1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti i flotiljes: Acarohen marrëdhëniet Turqi - Izrael

2 Shtator 2011

Rindizet konflikti mes Turqisë dhe Izraelit mbi sulmin e marinës izraelite në maj 2010. Izraeli ka refuzuar të kërkojë ndjesë për incidentin, ndërkohë Turqia reagoi duke tërhequr ambasadorin e saj nga ky vend.

https://p.dw.com/p/12SHL
Ahmet Davutoglu, ministri i Jashtëm turk
Ahmet Davutoglu, ministri i Jashtëm turkFotografi: picture alliance/abaca

Turqia ka dëbuar nga vendi ambasadorin e Izraelit, në mosmarrëveshjen rreth sulmit të marinës izraelite ndaj një autokolone me ndihma për Rripin e Gazës në maj 2010. Njëkohësisht, të gjitha marrëveshjet ushtarake me Izraelin hë për hë pezullohen, tha ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu në Ankara. Nga ana e tij presidenti turk, Abdullah Gyl kërcënoi me hapa të tjerë të vendit të tij në konfliktin e sulmit ndaj flotiljes së Rripit të Gazës. Ai i kërkoi Izraelit të ndërmarrë diçka për paqen dhe stabilitetin, ka bërë të ditur agjencia turke, Anadolu. "Në varësi të zhvillimeve të tjera dhe qëndrimit të Izraelit, mund të ndërmerren hapa të tjerë", citohet presidenti turk. Edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta marrë këtë parasysh.

Sulmi izraelit kundër flotiljes solli vdekjen e nëntë aktivistëve turq
Sulmi izraelit kundër flotiljes solli vdekjen e nëntë aktivistëve turqFotografi: picture-alliance/dpa

Jeruzalemi këmbëngul në qëndrimin e tij

Turqia ngul këmbë për një falje zyrtare, gjë që qeveria e Jeruzalemit e refuzon. Të premten (02.09) Izraeli e refuzoi edhe njëherë kërkesën për falje, Jeruzalemi shpreh keqardhjen për vdekjen e nëntë aktivistëve turq, dhe shpreson për një normalizim të marrëdhënieve me Ankaranë, thuhet zyrtarisht.

Gazeta "NewYork Times" botoi të enjten një raport hetimor të OKB-së. Në të, autorët arrijnë në përfundimin që bllokada detare izraelite ishte e ligjshme. Por angazhimi i ushtrisë kundër flotës me ndihma, gjatë të cilës u vranë nëntë aktivistë turq, ishte joproporcional dhe pa vend, konstatohet në raport. Ankaraja e pati tërhequr ambasadorin e saj nga Tel Avivi menjëherë pas incidentit.

Autor: dpa/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi