1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Fillon delegimi i kompetencave

Bekim Shehu15 Nëntor 2006

Në Prishtinë, është themeluar Zyra civile ndërkombëtare, e cila do të merret me transferimin e përgjegjësive nga autoritet ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës edhe pas zgjidhjes së statusit

https://p.dw.com/p/ArbA
Ndarja e zonave në Kosovë
Ndarja e zonave në KosovëFotografi: AP
Në Kosovë është themeluar grupi punues i cili do të shqyrtojë përgjegjësitë e Zyrës civile ndërkombëtare, zyre kjo e cila do të funksionojë në Kosovë edhe pas zgjidhjes së statusit, përkatësisht edhe pas largimit të UNMIK-ut, nga Kosova. Zyra civile ndërkombëtare do të merret me transferimin e përgjegjësive nga autoritet ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës. I quajtur grupi strategjik për tranzicion, përbëhet nga nga shefi aktual i UNMIK-ut Joachim Rycker, i ngarkuari i BE-së për Kosovën Torbjorn Solstrom, shefja e zyrës amerikane Tina Kajdanov dhe përfaqësues politikë kosovarë, të ngarkuar nga grupi negociator i Kosovës. Bartja e kompetencave vazhdon të jetë përgjegjësi e UNMIK-ut, bazuar në rezolutën 1244, deri në ndryshimin e saj nga ana e KS-it. Mirëpo, grupi strategjik qysh tash do të fillojë të takohet me grupet punuese për të diskutuar për bartjen e kompetencave në fushën e administratës civile, në ekonomi, pronë, qeverisje, siguri, transizion ligjor, buxhet dhe në sundimin e ligjit. Udhëheqësi i grupit negociator të Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu, thotë se pala kosovare është në fazën intensive të bisedave me përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të sqaruar në detaje si do të duket prania ndërkombëtare pas zgjidhjes së statusit dhe cilat do të jenë përgjegjësitë e misionit të BE-së. Përfaqësuesi i Havier Solanës për Kosovën Torbjorn Solstrom, thotë se Bashkimi Evropian do të ndihmojë institucionet e Kosovës në arritjen e vlerave evropiane dhe në të njetën kohë do të jetë mbikqyrës i tyre. "Ne dëshirojmë që angazhimet tona në të ardhmen të jenë në bashkëpunim të plotë më institucionet e Kosovës në mënyrë që të gjitha marrëveshjet në Kosovë të implementohen me përpikmëri. Kjo do të jetë esenca e misionit të BE-së, pas zgjidhjes së statusit ndërsa, për detajet tjera bisedimet janë duke vazhduar, " tha, Torbjorn Solstrom. Sidoqoftë, BE ka kohë që ka dërguar në Kosovë një ekip ekpertësh të cilët janë duke punuar për identifikimin e fushave në të cilat BE-së, do të jetë përgjegjës pas zgjidhjes së statusit. Bëhët e ditur se policia dhe gjyqësia në Kosovë edhe pas zgjidhjes së statusit, do të mbikqyren nga BE-së, derisa në Kosovë siç thuhet, të respektohet në tërësi rendi dhe ligji.