1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: 22 kallëzime penale për dëbimin e 6 shtetasve turq

Bekim Shehu
16 Gusht 2019

22 kallëzime penale janë bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me operacionin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova një vit më parë, i njohur si rasti "Gylenistët”.

https://p.dw.com/p/3O0XH
Kosovo | Stadtansichten aus Pristina
Fotografi: DW/V. Çerkini

Prokuroria Speciale ka konfirmuar të premten, se ka pranuar 22 kallëzimet penale nga Inspektorati Policor, ndërsa, po ashtu prokuroria është duke intervistuar edhe persona të tjerë në lidhje më rastin e dëbimit të shtetasve turq. "Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehurit e tjerë në lidhje me ketë rast”, thuhet në një deklaratë të Prokurorisë Speciale.

Në mars të vitit të shkuar policia e Kosovës arrestoi gjashtë shtetas turq, punonjës në disa shkolla të njohura si kolegjet "Mehmet Akif”, në pronësi të klerikut turk, Fethullah Gylen, i shpallur nga presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, si njeriu kryesor i përpjekjes për grusht shteti në Turqi. Në një operacion të fshehtë gjashtë shtetasit turq që punonin në Kosovë iu dorëzuan autoriteteve turke. Ky operacion nga shumë organizata që merren me të drejtat e njeriut u cilësua i jashtëligjshëm dhe për këtë u ngrit një komision hetimor parlamentar. Komisioni në një raport që u miratua nga Kuvendi i Kosovës, gjeti që Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, kanë bërë 31 shkelje gjatë operacionit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.