1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210510 US Finanzmarktreform

21 Maj 2010

Reforma kapërceu një pengesë të rëndësishme: Senati miratoi paketën e ligjeve me 59 vota pro dhe 39 vota kundër. Projektligji parashikon rregulla më të rrepta të mbikqyrjes bankare.

https://p.dw.com/p/NTuY
Presideni i SHBA Barack Obama duke folur për ekonominëFotografi: AP

Gjatë votimit pati 60 po dhe 40 Jo. Kështu vendimi u mor, tha senatori nga Ilinoisi Roland Burris. Ai mban kryesinë e Senatit në kohën, kur reforma në sektorin financiar në SHBA kapërceu pengesën më të vështirë parlamentare. Pas një debati rreth trijavor Senati në SHBA mbylli konsultimet dhe Presidenti Obama është në rrugë të mirë për të arritur një tjetër sukses në politikën e brendshme.

Obama u shpreh i kënaqur pas vendimit të Senatit dhe dha një deklaratë të shkurtër, ku nuk mungoi kritika ndaj sektorit financiar amerikan:

"Vitin e kaluar industria financiare është përpjekur vazhdimisht të ndalojë këtë reformë, me morinë e lobiistëve dhe reklama prej miliona dollarësh. Sot mund të thuhet se industria e financave dështoi në këto përpjekje."

Roland Burris
Senatori nga Ilinoisi Roland BurrisFotografi: AP

Tre republikanë e mbështetën projektligjin e shumicës demokratike, ndër ta edhe deputeti i ri nga Masaçusets Scott Braun. Dy demokratë votuan kundër, pasi për ta reforma nuk shkon aq larg sa duhet.

Mbikqyrje më e rreptë për bankat

Në paketën e ligjeve me një volum prej 1.500 faqesh parashikohen ndër të tjera mbikqyrje më e rreptë për bankat dhe shoqëritë e sigurimeve, si dhe mundësia për të mbyllur ato banka, falimentimi i të cilave mund të çonte në greminë botën e financave në SHBA. Veç kësaj ligji parashikon ngritjen e një autoriteti për mbrojtjen e konsumatorëve, e cila duhet të pengojë abuzimet nga firmat e kartave të kreditit dhe bankat e hipotekave. Edhe kontrolli i tregtisë me instrumenta financiarë derivativë do të ashpërsohet.

Derivatet janë instrumenta financiarë, vlera e të cilave përcaktohet nga zhvillimi i kurseve të aksioneve, apo çmimeve të lëndëve të para. Parlamentarët amerikanë nuk arritën të ndalonin edhe të ashtuquajturat "shitje boshe". Edhe ndarja e aktivitetit normal bankar nga ai i një banke investimesh nuk do të aplikohet.

Scott Brown gewinnt Wahl in Massachusetts Senat
Deputeti i ri nga Masaçusets Scott BraunFotografi: AP

A do t'u ndalohet ndërmarrja e transaksioneve spekulative për llogari të vet?

Çështja, nëse në të ardhmen bankave mund t'u ndalohet ndërmarrja e transaksioneve spekulative për llogari të vet, që kërkohet nga disa demokratë të krahut të majtë të partisë, ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare. Për këtë do të zhvillohen edhe më tej konsultime.

Kryetari i grupit demokrat në Senat, Harry Reid, u shpreh se ndryshe nga vendimet e mëparshme, në rastin e këtij ligji pati një bashkëpunim të mirë mes demokratëve dhe republikanëve:

"Mendoj se ky ishte një debat i mirë. Kështu duhet të punohet në Senat më shpesh. Ky është një sinjal i mirë për të ardhmen."

Miratimi përfundimtar i reformës së tregut financiar në SHBA ka ende rrugë përpara.

Në një hap të parë duhet të harmonizohen në një ligj të vetëm projekti i Senatit me projektligjin e dhomës së përfaqësuesve, i cili shkon shumë më thellë. Më pas të dy dhomat duhet të votojnë edhe një herë për të, përpara se presidenti Obama të fusë në fuqi me firmën e tij paketën e ligjeve. Sipas vëzhguesve në Uashington kjo mund të zgjasë deri në fund të korrikut.

Autor: Rüdiger Paulert/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica