thuhet se zhvillimi eknomik është ende fragjil dhe i penguar nga paqartësitë politike. Ai vazhdon të jetë i ndikuar nga sundimi joadekuat i ligjit. Në raport thuhet se edhe institucionet paralele serbe po pengojnë qeverinë për ta ushtruar autoritetin e vet në mbarë territorin e Kosovës. Thuhet se mbrojtja e pakicave është e siguruar në teori, por në praktikë, përpjekje më të vendosura janë të nevojshme për integrimin e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera. Komisioni Evropian pret nga autoritetet kosovare që ta shfrytëzojnë raportin për të dizajnuar dhe zbatuar një sistem koherent dhe konsistent të reformave për ta sjellë Kosovën më afër Evropës.