1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni në Evropën Juglindore, pengesë për ekonominë

1 Tetor 2021

Rumania dhe Bullgaria kanë mendime të ndryshme për luftën kundër korrupsionit. Kompanitë gjermane duan të përfitojnë nga investimet në këto vende, por korrupsioni mbetet një problem shumë serioz.

https://p.dw.com/p/415hN
Bulgarien Protest gegen die Korruption in Sofia
Fotografi: BGNES

"Bullgaria do të mund të zhvillohej shumë më mirë, sikur 10 deri në 20 përqind e pasurisë kombëtare, të mos derdhej në xhepat e disave. Shumë gjëra po zhduken dhe nuk ka asnjë ndjekje penale të vërtetë, e lëre më dënime për korrupsion", thotë Martin Kothé, shef i zyrës së fondacionit Friedrich Naumann në Sofje, në bisedë me Deutsche Wellen. Në një "Libër të Zi" vjetor, Kothé ka publikuar rastet më të rënda të parave të zhdukura të taksapaguesve në Bullgari. Edhe më shumë sesa "Libri i Zi i Shoqatës së Taksapaguesve" në Gjermani, në librin e homogut bullgar flitet për çështje të ndjeshme politike. "Sepse paratë e taksave shumë shpesh treten këtu në mënyra të caktuara", shton Kothé.

Edhe kompanitë gjermane në këtë vend janë të pakënaqura me shtrirjen e korrupsionit dhe luftën kundër tij. Një sondazh i kohëve të fundit nga Dhoma Gjermane-Bullgare e Tregtisë dhe Industrisë tregon se 47 përqind e kompanive gjermane janë shumë të pakënaqura, ndërsa 34 përqind e kompanive të tjera janë mjaft të pakënaqura me luftën kundër korrupsionit në Bullgari. Ndërkohë që vetëm dy përqind e këtyre kompanive janë të kënaqura ndërsa asnjë prej tyre nuk është "shumë e kënaqur". Një dëshmi shkatërruese për ekonominë bullgare - do të thoshte dikush.

Korrupsioni (nuk) është vendimtar

Weltzeit | Protests in Bulgaria
Fotografi: Hristo Rusev/NurPhoto/picture alliance

Por ekonomia gjermaneështë e kënaqur me gjendjen në Bullgari: 97 përqind e kompanive gjermane me seli në Bullgari do të shkonin përsëri atje për të investuar, ndërsa 50 përqind prej tyre i japin vendndodhjes së tyre notën më të mirë apo notën e dytë më të mirë.

"Në shikim të parë kjo është natyrisht një kontradiktë. Këtu është pakënaqësia e madhe me korrupsionin dhe sundimin e ligjit, ndërsa kënaqësi e madhe me vendndodhjen e kompanive", thotë për DW, Mitko Vasilev, kreu i Dhomës Gjermano-Bullgare të Tregtisë dhe Industrisë në Sofje. "Por korrupsioni është vetëm një nga shumë faktorët e vendndodhjes. Në përvojën tonë, kompanitë gjermane pothuajse nuk preken personalisht nga korrupsioni. Rezultatet e sondazhit pasqyrojnë pakënaqësinë e përgjithshme në vend", shton Vasilev.

Bulgarien Protest in Sofia
Fotografi: BGNES

Shifrat tregtare ofrojnë një çelës për zgjidhjen e kësaj kontradikte: Gjermania është partneri tregtar numër 1 për Bullgarinë dhe, ndryshe nga vendet e tjera, qarkullimi tregtar midis Gjermanisë dhe Bullgarisë u rrit me gati 650 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2021, në krahasim me kohën para Coronës, në vitin 2019. Në të njëjtën kohë, ekonomia gjermane vlerëson miqësinë tradicionale të atjeshme ndaj gjermanëve, fuqinë punëtore të motivuar, kostot e ulëta të punës dhe barrën e ulët tatimore. Lulëzimi i biznesit dhe kostot e ulëta janë me sa duket më të rëndësishme për kompanitë gjermane në vend sesa korrupsioni dhe sundimi i ligjit.

"Rumania dhe Bullgaria nuk janë të njëjta"

Situata është ndryshe në Rumaninë fqinje. "Ju nuk mund t'i fusni gjithmonë Rumaninë dhe Bullgarinë në një tenxhere", paralajmëron Sebastian Metz, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Gjermano-Rumune. "Të dy vendet janë të ngjashme sa i përket korrupsionit tipik post-komunist, pranimit në BE në vitin 2007 dhe monitorimit të veçantë nga BE. Por në Rumani situata në çështjet e korrupsionit është përmirësuar ndjeshëm, falë masave anti-korrupsion dhe unë nuk njoh ndonjë kompani gjermane që është prekur drejtpërdrejt nga korrupsioni".

Eksperti i korrupsionit, Sorin Ionita i qendrës rumune të ekspertëve ndan këtë vlerësim. Në një intervistë për DW, ai vlerëson se "15 vjet përpjekje anti-korrupsion të frymëzuara nga BE, veçanërisht me krijimin e Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ADN, kanë bërë një ndryshim. Ka një efekt parandalues, veçanërisht në administrata rajonale [...] dhe veçanërisht kur merren me korporata të mëdha të huaja."

Ky optimizëm reflektohet edhe në sondazhin ekonomik të kompanive gjermane në vend: 25 përqind janë shumë të pakënaqura, 35 përqind mjaft të pakënaqura, 29 % mjaft të kënaqura dhe 12 përqind madje shumë të kënaqura me luftën kundër korrupsionit dhe krimit në Rumani. Në të njëjtën kohë, sipas Ionitës, "korrupsioni mbetet një problem serioz në Rumani, i përqendruar në plaçkitjen e buxheteve nga njerëzit me lidhje politike, kontrollin e kompanive shtetërore dhe manipulimin e tenderave publikë".

Mbikqyrja nga autoritetet evropiane

Anti-Korruptionsdemonstration Berlin
Fotografi: Jan Scheunert/Zuma/picture alliance

BE do të sigurojë shuma gjigande gjatë viteve të ardhshme për të kapërcyer pasojat ekonomike të pandemisë Corona. Vetëm Bullgaria mund të shpresojë për gati 12 miliardë euro. Kompanitë gjermane gjithashtu duan të përfitojnë nga kjo. Por frika se miliardat e BE-së mund të depërtojnë në korrupsion është e madhe. Gjatë vizitës së saj në kryeqytetin bullgar javën e kaluar, eurodeputetet Sophie In't Veld vuri gishtin në plagë: "Ndjekja penale e korrupsionit të nivelit të lartë mbetet problematike. [...] Ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian të monitorojë dhe rishikojë fondet e BE, përfshirë këtu edhe Fondin e Rindërtimit".

Në sfondin e fondeve të reja të BE-së, Komiteti Lindor i Biznesit Gjerman botoi një dokument për Evropën Juglindore në shtator. Këtu thuhet se sjellja në përputhje me rregullat, proceset transparente të vendimmarrjes, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë "faktorë të rëndësishëm për sukses të qëndrueshëm ekonomik dhe gatishmërinë e kompanive gjermane për të investuar".

Por si do të luftohet korrupsioni në mënyrë efektive në Evropën Juglindore? Kur bëhet fjalë për zgjidhjet e mundshme, përfaqësuesit e biznesit gjerman nuk paraqiten shpesh në opinion. Nga njëra anë, sipërmarrjet gjermane njihen për politikën e tolerancës zero në çështjet e korrupsionit. Por Anja Quiring, eksperte e Evropës Juglindore në Komitetin për Evropën Lindore, paralajmëron se duhet pasur kujdes nga "ngarkonimi i tepërt i kompanive, me politikën riedukuese".

Ekspertët thonë se BE-ja është ajo që ka për detyrë të ushtrojë presion mbi qeveritë vendore përmes mekanizmave të monitorimit. Por zhvillimet në të kaluarën kanë dëshmuar se në Bullgari dhe Rumani shpesh këto mekanizma nuk kanë qenë garanci për një luftë efektive kundër korrupsionit. Martin Kothé e përmbledh atë: "Do të kalojnë vite para se moçali i korrupsionit të jetë tharë tërësisht".