1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e OKB-së për klimën

15 Maj 2006

Nën drejtimin e OKB-së qysh nga e hëna (15.05) në Bon zhvillon punimet raundi i ri i bisedimeve për masat e mëtejshme kundër katastrofës kërcënuese të klimës. Pjesëmarrësit janë 189 palët kontraktuese të Konventës së Klimës të OKB-së (UNFCCC) dhe 159 nënshkruesit e Protokollit të Kiotos.

https://p.dw.com/p/Aqpz
Njolla e opzonit në atmosferë, pasojë e ngrohjes së klimës
Njolla e opzonit në atmosferë, pasojë e ngrohjes së klimësFotografi: AP

Për dymbëdhjetë ditë me radhë do të diskutohet në Bon, se si do të vazhdohet më tej pas vitit 2012, kur skadon afati i përmbushjes së detyrimeve të Protokollit të Kiotos dhe si mund të involvohen në këtë proces edhe vendet në zhvillim dhe ato të industrializuara.

Kioto ishte një fillim i mirë për t´i detyruar vendet e industrializuara, që të ulin kuotën e emisioneve të dioksidit të karbonit në atmosferë. Shtetet, që kanë nënshkruar Protokollin e Kiotos kanë afat edhe gjashtë vjetë për t´i përmbushur kriteret e tij. Me këtë protokoll OKB-ja ka krijuar një instrument, që njëkohësisht ka efektin ekologjik dhe ekonomik, sepse çlirimi i emisioneve të dioksidit të karbonit ka edhe një çmim, pra ai kushton.

Përderisa ekonomia ka nevojë për sigurinë e planifikimit, duhet të bëhet e qartë, se si do të jetë ecuria pas vitit 2012 sa u përket çmimeve dhe kostove për mbrojtjen e klimës. Ndonëse në samitin e fundit për klimën në Montreal u vendos që Protokolli i Kiotos të vazhdojë edhe pas 2012-ës, detajet duhet të përcaktohen tani gjatë konferencës në Bon.

Ministri gjerman i mjedisit Zigmar Gabriel lidhur me qëllimet e konferencës, ku marrin pjesë rreth 200 ekspertë thekson: "Së pari, pas fundit të periudhës së parë të detyrimeve të Protokollit të Kiotos nuk duhet të ketë vonesa, por një periudhë të dytë detyrimesh, në mënyrë që të instalohet në vazhdimësi një sistem i tregut të lëndëve djegëse."

Rreth 1.8 miliardë njerëz në botë s´kanë akses tek asnjë lloj forme e energjisë, kryesisht kjo në vendet në zhvillim dhe në vendet që po avancojnë drejt nivelit të industrializimit. Por zhvillimi i nevojshëm ekonomik i këtyre vendeve duhet shkëputet sa më shpejt prej rritjes së emisioneve të gazit, nëse synohet që të mos kemi ngorhje të mëtejshme të klimës. Për këtë konferenca që zhvillon punimet në Bon i ka vënë qëllim vetes të intensifikojë dialogun midis këtyre vendeve dhe vendeve të industrializuara. Protokolli i Kiotos u jep mundësi ndërmarrjeve në vendet e industrializuara që të realizojnë projekte për mbrrojtjen e klimës në vendet në zhvillim dhe të angazhohen për reduktimin efektit të serës duke ulur emisionet e gazrave në atmosferë.

Siç vë në dukje ministri gjerman i mjedisit, Gabriel, gjatë dymbëdhjetë ditëve të konferencës në Bon, synohet që: "Të gjenden rrugë për afrimin edhe të ShBA në Protokollin e Kitos, që deri tani nuk e kanë pranuar atë ndonëse kanë nënshkruar Konventën për Klimën. Ky është një proces i vështirë, por absolutisht i domosdoshëm, nëse duam që të shmangim pasojat kërcënuese të ngrohjes së klimës."

Në rrugën drejt një klime më të mirë një gurthemeltar do të jetë edhe samiti i ardhshëm i OKB-së që i zhvillon punimet në nëntor në Nairboi të Kenias.

Në kuadër të konferencës në Bon u bë e ditur, edhe se Gjermania qysh tani e ka realizuar kuotën e detyrueshme për vitin 2012 të emisioneve të gazrave me 21për qind nën nivelin e vitit 1990. Në fund të vitit 2005 çlirimi i gazrave të industrisë gjermane ka qenë 19 për qind nën nivelin e 1990. Këtë e komunikoi enti federal i mjedisit në Gjermani.