1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210410 EU Luftraum

22 Prill 2010

Bllokimi i transportit ajror në Evropë nuk do të kishte pasur këto përmasa nëse do të ekzistonte një hapësirë e njësuar ajrore evropiane. Komisioni i BE-së do të ngulë tani këmbë për hartimin e planeve përkatëse.

https://p.dw.com/p/N2o5
Një avion i Lufthansës në ulje pas rihapjes së hapësirës ajrore evropiane
Një avion i Lufthansës në ulje pas rihapjes së hapësirës ajrore evropianeFotografi: AP

Kompetencat mbi qiellin evropian do të njësohen

Një vullkan në Islandën e largët pështyn hi dhe transporti ajror në gjithë Evropën paralizohet për ditë të tëra. Punët nuk do të shkonin deri këtu, nëse në qiellin mbi Evropë do të kishte "më shumë Evropë". Kjo është diagnoza e Komisionit të BE-së, të cilën e artikulon zëdhënësja e Komisionit, Helen Kearns:

"Autoritetet kombëtare, në bazë të të njëjtave njohuri shkencore vendosin kufizime të ndryshme për fluturime, pasi kontrolli mbi hapësirën ajrore është kompetencë kombëtare dhe pra i copëzuar.“

Për komisionerin e BE-së për Transportet, Sim Kallas është e sigurtë se ky model i kompetencave të ndara mbi qiellin e përbashkët nuk është më bashkëkohor:

"Ne duhet të krijojnë urgjentisht një mekanizëm evropian."

Gjermania, Zvicra dhe Beneluksi - blloku i Evropës Qendrore

Ky mekanizëm quhet "hapësirë e njësuar ajrore evropiane" dhe në parim është vendosur qysh vite më parë. Synimi është të organizohet hapësira ajrore sipas flukseve të qarkullimit dhe jo sipas kufijve të vendeve të veçanta. Për këtë, në vend të 27 sistemeve kombëtare të kontrollit që ekzistojnë aktualisht, duhet të mbeten vetëm nëntë blloqe të mëdha ajrore. Gjermania do të formonte atëherë së bashku me Zvicrën dhe vendet e Beneluksit bllokun e Evropës Qendrore.

Veç kësaj duhet të krijohet një menaxhim rrjeti, i cili do të organizonte në mënyrë efektive rrugët e transportit ajror përmes kontinentit. Këtë detyrë mund ta kryente Eurocontrol-i, Organizata Evropiane për Sigurinë e Transportit Ajror me qendër në Bruksel. Aktualisht ajo merret vetëm me përcjelljen e informacioneve.

Me një menaxhues të tillë qendror të rrjetit, i cili mund të japë rekomandime obliguese, nuk do të ishin dashur katër ditë për vendimin e ministrave të BE-së për hapjen e pjesshme të hapësirës ajrore. Helen Kearns është e sigurt për këtë.

"Vendimi për të cilin u desh kohë nga e premtja deri të hënën në mëngjes, mbi bazën e një rekomandimi panevropian mund të ishte marrë brenda disa orësh.“

Njësimi i kontrollit do të shkurtonte fluturimet

Komisioneri për Transportet Kallas do të ushtrojë tani trysni që hapësira e njësuar evropiane të krijohet jo në 2012 sipas planit, por më parë. Javën e ardhshme ai do të paraqesë propozimet përkatëse.

Ky koncept do të sillte edhe avantazhe të tjera të rëndësishme: me anë të një planifikimi të arsyeshëm të rrugëve ajrore, fluturimet në Evropë do të shkurtoheshin mesatarisht me 50 kilometra. Kjo kursen karburant dhe ul sasinë e emetuar të dioksidit të karbonit.

Autor: Martin Bohne/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi