1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: fushatë për të njoftuar qytetarët mbi rrjedhën e procesit të decentralizmit

Bekim Shehu/Prishtinë 11 Shtator 2008

Qeveria e Kosovës dhe misioni i BE-së kanë thënë se zbatimi i procesit të decentralizimit fillon gjatë këtij muaji, kur do të krijohen edhe komuna të reja. Pesë nga komunat do të jenë me shumicë serbe.

https://p.dw.com/p/FG2l
Prishtinë
PrishtinëFotografi: DW/ Pandeli Pani

Krerët e qeverisë dhe ata të misionit të ri të BE-së thanë se decentralizimi i pushtetit lokal krijon mundësi që qytetarët e Kosovës të jenë më afër pushtetit. Në këtë mënyrë ata do të mund të realizojnë interesat e tyre. Ata thanë se zbatimi i plotë i procesit të decentralizimit, i paraparë në planin e Marti Ahtisarit, e radhit Kosovën krah vendeve më demokratike të botës.

Shefi i misionit të BE-së në Kosovë, Piter Fejth (Faith), thotë se që procesi i decentralizimit të ketë sukses, nevojitet mbështetje e plotë e qytetarëve nga të gjitha etnitetet.

"Komuniteti ndërkombëtar dëshiron që në Kosovë të ketë zbatim të plotë të procesit të decentralizimit. Decentralizimi është mënyra më e mirë që qytetarët të realizojnë dëshirat e tyre, mirëpo, që ky proces të ketë sukses nevojitet edhe mbështetja e qytetarëve", thotë Piter Fejth. Shefi i misionit të BE-së do ta mbikqyrë nga afër zbatimin e këtij procesi.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se procesi i decentralizimit nuk bën dallime në radhët e komuniteteve në Kosovë, por megjithatë në një masë favorizon pakicat kombëtare.

"...Do t'i kushtohet kujdes i veçantë nevojave të pakicave kombëtare. Këto janë parime në përputhje me Kartën Evropiane për vetqeverisje lokale", thotë kryeministri Thaçi.

Por përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës, të njohur si përfaqësuesit e vijës së ashpër, thonë se ata tashmë kanë formuar kuvendet e tyre komunale dhe nuk kanë nevojë për planin e decentralizimit. Marko Jakshiq, është nga Këshilli Kombëtar i Serbëve të veriut.

"Kurrfarë decentralizimi që do ta zbatonte qeveria e Hashim Thaçit, nuk është i pranueshëm për serbët. Unë u rikujtoj udhëheqësve shqiptarë, se në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e Serbisë të 11 majit dhe nga to kanë dalë kuvendet komunale, të cilat po funksionojnë. Kështu që bashkësia serbe nuk ka nevojë për decentralizimin e pushtetit,

" thotë Marko Jakshiq.

Kuvendet komunale për të cilat flet zoti Jakshiq, nuk njihen nga institucionet qendrore të Kosovës dhe as nga UNMIK dhe misioni i ri i BE-së. Për këto mekanizma, kuvendet komunale serbe cilësohen si struktura paralele dhe nuk do të ketë kurrfarë bashkëpunimi me to.