1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti i interesave është shumë i madh kur bëhet fjalë për Kinën

Pandeli Pani11 Nëntor 2005

Në qendër të vëmendjes së shtypit të sotëm gjerman është vizita në Berlin e presidentit kinez Hu Jin Tao si dhe bisedimet mes partive më të mëdha në Gjermani për përcaktimin e programit qeverisës të koalicionit të madh në vend.

https://p.dw.com/p/Arsv
Don't Mention The Human Rights
Don't Mention The Human RightsFotografi: AP

Vizitat e personaliteteve kineze në Gjermani dhe në Evropën Perendimore zhvillohen gjithmonë në një atmosferë konfliktuoze, mes qëndrimit kritik ndaj shkeljeve të ligjeve të konkurrencës si dhe të drejtave të njeriut në Kinë, dhe interesave ekonomike për tregun e jashtëzakonshëm kinez.

Në lidhje me këtë temë të ndjeshme në gazetën "Fuldaer Zeitung" lexojmë:

"Konflikti i interesave është tepër i madh, sepse perandoria gjigande kineze është një treg jashtëzakonisht i madh për industrinë gjermane. Ekonomia kineze ka disa vite që po përjeton një bum dhe bosët e koncerneve gjermane duan të përfitojnë sa më tepër prej kësaj. Prandaj çështje të tilla si pirateria e prodhimeve, vjedhja e patentave dhe e teknologjive apo përdorimi në Kinë i teknologjive që shkatërrojnë ambientin, duhet të dikutohen pa doreza dhe para së gjithash edhe të zgjidhen. Ekonomia gjermane humbet çdo vit miliarda euro prej prodhimeve plagjiate të përgatitura në Kinë. Për këtë marrëveshjet ekonomike me një vëllim prej 1,4 miliardë eurosh që po nënshkruhen nuk janë gjë tjetër vetëm se një lloj kompensimi për mashtrimet kineze në fushën e ekonomisë."

Po për të njëjtën temë në gazetën "Këlner Stadtanzeiger" lexojmë:

"Që prej 20 vjetësh, kur është fjala për Kinën çdo qeverie gjermane fillojnë t'i shkëlqejnë sytë. Interesi për të qenë pjesë e tregut kinez me një rritje tepër të shpejtë është tepër i madh. Megjithatë me largimin e Gerhard Shrëderit nga posti i kancelarit pritet të ketë ndryshime, sepse Shrëderi ishte një nga përkrahësit më të mëdhej të heqjes së embargos së armëve ndaj Kinës. Nga ana tjetër, ekonomia mund të luajë rolin e saj për ta çuar përpara krijimin e shoqërisë civile në Kinë. Ai që bën tregëti me Kinën duhet të ngulë këmbë që në vend të sundojë sistemi i drejtësisë. Përndryshe spiunazhi industrial dhe pirateria e produkteve të sanksionuara prej shtetit do ta shndërronin në rrezik të madh çdo lloj angazhimi në këtë vend."

Gazeta "Handelsblatt" që botohet në Dyseldorf shpreh mendimin, se edhe qeveria e ardhshme gjermane nuk duhet të hyjë patjetër në koalicion me SHBA-të kundër Kinës, sepse marrëdhëniet kinezo-gjermane bazohen edhe në interesa ekonomike:

"Gjermaninë dhe SHBA-të i bashkon interesi që Kina të zhvillohet edhe më tej dhe të transformohet në një demokraci në rrugë paqësore. Për këtë arsye çështje të tilla si heqja e embargos së armëve duhet të trajtohen bashkarisht, që me kohë. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se nga pikëpamja ekonomike gjermanët dhe amerikanët mund të jenë konkurrentë dhe të përfaqësojnë pozione të ndryshme. Qeveria e ardhshme gjermane duhet t'i bëjë rezistencë çdo lloj presioni të superfuqisë amerikane, për të ngritur një front të përbashkët të Perëndimit kundër perandorisë gjigande aziatike."

Kalojmë në temën tjetër. Në lidhje me vazhdimin e bisedimeve për programin e qeverisjes së koalicionit të madh në Gjermani, në gazetën "Schwäbische Zeitung" që botohet në Leutkirch lexojmë:

"Politikanët, të cilëve nuk mund t'u kesh besë, dhe që nuk janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që kanë për Gjermaninë, po e zhysin vendin në një kaos politik. Që prej 22 majit Gjermania nuk ka qeveri të aftë për të vepruar dhe aktualisht ende nuk është e qartë, se kur do ta kemi një qeveri të tillë. Nga ana tjetër problemet e shoqërisë sonë janë më të mëdha se kurrë. Thirrini mendjes!"

Ndërsa gazeta taz që botohet në Berlin e përqendron vëmendjen tek financat e shtetit gjerman:

"Programi i koalicionit të madh duket sikur është një aksion për të dënuar qytetarët e këqinj, ata që nuk kanë lindur shumë fëmijë, që kanë punuar pak, që kanë përfituar nga ndihma sociale dhe që nuk shpenzojnë shumë para. Prandaj qeveria mendon se duke bërë shkurtime të mëtejshme, këta do të shpenzojnë më tepër dhe kështu ekonomia do të shënojë rritje. Ndoshta ide të tilla janë tepër të thella për t'u kuptuar, por realizimi i tyre është tepër i pamundur. Po nuk pati konsum, ky s'mund të çojë në rritje ekonomike. Dhe pikërisht mungesa e rritjes ekonomike është edhe shkaku i shumicës së problemeve: papunësisë, gjendjes së vështirë të sigurimeve shoqërore dhe deficiteve në arkat publike."