1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë : Pensionistët ndihen të lënë pas dore

16 Janar 2010

Pensionet në Kosovë janë aktualisht nga 45 deri 80 euro në muaj. Pensionistët kanë kërkuar rritjen e pensioneve, ndërsa qeveria premton se gjatë këtij viti do të arrijë ta procedojë në parlament ligjin për pensionet.

https://p.dw.com/p/LXUk
Rrugë në Prishtinë.
Pensionet në Kosovë janë aktualisht nga 45 deri 80 euro në muaj.Fotografi: picture-alliance/dpa

Ibrahim Mehmetukaj, është 70 vjeç. Pensioni i tij është 80 euro në muaj. Ai ka punuar në arsim për 42 vjet, ndërsa tash pensioni i tij prej 80 eurosh nuk i mjafton as të blejë barna. Ibrahimi, thotë se ndihet i lënë pas dore dhe dhëmbja e tij më e madhe është kur kujton se shumë nga udhëheqësit e sotëm politik në Kosovë kanë qenë nxënës të tij, ndërsa tash institucionet e vendit nuk kujdesen për të dhe bashkëmoshatarët e tij. ”Jam i zhgënjyer prej udhëheqësve tanë që nuk po na i ngrenë pensionet. Unë jam i sëmurë nga gangrena, nga sëmundja e sheqerit. Katër muaj isha në spital dhe merre me mend as në spital nuk kishte barna për pensionistët, kjo është katastrofë," thotë Ibrahim Mehmetukaj.

Kërkesa : Pensionet 80 përqind e rrogave

Pensionisiti Ibrahim Mehmetukaj, së bashku më shumë pensionistë të tjerë gjithë ditën e kalojnë në një kafeteri të vjetër në qendër të Prishtinës duke parë televizorë me shpresën se një ditë do të dëgjojnë lajmin për rrijen e pensioneve. “Kërkesat tona janë 80 përqind të rrogës të jetë pensioni jonë, ato nuk janë askund. Ne nuk jemi në mëshirën e askujt. Më mirë që as ato të holla të mos na i japin. Më duket se ata po presin që ne të vdesim dhe të hollat tona t'i shfrytëzojnë”, thotë Ibrahimi.

Pranë Ibrahimit, ulur në tavolinë në një ambient plotë tymë cigaresh qëndron Ali Fazliu, 85 vjeç. Aliu 44 vjet ka punuar në entin e sigurimit krahinor të Kosovës. Aliu mban në duar një qese plotë me barna. Ai thotë se me 80 euro nga pensioni i tij, duhet të kujdeset për vetën edhe gruan të cilën tash e 13 vjet është e paralizuar nga një sëmundje e rëndë. ”Vetë jam i sëmurë, plakën e kam të palëvizshme që 13 vjet. Në vitin 1992 kam dalë në pesion, dy herë kam patur sulm në zemër, barnat i mbaj gjithmonë më vete, pesë palë barna më duhet t`i përdor. Pensioni nuk mjafton as për barna për mua dhe plakën time dhe mos të flasim për gjëra tjera. Plakut i nevojitet një litër qumësht, nuk hahet buka thatë bre axhë," thotë Fazliu.

Ligji i pensioneve pritet të kalojë në parlament

Qeveria e Kosovës, ka një vit që ka rritur pensionet nga 45 në 80 euro për një shtresë pensionistësh të klasifikuar si kontributdhënës. Mirëpo, qeveria akoma nuk ka arritur që ta procedojë në kuvend ligjin për pensionet dhe invalidët e punës. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se kjo kërkon kohë sepse nevojitet një kordinim edhe me mekanizmat financiarë në mënyrë që ligji të jetë i implementueshëm. “Grupet punuese janë në fazën finale të përgatitjes së projektligjit, janë grupe punuese me pjesëmarrje të gjerë dhe besojnë se projektligj si i tillë edhe ai për finding pensional të Kosovës edhe ai për sigurim pensional dhe invalidor do të jenë projektligje, të cilat në mënyrë adekuate do të adresojnë këto probleme," thotë Memli Krasniqi.

Pensionistët e Kosovës tash së fundi kanë formuar partinë e tyre politike me shpresën që nëpërmjet saj të mund të realizojnë kërkesat e tyre, ndër më themeloren ngritjen e pensioneve. Plaku 85 vjeç Aliu Fazliu, anëtar i partisë së pensionistëve ka një porosi për udhëheqësit politikë. ”Unë kam një porosi për udhëheqësit tonë që ta gjejnë në zgjidhje për neve pensionistët. Nuk jetohet me 45 euro. Ku ka në botë pension me 45 euro. Ne i kemi votuar, tash pensionistët e kan formuar partinë dhe a mendojnë politikanët që së shpejti do të ketë votime. Kush ua qetë votën nga pensionistët nëse nuk i rritin pensionet," thotë Ali Fazliu.

Në Kosovë llogariten të jenë më shumë se 120 mijë pensionistë. Sipas Ligjit për pensione, i cili është në hartim e sipër thuhet se personat që kanë mbushur 65 vjeç marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa që nga janari i vitit të shkuar, pensionistët kontributdhënës marrin nga 80 euro në muaj.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama