1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koschopoulos : Njohja vetëm si “Ish Republikë Jugosllave e Maqedonisë”

22 Tetor 2009

Shefi i zyrës ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Dimitrios Koschopoulos nuk është i lumtur që Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Maqedoninë me emrat si “Republikë e Kosovës dhe Republikë e Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/KCqD

Deutsche Welle : Ambasador Dimitrios Koschopoulos, cilat janë raportet e Greqisë me Kosovën në këtë periudhë dhe shanset që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ka pasur disa shkrime në mediet kosovare gjatë fushatës parazgjedhore se kryeministri grek Papandreu ka thënë se nëse zgjidhej kryeministër, do ta shqyrtonte mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Dimitrios Koschopoulos: Qëndrimi ynë, të cilin e kemi përsëritur disa herë është se Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ne e mbështesin zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe poashtu mbështesim përpjekjet e Kosovës për të arritur prosperitetin e qytetarëve të saj. Sa i përket çështjes që pyesni ju se kryeministri grek Papanderu ka premtuar se do të shqyrtojë mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës para se ai të zgjedhej kryeministër, unë mund të them se këto njoftime fillimisht janë dhënë në disa media të Serbisë dhe më pas janë interpretuar edhe më mediat kosovare, mirëpo nuk është krejtësisht kështu sepse në këto media nuk është dhënë deklarata origjinale e zotit Papandreu dhe ka patur intepretime. Unë nuk e kam dëgjuar ta ketë thënë atë. Ajo që mund të them është se qeveria e Greqisë dëshiron që populli i Kosovës të ecë përpara, mirëpo unë tash për tash nuk shoh ndonjë indikacion që qeveria e Greqisë do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Deutsche Welle : Greqia ka pranuar pasaportat e Republikës së Kosovës. Mund të cilësohet kjo si një shenjë që Greqia në një të ardhme të afërt mund ta pranojë Republikën e Kosovës?

Dimitrios Koschopoulos: Ne i kemi pranuar pasaportat e Republikës së Kosovës sepse kemi qenë të bindur se njerëzit duhet të udhëtojnë nga një vend në tjetrin dhe në këtë linjë pranimi i pasaportave ka të bëjë me relacionet ekonomike Greqi-Kosovë. Po ashtu kemi dashur që të inkurajojmë kontaktet ndërmjet njerëzve. Në këtë rast faktet flasin vetë. Unë e kuptoj qëllimin e një gazetari që të marrë një përgjigje dhe të ndërlidhë gjërat dhe faktet, e respektoj këtë gjë mirëpo, në këtë kuadër unë nuk do ta bëjë ndonjë intepretim të këtyre fakteve përveç asaj çfarë kemi bërë si Greqi deri tani.

Deutsche Welle : Zoti ambasador, disa ditë më parë Kosova dhe Republika e Maqedonisë vendosën marrëdhënie diplomatike dhe në këtë linjë Kosova e njeh Maqedonië me emrin e saj kushtetues si Repubilkë e Maqedonisë. Mund të ndikojë ky fakt në marrëdhëniet Greqi-Kosovë, kur dihet se Greqia nuk e njeh Maqedoninë me këtë emër?

Dimitrios Koschopoulos : Unë them se çdokush që vendos marrëdhënie diplomatike me ish Republikën Federale të Maqedonisë, duhet ta përdorë këtë emër përderisa Greqia dhe ky vend akoma nuk janë marrë vesh për emrin. Mirëpo, nuk është qëllim i Greqisë që të bëhet polic i çdo kujt apo ta kritikojë çdo shtet që njeh ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë me emrin që ky shtet dëshiron. Ndërsa sa i përkët vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me vendin fiqnjë të saj, ne natyrisht nuk jemi të lumtur që këto marrëdhënie janë vendosur me emrin që dëshiron vendi fiqnjë si Republikë e Maqedonisë, por nuk mendoj se ky fakt do të ketë ndikim apo pasoja në marrëdhëniet e Greqisë me Kosovën.

Deutsche Welle : Ambasador Dimitrios Koschopoulos, kam edhe pyejtje e fundit, që ka të bëjë me zgjedhjet lokale në Kosovë dhe pjesëmarrjen e serbëve. Udhëheqësit politik kosovarë dhe shumica e pranisë ndërkombëtare në Kosovë iu bënë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që organizohen për hërë të parë nga Republika e Kosovës. I bashkoheni edhe ju kësaj thirrje?

Dimitrios Koschopoulos : Unë mund të them se Greqia e mbështet çdo veprim të institucioneve të Kosovës, që bashkon vlerat e njerëzve që jetojnë në Kosovë. Sa i përket çështjes që i referoheni ju për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, unë përfaqësojënjë shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të ishte mirë për mua që t'i komentoj zgjedhjet dhe pjesëmarrjen apo jo të serbëve në to. Por, po e përsëris edhe njëherë se çdo gjë që bashkon vlerat e komuniteteve Greqia e mbështet.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama