1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Hartohen grupet për hartimin e Kushtetutës

Bekim Shehu13 Dhjetor 2006

Grupi negociator i Kosovës formoi grupet punuese që do të hartojnë kushtetutën e Kosovës. Ky grup duhet të njihet me parimet themelore të pakos së Marti Ahtisarit për statusin e Kosovës

https://p.dw.com/p/AraS
Parlamenti në Prishtinë
Parlamenti në PrishtinëFotografi: DW


Uniteti politik në Kosovë është mëse i domosdoshëm në këtë fazë të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Këtë qëndrim e përsërisin vazhdimisht autoritetet ndërkombëtare të cilët kërkojnë nga udhëheqësit kryesor politik kosovar që të jenë të bashkuar nëse duan që të arrijnë synimin që kërkojnë. Në këtë linjë është rënditur edhe opozita kosovare, sidomos pas përqarjes që ndodhi në LDK-së, pas kuvendit të përgjithshëm të saj. Kryetari i PDK-së, në opozitë Hashim Thaqi, thotë së politika kosovare mund të
dëshmojë se do të jetë e bashkuar.


Udhëheqësit e opozitës thonë se cështja e një uniteti të plotë ndërmjet subjekteve kryesore politike në Kosovë, duhet të bisedohet në mekanizmin më të lartë politik, grupin negociator të Kosovës. Ky mekanizëm i lartë politik, u dakordua se në Kosovë duhet të ruhet uniteti dhe të punohet aktivisht në krijimin e elmentëve shtetformues. Në këtë linjë u formuan edhe grupet punuese që do të hartojnë kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë e gatshme sapo ndërmjetësi ndërkombëtar Marti Ahtisari, të bëjë propozimin e tij për statusin e Kosovës.

Skënder Hyseni zëdhënës i grupit negociator thotë se "Grupi për hartimin e Kushtetutës ka nevojë të pazëvendësueshme që ta ketë idenë e përmbajtjes themelore të pakos së Ahtisarit, në mënyrë që të mos ketë ndeshje në fund të fundit edhe konceptuale. Kushtetuta e Kosovës doemos duhet të reflektojë vendimin për statusin e Kosovës. Kosova do bëhet shteti pavarur por nuk dimë shumë elemente tjera të pakos së Ahtisarit".

Tash për tash, ndërkaq, është e paqartë nëse në grupet punuese për hartimin e kushtetutës do të marrin pjesë edhe përaqësuesit e serbëve të Kosovës edhe pse ata janë ftuar që të marrin pjesë nga udhëheqësit politik shqiptar të Kosovës. Sidoqoftë, uniteti në këtë fazë të zgjidhjes së statusit sipas opozitës në Kosovë,
duhet të ruhet jo vetëm brenda Kosovës por edhe brenda komunitetit ndërkombëtar sepse vetëm në këtë mënyrë sipas tyre do të mund të gjendet një zgjidhje e
qëndrushme për Kosovën. Veton Surroi është anëtar i grupit negociator.

Autoritet ndërkombëtare në Kosovë, nga ana e tyre kanë gjykuar ashpër ngjarjet e dhunshme që ndodhën në LDK-së, partinë politike më të madhen në Kosovë. Këto
akte sipas tyre mund të vënë në dyshim funksionimin e mirëfilltë të parlamentit të Kosovës, i cili duhet të miratojë ligje dhe të vazhdojë me procesin e përmbushjes së standardeve për Kosovën.