1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë : Decentralizimi i vështirë

Bekim Shehu / Prishtinë13 Maj 2008

Implementimi i procesit të decentralizimit në Kosovë, shihet si një proces shumë i vështirë për tu realizuar. Serbët e Kosovës nuk e pranojnë krijimin e pesë komunave të reja me shumicë serbe.

https://p.dw.com/p/Dz1V
Harta e KosovësFotografi: AP GraphicsBank

Decentralizimi i pushtetit lokal, i cili është një ndër pikat kryesore në planin e Marti Ahtisarit, fillon së implementuari më 15 qeshor, sapo
Kushtetuta e Kosovës të hyjë në fuqi. Qeveria e Kosovës ka nisur që tani fushatën informuese, sepse e cilëson këtë proces të jetë i vështirë meqenëse ndodh për herë të parë në Kosovë dhe se me të pretendohet të arrihet përparim, ashtu sikur në vendet më të zhvilluara.

Në procesin e decentralizimit parashihet krijimi edhe i tetë komunave të reja, pesë nga to vetëm për serbët e Kosovës ku ata janë shumicë. Mirëpo, problemi është se serbët e Kosovës nuk e njohin plain e Marti Ahtisarit dhe kjo, sipas udhëheqësve politik kosovarë, do ta bëjë të vështirë implementimn në vendbanimet serbe.

Sadri Ferati, ministër i pushtetit lokal thotë : "Para zgjedhjeve serbe nuk kemi pasur sinjale të mjaftueshme të bashkëpunimit me serbët. Ata kanë refuzuar institucionet e Kosovës. Mirëpo ne konsiderojmë se me jetësimin e procesit të decentralizimit do të tejkalohen problemet e serbëve sepse ata do ta kuptojnë se kjo është në të mirë të tyre. Pra, implementimi i procesit të decentralizimit nuk do të jetë i lehtë, por ne jemi të vendosur që ta zbatojmë atë". thotë Ministri Ferati.

Në të njejtën linjë, shprehen edhe ekpertët e pushtetit lokal. Sipas tyre, problemi i implementimit të decentralizimit tash për tash, shihet në dy rrafshe. E para, është mosbashkëpunimi i serbëve në këtë proces dhe e dyta është, sepse AKM-ja, Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit, që administrohet nga ndërkombëtarët, akoma nuk ka bartur përgjegjësitë tek qeveria qëndrore dhe tek pushteti lokal. AKM-ja, merret me pronat dhe në këtë mes hynë edhe territoret e komunave të Kosovës të cilat duhen ripërcaktuar.

Në procesin e decentralizimit, do të krijohen edhe 8 komuna të reja, pesë nga to janë më shumicë serbe. Kostoja financiare për krijimin e këtyre tetë komunave do të jetë afro 30 milion euro. Një pjesë e kësaj shume tashmë është ndarë nga qeveria e Kosovës, mirëpo një pjesë do të kërkohet nga donatorët e huaj. Komisioni Evropian, në këtë mes ka ndarë 12. 4 milion euro, që përfshirë periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2010, kur pritet edhe të përfundojë procesi i decentralizimit.

Ky proces mbështetet nga institucionet e Kosovës, por kundërshtohet nga Lëvizja Vetvendosje, e njohur me protestat e saj kundër planit të Marti Ahtisarit. Kjo lëvizje ka paralajmëruar se do të organizojë protesta të vazhdueshme kundër decentralizimit, sepse ajo konsideron se më këtë proces shënohet edhe ndarja entike e Kosovës, sepse komunat e Kosovës me decentralizimin e pushtetit kanë shumë kompetenca në duart e tyre.