1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Evropian: Kosova me "përparime të kufizuara"

10 Nëntor 2010

Në raportin e progresit 60 faqesh të Komisionit Evropian për Kosovën, thuhet se në Kosovë ka pasur “përparim të kufizuar”, por ka ngecje në shumë fusha.

https://p.dw.com/p/Q3jo
Catherine Ashton me Peter Feith dhe Yves de Kermabon, shkurt 2010
Catherine Ashton me Peter Feith dhe Yves de Kermabon, shkurt 2010Fotografi: AP

Komisioni Evropian thotë se përparim është shënuar në procesin e decentralizimit dhe aty përmenden krijimi i disa komunave më shumicë serbe. Përparim i kufizuar thuhet se është shënuar edhe në fushën e drejtësisë, mirëpo, shqetësuese mbeten ndërhyrjet politike në këtë sistem.

Korrupsioni thuhet në raport është një fenomen shqetësues në Kosovë megjithë krijimin e disa mekanizmave siç është Agjencia antikorrupsionit. Thuhet se Kosova duhet të dëshmojë angazhimin e saj në luftën kundër kësaj dukurie, duke hetuar ndjekur dhe dënuar akterët në rastet e përfshirjes në korrupsion. Shpërlarja e parave mbetet një fenomen shqetësues. Trafiku i drogës është në një fazë të hershme, por që kërkohet angazhim serioz për ta luftuar, thuhet në raport.

Përparime të pakta janë shënuar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, thuhet në raport.

Edhe mediat dhe liria e shprehjes kanë qenë pika të raportit, ku thuhet se ndikimet dhe ndërhyrjet politike në media janë të mëdha gjë që nuk e garanton lirinë e shprehjes.

Shefi i zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë Renzo Davidi, në një konferencë për media të mbajtur në orët e mbrëmjes, kërkoi nga institucionet kosovare që të vazhdojnë reformat sepse ai ka vërejtur angazhim serioz të institucioneve për integrime evropiane.

Ai tha se ky angazhim duhet të materializohet. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës nuk kanë pranuar ta komentojnë raportin, përderisa ta marrin atë zyrtarisht nga komisioni evropian, që pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme. Mirëpo, reagime janë shënuar menjëherë nga partitë politike opozitare të cilat janë shprehur se ngecjet në raportin e progresit për Kosovën janë shumë më të theksuara nëse ato krahasohen me vendet e rajonit dhe këto kritika ato i drejtojnë në adrësë të qeverisë së Kosovës. Mirëpo, shefi i zyrës së komisionit evropian Renzo Davidi, i ka porositur partitë politike që mos ta shfrytëzojnë raportin e progresit për propagandë politike gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama