1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Priten ndryshime në qeveri

Bekim Shehu2 Dhjetor 2006

Rezultati zgjedhor i kuvendit të përgjithshëm të LDK-së, partisë më të madhe në pushtet, pritet të sjellë edhe ndryshime në qeverinë e Kosovës

https://p.dw.com/p/Arak
Lutfi Haziri, LDK
Lutfi Haziri, LDKFotografi: AP


Zyrtarë të lartë të LDK-së, parajmërojnë mundësinë e ndryshimeve në qeveri, në radhet e ministrave të LDK-së. Kjo pritët të ndodhë pas kuvendit të përgjithshëm të LDK-së, që do të mbahet me 9 dhjetor.
Zëvëndëskryeministri i Kosovës Lutfi Haziri, i cili vjen nga partia më e madhe politike në Kosovë, LDK-së, thotë se rezultati i zgjedhjeve nga ky kuvend do të përcaktojë lidershipin e ri. Në këtë linjë, ai thotë se do të rishkohet puna e secilit ministër të LDK-së.

Kryesia e LDK-së, ndërkaq ka kohë që presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka nominuar si kandidat kryesor për postin e kryetarit të partisë. Ai si kundërkandidatë do të ketë, ish kryetarin e parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci. Mirëpo, në rast
të zgjedhjes së presidentit Sejdiu kryetar partie, korniza kushtetuese më të cilën akoma administrohet Kosova nuk e lejon që të ketë dy poste.

Këtë e ka rikujtuar në raportin e fundit edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan. Në këtë linjë, Lutfi Haziri thotë se, presidenti i Kosovës është i vetëdijshëm për këtë fakt, ndërsa shprehet i bindur se presidenti Sejdiu, do të veprojë konform rregulloreve dhe në frymën e unitetit.

Sidoqoftë, largimi i ministrit të vetëm serb në qeverinë e Kosovës Sllavisha Petkoviq, javën që shkoi, tregoi se nuk ka ministër të paprekshëm në qeverinë e koalicionit. Këtë e pohojnë vetë zyrtarët e lartë të LDK-së. Nga ana tjetër, PDK-së, në opozitë ka hedhur idenë e krijimit të një qeverie të koalicionit të gjerë, mirëpo partitë në pushtet e hedhin poshtë këtë ide. Ata thonë se në Kosovë më herët ka pasur një qeveri gjithpërfshirëse me një koalicion të gjerë dhe si e tillë nuk është treguar e efektshme. Partnerët e koalicionit thonë se, në Kosovë është e nevojshme të ketë pozitë dhe opozitë, sepse kjo do të garantonte punën e mirëfilltë të institucioneve dhe përmirësmin e jetës së qytetarëve.