1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e parë për dialogun me fenë islame në Gjermani

28 Shtator 2006

Me iniciativën e ministrit të brendshëm gjerman, Wolfgang Shäuble u zhvillua në Berlin konferenca e parë për hapjen e dialogut me myslimanët që jetojnë në Gjermani. Kjo është një nga temat më të komentuara në shtypin e sotëm.

https://p.dw.com/p/Arnk

Gazeta e Berlinit "Tageszeitung" shënon: "S´ka diskutim, samiti për Islamin është një ngjarje historike. Deri më sot shtetit i ka munguar një partner bisedimesh, që të jetë në gjendje të përfaqësojë 3,2 milionë myslimanët në Gjermani. Katër shoqatat e mëdha mbikqyrëse të myslimanëve duan tani që të bashkëpunojnë. Shembulli i Francës tregon, se një këshill i tillë nuk mund të urdhërohet nga lart. Atje kolegu i ministrit të brendshëm Sheuble, Sarkozi dështoi me përpjekjen për ta mbuluar sipas shijes së vet këtë këshill, sepse askush nuk e ndjente veten të përfaqësuar. Ky gabim nuk duhet të përsëritet në Gjermani. Shäuble duket për fat të mirë, se është i vetëdijshëm për këtë", komenton "Tageszeitung".

Në të përditshmen "Stuttgarter Zeitung" lexojmë: "S´ka altenativë veçse me durim të inkurajosh forcat e moderuara mes myslimanëve dhe fenë islame të pajtueshme me vlerat evropiane. Rruga drejt kësaj është e gjatë dhe natyrisht myslimanët duhet të dëshmojnë shumë. Nëse ne kërkojmë pa emocione që të pranohen vlerat tona, kjo është një shenjë e forcës dhe jo e dobësisë. Mesazhi duhet të jetë: myslimanët janë pjesë e shoqërisë sonë. Ato kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime. Nëse në të kundërt myslimanët radikalë duan t´i thellojnë humnerat, atëherë nuk duhet të gërmojmë më tej. Rendi ynë i lirisë nuk është kaq i lëkundshëm, sa të na duhet vazhdimisht të mbrohemi me poza të mëdha ndaj një kërcënimi konfuz e ndonjëherë të ekzagjeruar islamik", nënvizon "Stuttgarter Zeitung".

Nga artikulli i "Main Echo" që botohet në Ashafenburg shkëpusim: "Politika, që me shumë vonesë po angazhohet për këtë temë, mund të aktivizohet pjesërisht duke dhënë oferta, duke treguar perspektiva, duke përcaktuar kuadrin, por edhe duke treguar kufijtë. Gatishmërinë për kthesë në ndërgjegje duhet ta shprehin vetë të prekurit. Elitat myslimane janë të detyruara, si udhëheqësit fetarë ashtu edhe intelektualët, që t´u mësojnë njerëzve të besimit të tyre, se jeta në botën perëndimore dhe islami nuk e përjashtojnë njeri-tjetrin, se ndarja e kishës nga shteti nuk është kundër besimit dhe se shteti sekularist nuk është i populluar prej jobesimtarëve. Myslimanët në Gjermani e kanë vetë në dorë, nëse duan të mbeten robër të botës së tyre, apo duan të bëhen myslimanë gjermanë. Me të gjitha të drejtat dhe detyrimet", tërheq vëmendjen "Main Echo".

Gazeta "Kölnische Rundschau" komenton: "Nuk duhet të kemi iluzione. Hapja e butë e konferencës për Islamin në Berlin nuk presupozon liçencën për rrugën pa pengesa drejt suksesit. Kjo pasi ajo që përfaqësuesit e shoqatave myslimane nënkuptojnë me jetën siç e ka shkruar Zoti s´ka të bëjë me të përditshmen e realitetit në jetën tonë. Islami duhet të përpiqet shumë për punën sqaruese, nëse do të ambientohet tek ne në Evropë, thotë ministri i brendshëm Shäuble. Me këtë ai ka plotësisht të drejtë, por ky është një proces që do të zgjasë. Vetëm me disa deklarata për pranimin e ligjit themelor dhe heqjen dorë prej dhunës nuk është fituar shumë", shkruan "Kölnische Rundschau".

Së fundi edhe një citat nga komenti i "Leipziger Volkszeitung": "Fillimisht u zhvillua samiti për integrimin, pasoi konferenca për Islamin - të gjitha këto tingëllojnë mirë, por shumë mbeten në kuadrin e aksionizmit. Sepse për fat të keq në tryezën e ministrit Shäuble nuk ulen ata, për të cilët vërtetë bëhet fjalë: islamistët e gatshëm për dhunë. Këta parimisht refuzojnë çdo bisedë me Perëndimin dhe preferojnë të dëgjojnë ata që predikojnë urrejtjen. Ajo që e vështirëson edhe më shumë situatën është, se janë shumë pak ekspertë të Islamit, që përfaqësojnë myslimanët në Gjermani. Pavarësisht nga ky pështjellim zërash qëllimi duket si një detyrë harmonike shoqërore. Shpresa ka. Së paku nuk flitet më për tjetrin, por me njëri-tjetrin. Më shumë vullnet për integrim dhe më shumë mirëkuptim për kulturën dhe vlerat gjermane, do të përbënin një bazë të mirë për një dialog serioz", vëren "Leipziger Volkszeitung".