1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: të paidentifikuar dorasit e sulmit në Presidencë

Bekim Shehu13 Mars 2016

Sulmi me koktej-molotov mbi objektin ku janë të vendosura zyrat e Presidencës së Kosovës është dënuar në shkallë të gjerë. Autorët ende nuk dihen, por policia po vazhdon aksionin në kërkim të tyre.

https://p.dw.com/p/1ICU7
Ökonomie im Kosovo
Fotografi: DW/E.Ahmeti

Policia e Kosovës është vënë në lëvizje duke kryer hetime intensive për të kapur autorët e sulmeve me koktej-molotov. Sulme të ngjashme kanë qenë të shpeshta javët e fundit. Në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë (12.03) me koktej-molov u sulmua ndërtesa e kuvendit të Kosovës, pjesa ku janë të vendosura zyrat e Presidencës së Kosovës. Ditë më parë me të njetën metodë, shishe me benzin (koktej-molotov) u sulmua edhe shtëpia e kryeminstrit Isa Mustafa, sikundër u dogjën edhe disa vetura zyrtare e private të zyrtarëve të lartë të shtetit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK). Autorët deri tash janë të panjohur për policinë.

"Policia e Kosovës po kryen hetime intensive drejt identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në këto raste. Po ashtu sa i përket rasteve të dëmtimit-djegies së veturave zyrtare dhe atyre private të personaliteteve të ndryshme, Policia e Kosovës në të gjitha rastet bazuar në autorizimet ligjore është duke kryer hetime intensive", thuhet në një njoftim të policisë të lëshuar me datën 13.03.

Policia thotë se "të gjitha dëshmitë relevante të konfiskuara në raste të caktuara, duke përfshirë edhe regjistrimet nga kamerat, janë duke u hetuar dhe analizuar nga njësitet kompetente, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtyre rasteve kriminale dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar të involvuar në këto raste".

Policia thotë se ka shtuar prezencën policore të uniformuar dhe me veshje civile me qëllim të parandalimit të këtyre akteve kriminale.

Përgjegjësinë për sulmin e së shtunës me koktej molotovi mbi zyrat e presidencës së Kosovës e ka marrë një grup anonim që e quan veten  "qytetarët e pakënaqur". Policia nuk e di kush qëndron prapa këtij grupi.

Sulmin me shishe me benzinë ndaj zyrave të Presidencës së Kosovës e kanë dënuar të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe partitë politike opozitare. Këto të fundit megjithatë shprehin dyshimet e tyre se pse nuk po kapen autorët e këtyre akteve, ku sic thonë "në objektet institucionale gjithandej janë vendosur kamera".

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sulmin mbi objektin e kuvendit ku ndodhen edhe zyrat e saj, e ka cilësuar "veprim të papranueshëm që dëmton pronën publike dhe synon të krijojë pasiguri për qytetarët e Kosovës".

Presidentja Jahjaga kërkon nga Policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të hetojnë sulmin dhe t'i sjellin para drejtësisë kryesit e kësaj vepre dhe apelon te publiku që të ndihmojnë organet e rendit t'i zbardhin këto raste.

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, thotë se sulmi mbi ndërtesën e parlamentit dhe sulmet e tjera që ndodhën me shishe me benzinë, janë të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit.

"Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotov mbi policinë, ndërtesën e qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike".

"U bëjmë të gjithë përfaqësuesve politikë, të cilët në paraqitjet e tyre publike, po përpiqen të arsyetojnë sulmet me molotov mbi shtëpitë private dhe institucionet publike, duke iu referuar kauzave krejt fiktive, që të heqin dorë nga një gjuhë e tillë. Veprimet e tilla dëmtojnë interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, proceset e intensifikuara eurointegruese, fuqizimin e shtetit ligjor dhe perspektivën ekonomike të vendit", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Njëra nga partitë politike në qeveri Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, e cila udhëheq me qeverinë, publikoi për media një videoinҁizim ku shihet një person i maskuar duke hedhur një koktej-molotov mbi shtepinë e kryeministrit Isa Mustafa. Videoja është marrë nga kamerat e sigurisë afër shtëpisë së kryeministrit, ndërsa, u bëhet thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me informacione që ҁojnë në kapjen e autorëve të sulmit.

Partia politike opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e dënoi sulmin mbi zyrat e presidencës dhe e cilësoi atë "si një akt kriminal, të dënueshëm", ndërsa, kërkoi ndërhyrjen urgjente të organeve të rendit për zbardhjen e tij.

"Është krejtësisht e papranueshme, se si sulmohet ndërtesa e një institucioni të lartë të vendit, që prezupozohet të jetë e vëzhguar me kamera dhe e ruajtur nga policia", thuhet në reagimin e AAK-së, ku u bëhet thirrje institucioneve të rendit dhe të ligjit që ta bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin këtë akt kriminal, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe t'i identifikojnë sulmuesit, t'i nxjerrin para drejtësisë dhe t'ia bëjnë të njohur  opinionit publik.

"Qeveria e Kosovës është mirë që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti qyqar, dhe të mos provojë që këto sulme kriminale, t'i përdorë për të justifikuar dështimet e veta. Për më tepër ta akuzojë opozitën për kauza fiktive. Kauza 'fiktive' opozitës ka rezultuar të jetë shkelje flagrante e Kushtetutës, nga kryeministri i vendit dhe partnerët e tij", thuhet në reagimin e AAK-së.

Kosova tash e gjashtë muaj është përfshirë në krizë politike, fundi i së cilës nuk po shihet. Parlamenti i Kosovës dhe protestat e opozitës në rrugë janë shndërruar në arenë përplasjesh duke kundërshtuar një marrëveshje për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Partitë politike opozitare po kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme, mirëpo, kryeministri Isa Mustafa, thotë se ai nuk e ka ndërmend të japë dorëhqje, duke i cilësuar kauzat e opozitës si 'kauza fiktive', me qëllimin e vetëm, sipas tij, 'marrjen e pushtetit".