1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kompromis që konsolidon status quo-në"

7 Shtator 2009

Takimi i përfaqësuesve të G-20-ës në Londër në fokus të shtypit gjerman

https://p.dw.com/p/JTgH
Takimi i ministrave të financave të vendeve të G-20-ës, Londër më 05.09.2009Fotografi: AP

Përfundimin e takimit të ministrave të financave të G-20-ës në Londër, gazeta "DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN" e komenton:

"Kompromisi i gjetur nga ministrat e financave të G-20-ës nuk është më tepër se gjetja e emëruesit më të vogël të përbashkët. Një kompromis laraman, i cili më tepër e konsolidon status quo-në. Fajin për këtë e kanë interesat e ndryshme nacionale. Një kufi maksimal për kompensimet e bankierëve, siç e kërkojnë atë Merkeli dhe Sarkozia nuk mund të arrihet me SHBA-në dhe Anglinë. Lobi financiar në këto vende është tepër i fuqishëm. Veprime individuale gjermane nuk priten. ...

Para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani do të dëgjohen edhe disa kërkesa politikanësh. Pastaj do të zerë vend siguria, se kufizimi i kompensimeve mund të ishte i barabartë me fundin e vendit tënd si zonë ekonomike. Nëse ndodh me të vërtetë kjo, atëherë shansi për të mësuar nga krizat mund të quhet i hedhur dëm."

Komentatori i revistës "DER SPIEGEL" është më optimist dhe sheh me interes takimin në SHBA:

"Mosmarrëveshja për pagesat e kompensimeve ka shumë mundësi që të shkaktojë përplasje në Pitsburg. Sepse gjermanët dhe francezët janë të vendosur ta bëjnë situatën model për të nxjerrë mësime. Kriza financiare ka qenë kaq " e tmerrshme për shoqëritë tona", sa bota vazhdon të vuajë nën pasojat, tha ministrja franceze e Financave, Kristin Lagard (Lagarde). Prandaj është afër mendsh që presidenti francez, Nikola Sarkozi (Sarkozy) të ndërmarrë në Pitsburg një përpjekje tjetër për të caktuar me ligj një tavan maksimal për kompensimet. Ndoshta ai kërcënon madje me largim të parakohshëm nga konferenca - si në prill në Londër."

Autor: DPA / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora