1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e OKB-së për ushqimin

Xhani, Eliana4 Qershor 2008

Në Romë nisi të martën punimet samiti i Kombeve të Bashkuara për ushqimin në botë . Shtypi gjerman komenton mjerimin rreth 850 milionë njerëzve që vuajnë nga uria dhe bën thirrje për të vepruar sa më shpejt.

https://p.dw.com/p/EDSJ
Ban Ki Moon në konferencën e OKB-së për ushqimin RomëFotografi: AP

Gazeta "Berliner Kurier" komenton: "Ka një rregull të thjeshtë e të trishtueshëm: sa më shumë njerëz të jetojnë në glob aq më i madh është mjerimi. Të gjitha fjalët e mira dhe deklaratat e dekadave të kaluara nuk kanë dhënë fryte. Nuk ka më pak por më shumë uri. Një bombë me sahat e cila nuk mund të deaktivohet as në Romë. Disa politikanë mendojnë se ky takim është i panevojshëm pasi faktet janë të njohura prej kohësh. Por pikërisht pse faktet janë të njohura dhe përkeqësohen është e rëndësishme konferenca për urinë. Duhet folur për këtë por para së gjithash duhet vepruar më shumë."


Edhe "Stuttgarter Zeitung" vë në dukje se ka ardhur koha për të vepruar:"Drama sot nuk zhvillohet diku larg në botën e tretë; me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburantit trysnia e mjerimit është rritur edhe vetë në zemrën e Europës. Tani relacionet globale që dhjetë vjet më parë u interesonin si ushtrim humanizmi në një shitore me mallra nga vendet në zhvillim vetëm disa klientëve ndihen papritur mbi lëkurë nga të gjithë. Por tani që perceptimi dhe të kuptuarit janë shtuar në masë kaq të madhe është shtuar dhe shansi për veprime konkrete. Koha nuk pret më."


Mbi të njëjtën temë shkëpusim nga "Kölnische Rundschau": "është një nga skandalet më të mëdha të historisë së njerëzimit që në shekullin e 21-të vuajnë nga uria 860 milionë vetë, ose një në tetë banorë të globit. Shkaqet janë shumë të ndryshme ashtu si dhe metodat e zgjidhjes. Natyrisht ashtu siç ndodh regullisht në kriza akute duhet të vihet në punë makineria e organizatave ndërkombëtare për të shpëtuar sa më shumë jetë me ndihmë emergjente. Por kjo nuk mjafton. Në periudhë afatgjatë të varfërve iu shërbehet vetëm nëse aftësohen t'i vijnë vetë vetes në ndihmë dhe u sigurohen kushte të ndershme tregtie. Zgjidhja e krizës së urisë është në rradhë të parë një detyrim i njërëzimit por edhe vetëmbrojtje. Nëse numri i refugjatëve të mjerimit nuk duhet të rritet me përmasa shpërthyese në shoqëritë perëndimore është i domosdoshme parandalimi efektiv.