1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Evropian kritikon korrupsionin në Bullgari dhe Rumani

Gerhard Herter26 Tetor 2005

Sipas planit, Bullgaria dhe Rumania duhet të antarësohen në BE në vitin 2007, por pranimi mund të shtyhet për më vonë, nëse reformat nuk realizohen sipas parashikimeve.

https://p.dw.com/p/ArCu
Sofje
SofjeFotografi: Transit-Archiv

Komisioneri për çështje të zgjerimit të BE-së, Olli Rehn ka kritikuar korrupsionin e paraqitur në dy vendet. Dhe kjo kritikë është e drejtë.

Fjala është për një dimension, që kap shumën e 6 miliarde eurove. Për vetë BE-në, kjo është një shumë e madhe e parave, sidomos në këtë kohë. Rumania dhe Bullgaria, megjithatë nuk mund të heqin dorë nga gjashtë miliardët e premtuar. Në të kundërtën, anulimi i një ndihme të këtille do të thotë rrezikim i afrimit të këtyre vendeve me BE-në.

Mesazhi i BE-së është i qartë.

Qeveria e Rumanisë dhe ajo e Bullgarisë duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë të fuqishme, përndryshe në vitin 2007 nuk do të mund të jenë anëtarë të BE-së. Kjo është mirë. Komisioni Evropian nuk ka dëshmuar deri më tani se ka bërë shërbime të mëdha për shumicën e njerëzve në Rumani dhe Bullgari. Ka shumë njerëz që janë të bindur se është i domosdoshëm presioni i Brukselit, ndryshe asgjë në vendin e tyre nuk lëviz.


Nga përhapja e gjerë e korrupsionit përfitojne vetëm shtresat e caktuara, por për këtë çmimin e paguan shumica e popullsisë. Ryshfeti dhe vjedhja nuk kanë të bëjnë me mentalitetin ballkanik, por më shumë me paligjësinë, dhe varfërinë. Problemi në Ballkan është se akoma ndihen pasojat e trashëgimisë komuniste të mungesës së zhvillimit ekonomik dhe shfaqjes së dobësive të administratës publike.

Çmimin e korrupsionit e paguajnë të gjithë

Çdo njeri mund të ballafaqohet me korrupsionin, që nga kopshtet e fëmijëve deri tek spitalet. Dhurata në formë të ryshfetit për të pirë një kafe çdo kund mund të ndihmojë. Investitorët gjermanë dhe të huaj mund të rrëfejnë shumëçka në këtë drejtim, duke u bazuar në përvojat e tyre në vendet e Ballkanit. Mirëpo, është e ditur se nuk ka rregull pa përjashtime. Eshtë në natyrë të problemit, që investitorët e huaj të mos flasin për atë se sa para kanë paguar, si ryshfet për zyrtarët apo partnerët e tyre.

Në luftimin e korrupsionit hyjnë ngritja e pagave, pastaj pavarësia e gjyqeve, një vetëdije e hapur dhe në fund edhe roli i mediave, të cilat në rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë mund ta luftojnë korrupsionin. Qeveritë e këtyre dy vendeve i kanë marrë vendimet më të rëndësishme duke sjellë ligje të reja përmes parlamentit.
Në gjashtë muajt e ardhshëm do të shihet se a e janë serioze këto qeveri.
Nuk mjafton, që të fajësohen vetëm motrat medicinale, apo mësuesit. Ajo që duhet të ndodhë, është zbulimi i rasteve të korrupsionit, në politikë, tek zyrtarët e lartë, gjyqtarët dhe prominentt e tjerë. Sinjale të këtilla mungojnë si në Rumani ashtu edhe në Bullgari. Lufta kundër korrupsionit është temë e drejtë.