1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE-së anulon 68 projektligje

Bernd Riegert27 Shtator 2005

Si reagim ndaj kritikave të qytetarëve kundrejt Europës, Komisioni i Bashkimit Europian filloi një fushatë kundër burokracisë. Brukseli vendosi që fillimisht të anulojë 68 projektligje të cilat u konsideruan si të tepërta

https://p.dw.com/p/ArDF
Fotografi: BilderBox

Komisioni i BE-së vendosi, që të mos merret më me 68 projektligje, të cilat i konsideroi si të tepërta. Ky Komision mori në shqyrtim 187 projektligje të cilat janë përpiluar pas 1 janarit të vitit 2004.
Megjithë këto shkurtime, aktualisht mulliri legjislativ i Komisionit të Bashkimit Europian, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit të BE-së ka në veprim rreth 700 ligje dhe direktiva se si duhet të funksionojë BE-ja.
Komisari i Bashkimit Europian për industrinë, Günter Verheugen, i cili është përgjegjës për lehtësimin e rregulloreve tha përpara Parlamentit Europian, se 68 ligjet,,të cilat quhen si të tepërta janë vetëm hapi i parë drejt rrugës për çburokratizimin e organeve të BE-së.

"Me këtë projekt ne po përpiqemi të ndjekim dy qëllime: Të forcojmë besimin e qytetarëve në integrimin europian dhe t'i kundërvihemi përshtypjes se BE është një monstër burokratike që synon të rregullojë gjithçka." - tha Verheugen.

68 ligjet të konsideruara si të kota, kanë të bëjnë me të gjithë sektorët politikë. Megjithatë shumica e tyre lidhen me sektorët e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe politikat industriale. Sipas të dhënave nga qarqet e Bashkimit Europian Gynter Verheugen nuk e pati të lehtë të bindë kolegët, për të hequr dorë nga projektligjet që kishin të bënin me sektorët e tyre.
Megjithë këtë aksion ligjet tepër të diskutueshme për liberalizimin e ligjeve të sektorit të shërbimeve si dhe ato për kohën e punës në vendet e Bashkimit Europian do të vazhdojnë të ndiqen më tej.

Gjithsesi me vendim të Komisionit të gjitha ligjet e ardhshme që do të propozojë Komisioni i BE-së, do të kontrollohen fillimisht në lidhje me pasojat që mund të kenë ato në forcën konkuruese të Bashkimit Europian.

Në lidhje me këtë Verheugen tha: "Në radhë të parë, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme presin urgjentisht që të lehtësohen prej barrës së rregulloreve dhe dispozitave. Dhe kjo mund të arrihet vetëm në rast se ne e luftojmë burokracinë, heqim dorë prej ligjeve të kota dhe ofrojmë kuadër ligjor modern. Në këtë mënyrë kemi mundësi të sigurojmë që Europa të mbetet vend ku të ketë industri dhe do të sigurojmë dhe shanset në kuadrin e konkurencës globale."
Ndër ligjet që do të anulohen është ai për unifikimin e ndalimit të qarkullimit të kamionëve në rrugët e Bashkimit Europian gjatë ditëve të diela. Për këtë ligj në rradhët e Bashkimit Europian po diskutohet që prej vitit 1998.

Kryetari i Grupit parlamentar të socialistve, Martin Shulz kritikoi faktin që Komisioni nuk kishte marrë mendimin e Parlamentit kur ishte fjala për përpilimin e listës së ligjeve të anuluara.


Aksioni për kontrollin e ligjeve të Bashkimit Europian nuk do të kufizohet vetëm në projektligjet e reja por edhe në kontrollin e mijra ligjeve dhe rregulloreve që ekzistojnë brenda Bashkimit Europian të cilat janë aprovuar gjatë dekadave të tëra të zhvillimit të tregut të brendshëm të BE-së.