1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsion në administratën e lartë publike në Shqipëri

30 Nëntor 2010

Korrupsioni në administratën e lartë publike mbetet një nga fenomenet më të kritikuara në raportin e fundit të Komisionit Europian lidhur me progresin demokratik të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/QLfD
Korrupsioni në Shqipëri një fenomeni mjaft i kritikuar
Korrupsioni në Shqipëri, një fenomeni mjaft i kritikuarFotografi: AP Photo

Çdo vit zyrtarët e lartë duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryemnistri, Kryetarja e Parlamentit dhe vazhduar më tej me ministra, deputetë, kryetarë bashkish, etj kanë detyrimin ligjor të deklarojnë të ardhurat dhe pasuritë e tyre, në respekt të ligjit për konflikt interesi. Deklarimet bëhen në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një institucion ky i pavarur, i ngritur në vitin 2003, për të luftuar korrupsionin.

Detyrimin për deklarim të interesave private e kanë rreth 4500 zyrtarë të lartë, kryesisht ata që janë në pozicione të larta vendimmarrëse, pasi detyra e tyre mund të bëhët bazë për abuzim me pushtetin dhe përfitim të paligjshëm të të ardhurave” thotë për DW, Adriatik Llalla, kryeinspektori në këtë institucion.

Adriatik Llalla, Kryeinspektor në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
Adriatik Llalla, Kryeinspektor në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të PasuriveFotografi: DW

Konventa ndërkombëtare për parandalimin e korrupsionit

Deklarimet më pas kontrollohen përmes të dhënave që inspektorët e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mbledhin në Banka, në Hipotekë, në Zyrën Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve, në terren apo edhe nga informacionet e qytetarëve. Por ka edhe një rrugë tjetër për të verifikuar tëe ardhurat dhe pasuritë e zyrtarëve të lartë të administratës publike: kontrolli i llogarive në bankat që ndodhen jashtë territorit të shqipërisë.

Këtu Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i vjen në ndihmë Konventa Ndërkombëtare për Parandalimin e Korrupsionit, ku Shqipëria është palë, si edhe bashkëpunimi me strukturat homologe në vendet e BE dhe më gjerë.

Institucioni ynë ka kërkuar të dhëna lidhur me verifikimin e llogarive bankare jashtë territorit të Shqipërisë, në ato raste kur kemi patur dyshime se të ardhurat e zyrtarëve të lartë mund të fshihen në llogari bankare jashtë Shqipërisë. Për këtë vit janë kryer verifikime që i shërbejnë hetimeve që janë në proces”, thotë kryeinspektori Adriatik llalla.

Ndjekje penale për zyrtarë të lartë që kanë bërë kallëzim të rremë

Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë
Sali Berisha, kryeministri i ShqipërisëFotografi: Mimoza Dhima

"Nga ky verifikim dhe kontroll i deklarimit të pasurisë dhe të ardhurave të zyrtarëve të lartë për këtë vit rezulton se mjaft prej tyre kanë shkelur ligjin. ”Nga fillimi i vitit dhe deri tani kemi konstatuar se kanë shkelur ligjin rreth 50 zyrtarë të lartë kanë bërë deklarime të pavërteta , për 18 syresh kemi bërë kallzim per ndjekje penale. Këta janë deputetë, ish ministra, prokurorë, të zgjedhur vendorë etj. Deklarime të rreme kanë bërë edhe 200 zyrtarë të niveleve më të ulta në administratën publike.” thotë kryeinspektori Adriatik Lalla.

Asnjë zyrtar i lartë i dënuar me burgim për pasuri të fshehura

Puna e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe KOntrollit të Pasurive nuk është lehtë. Nga njëra anë një personel i pakët prej 10 inspektorësh dhe nga ana tjetër egzistenca në nivel të lartë e ekonomisë informale. Megjithatë verifikimi se 50 zyrtarëtë lartë dhe 200 të tjerë kanë bërë deklarime të rreme të pasurive janë shifra të konsiderueshme. Ligji për ta parashikon gjobë, masa disiplinore dhe administrative që shkojnëderi në 3 vjet heqje lirie. Por kjo në 7 vitet e funksionimitë këtij inspektoriati nuk ka ndodhur.

Edi Rama, Kryebashkiaku i Tiranës
Edi Rama, Kryebashkiaku i TiranësFotografi: DW

Organet e ndjekjes penale dhe ato të drejtësisë nuk kanë vullnetin e duhur për zbatimin me korrektësi të ligjit. Gjykatat japin dënime në nivel minimal. Nuk shohim vullnetin e këtyre organeve për të ndëshkuar elementët korruptivë në rradhët e administratëss publike. Në asnjë nga rastet që në kemi bërë kallëzim penal për zyrtarë të lartë, institucionet e Drejtësisë nuk kanë dhënë dënime me burgim gjë që përbën një problem tepër shqetësues për ne, edhe pse rastet kanë qënë për pasuri të fshehura apo të krijuara në mënyrë të kundraligjshme në shifra që kalojnë edhe 1 milion euro. Është mungesë vullneti nëse nuk ka edhe interesa të tjera brenda. Por kjo situatë krijon dyshime se ka”, thotë për DW, Adriatik Llalla.

Mungojnë ligjet përkatse për reformimin e sistemit të drejtësisë

Vazhdimi i reformimit të sistemit të drejtësisë është bllokuar për shkak të pamundësisë së miratimi të ligjeve përkatëse, të cilat kërkojnë një votë të cilësuar, gjë që nuk arrihet për shkak të mosvotimit të opozitës, që e kushtëzon votën e saj me transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare.

Kjo situatë ka sjellë edhe një inflacion të jashtëzakonshëm akuzash të ndërsjellta mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës për përfitime të paligjshme, të konvertuara në prona dhe llogari bankare. Por asnjë nga ministrat, deputetët apo të zgjedhurit e pushtetit lokal, thotë Kryeinspektori Adriatik Llalla nuk ka trokitur në mënyrë vullnetare në derën e tij për të përgënjeshtruar akuzat, quajtur ato shpifje dhe çuar ne organet e drejtësisë personat përkatës.

Autor: Ani Ruci/Tiranë

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi