1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioneri i ri i BE-së për larminë gjuhësore synon përdorimin e shumë gjuhëve

Bernd Riegert25 Shkurt 2007

27 vende antare, 23 gjuhë zyrtare dhe 1500 përkthyes simultanë - janë këto shifra që bëjnë të qartë se në Bashkimin Evropian në Bruksel i kushtohet një vemendje e veçantë përdorimit të shumë gjuhëve

https://p.dw.com/p/Ar8m

Rumuni Leonard Orban, komisioner i BE-së për larminë gjuhësore, po angazhohet shumë për këtë ashtu siç edhe pritet prej tij. Por përdorimi i shumë gjuhëve në BE është mjaft i kushtueshëm e sjell edhe keqkuptime.

Të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian kanë të drejtë t´i drejtohen zyrtarëve, parlamenteve dhe gjykatave të Bashkimit Evropian në gjuhën e tyre amtare. Ky ka qenë njëri nga vendimet e para të marra nga Bashkimi Evropian pesëdhjetë vjet më parë. Në atë kohë kishte katër gjuhë në gjashtë vendet që themeluan askohe BE-në. Sot, pas hyrjes më 1 Janar 2007 të Rumanisë dhe Bullgarisë janë 27 vende antare me 23 gjuhë zyrtare. Me antarësimin e vendeve të Evropës Lindore në tri vitet e fundit numri i gjuhëve është më shumë se dyfishuar. Një ngatërresë babilonike me mundësi kombinimesh disa mijëshe në procesin e përkthimit simultan.

Konferenca për shtyp e komisionerit të BE-së për larminë gjuhësore, Leonard Orban, do të duhej të përkthehej në 22 gjuhë ashtu si edhe e të gjithë komisionerëve të tjerë. Të gjitha dokumentet që kanë kapur një shifër prej 1,5 milionë faqesh BE-ja i ka përkthyer në të gjitha gjuhët duke filluar nga finlandishtja deri tek greqishtja. Vetëm Malta nuk ka kërkuar deri tani versione komplete. Kjo punë i kushton BE-së 1 miliardë Euro në vit. Futja e një gjuhe unike si për shembull e anglishtes nuk vihet fare në diskutim nga komisioneri për gjuhët Leonard Orban:
"Nuk mund të pranohet politikisht që qytetarët e Bashkimit Evropian të detyrohen të përdorin një gjuhë unike qoftë kjo anglisht ose një gjuhë tjetër. Një Lingua Franca nuk mund të ketë."

Francezët, gjermanët, italianët, polakët dhe të tjerët do të protestonin menjëherë. Leonard Orbani synon që shumë qytetarë të BE-së të flasin sa më shumë. Përgjegjës për këtë janë shtetet anëtare. Megjithatë shumë vetë në Bruksel janë skeptikë në suksesin e kësaj nisme të komisionerit për gjuhët. Ky post duke iu shkëputur fushës së kulturës është hapur së pari në Janar 2007 me hyrjen e Rumanisë në BE. Leonard Orban përgjigjet:
"Aktivitetet e mija si komisioner janë një punë me orar të plotë. Detyra ime është nga njëra anë për të theksuar rolin politik të përdorimit të shumë gjuhëve dhe nga ana tjetër për ta lidhur atë me aspekte të tilla si konkurrenca, kultura qytetare, drejtësia dhe të tjera."

Nga ana ekonomike është një avantazh nëse firmat njohin gjuhën e klientëve të tyre dhe në këtë drejtim firmat e vogla dhe të mesme kanë akoma shumë për të bërë.

Nga ana tjetër Orban e pranon se në ekonominë globale anglishtja është kthyer në gjuhë të kinëzëve, indianëve por edhe të vetë evropianëve.

Karuzeli i gjuhëve të vogla në Evropë vazhdon të rrotullohet. Irlandishtja është futur që nga Janari si gjuhë zyrtare. Në rajonet e Spanjës si Katalonja dhe Baskët kërkohet që edhe gjuhët e tyre të bëhen gjuhë zyrtare. Në Evropë ka 40 gjuhë të tjera rajonale.

Leonard Orban tani është i preokupuar të gjejë përkthyes për gjuhët ekzistuese, sepse nuk ka shumë grekë që flasin finlandisht ose polakë që njohin portugalishten: "Përkthyesit vijnë kryesisht nga vendet anëtare. Unë dua t´i nxis këto vende të shkollojnë sa shumë të rinj në këtë fushë shumë të vështirë por edhe me shumë kërkesa."

Nuk është për t´u çuditur që konferenca e parë për shtyp e Leonard Orbanit arriti të përkthehej vetëm në 16 gjuhë, pra gjashtë më pak nga sa kërkohet teorikisht.