1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

US-Republikaner Parteitag

Christina Bergmann 2 Shtator 2008

Uragani Gustav e shkurtoi ndjeshëm kohën e kongresit të republikanëve për caktimin zyrtar të kandidatit për president. Vetëm dy orë u mblodhën të deleguarit në St.Paul të Misurit, më shumë për të qenë konform protokollit

https://p.dw.com/p/F99Y
Laura Bush, (majtas) dhe gruaja e kandidatit pë president, Mekkein, Cindy Mekekin, duke folur në kongresin e republikanëve.Fotografi: AP

Presidenti Xhorxh W. Bush e kishte anuluar një ditë më parë pjesëmarrjen e tij. Fjalime politike thuajse nuk pati fare në ditën e parë të kongresit në St.Paul. Fillimisht duhej hapur sipas rregullores kongresi i partisë. Tema predominuese në sallë ishte uragani Gustav. Guvernatorëve të shteteve të Teksasit, Alabamës, Floridas dhe Misisipit iu desh të kujdeseshin për masat e mbrojtjes nga katastrofa dhe i dërguan fjalët e tyre përshëndetëse me mesazhe video. Guvernatori i Luizianës Bobby Jindal ishte shumë i zënë edhe për një mesazh të tillë. Adresat e internetit për mbledhjen e kontributeve për shtetet e prekura ishin të dukshme në muret e sallës dhe zonja e parë Laura Bush dhe bashkëshortja e kandidatit Mekkein, Cindy i vunë në shërbim të kësaj kauze paraqitjet e tyre përpara delegatëve. Laura Bush tha: "Kur ndodhin të tilla ngjarje ne kujtohemi se në rradhë të parë jemi të gjithë amerikanë dhe idealet tona i kapërcejnë kufijtë partiakë. Ne shpresojmë që njerëzit në bregun e Gjirit e dinë se të gjithë amerikanët po bëjnë ç'është e mundur për t'iu ardhur atyre në ndihmë."

USA Republikaner Wahlen Sarah Palin und John McCain
Sarah Pelin, e zgjedhura e MekkeinitFotografi: AP

Zgjedhja e Mekkeinit, Sarah Pelin dhe vajza e saj shtatzënë

Por tema mbizotëruese në medie ishte në këtë ditë kandidatja për zv/presidente, Sarah Pelin. Xhon Mekkein e zgjodhi atë edhe sepse si nëna e pesë fëmijëve ajo simbolizon vlerat tradicionale të krishtera. Por të hënën (1.9.) guvernatorja 44-vjeçare e Alaskës bëri të ditur se vajza e saj 17-vjeçare është shtatzënë në muajin e pestë dhe planifikon të martohet me babain e fëmijës. Kandidati demokrat Barak Obama refuzoi të bënte komente për këtë temë: "Familjet e kandidatëve duhet të jenë tabu, kjo vlen para së gjithash për fëmijët. Për këto nuk duhet të diskutojmë pasi kjo çështje nuk ka asnjë rëndësi për aftësinë e guvernatores Pelin në detyrën e saj apo për aftësinë e saj për postin e zv/presidentes." Ai kujtoi se nëna e tij kishte qenë 18 vjeç kur lindi Obamën.

USA Republikaner Wahlen Sarah Palin mit Ehemann
Sarah Pelin me bashkëshortin e saj, Tod Pelin, (foto e vitit 2006)Fotografi: AP

Të deleguarit në sallë reaguan me mirëkuptim ndaj lajmit. Shumë të deleguar folën me admirim për Sarah Pelin. Kështu edhe 52-vjeçarja Shirial Lousan (Sherial Lawson) nga Teksasi, e cila u gëzua për zgjedhjen e Pelin: "Jam shumë e gëzuar. Unë kam vrarë mendjen shumë se kë do të zgjidhte Mekkein por me siguri që nuk mund të kishte bërë zgjedhje më të mirë. Sa më shumë lexoj për të aq më shumë më hyn në zemër. Pelin do të mobilizojë bazën."

Lousan numëron edhe vetitë që i pëlqejnë tek guvernatorja Pelin: "Ajo është grua, është nënë, është kundër abortit dhe jo vetëm me fjalë. Asaj iu këshillua të abortonte fëmijën e pestë që vuan nga sindroma Down. Por nëse ne e konsiderojmë jetën të vlefshme kjo duhet të jetë e vërtetë në çdo rast. Ajo është një grua që ka luftuar korrupsionin në detyrën e saj. Një grua që jo vetëm flet për ndryshim por që mund të dëshmojë se ka ndryshuar gjërat pozitivisht."

Edhe deputeti Roi Blant (Roy Blunt) mendon se Sarah Pelin simbolizon ndryshimin ndryshe nga i zgjedhuri i Barak Obamës për zv/president Xho Bajden (Joe Biden) i cili është për Blant një përfaqësues i politikës së vjetër të Uashingtonit:

"Tema kryesore për momentin është ekonomia dhe politika energjitike. Sarah Pelin di shumë në këtë fushë. Ajo ka kontrolluar industrinë energjitike në një pjesë të Amerikës që prodhon 20 për qind të sasisë së përgjithshme në SHBA. Ajo ka finalizuar projekte naftësjellësish që kishin mbetur në vend prej 30 vjetësh. Dhe sa i takon politikës së jashtme ajo ndodhet në të njëjtin pozicion me senatorin Obama."

Por Sarah Pelin duhet të luftojë edhe me të tjera histori nga e kaluara e saj. Ajo akuzohet se ka bërë presion për shkarkimin e një shefi policie për arsye familjare. Pelin ka marrë një avokat dhe është ngritur një komision hetimor, i cili pritet t'a paraqesë raportin e tij pak ditë përpara zgjedhjeve presidenciale më 4 nëntor.