1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Publikohen emrat e veteranëve që “kundërligjshëm”

Bekim Shehu
18 Shtator 2018

Mbi 19 mijë veteranë dyshohet, se kanë mashtruar shtetin duke përfituar pension të jashtligjshëm. Publikimi i emrave të tyre, ngjalli reagime të ashpra në opinion.

https://p.dw.com/p/353nc
Pristina Haupstadt Serbien Flash-Galerie Grenzprobleme auf dem Balkan
Fotografi: picture alliance/dpa

 Publikimi në mediet e Kosovës i emrave me listat e veteranëve "mashtrues”, të cilët akuzohen se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme pension nga shteti, ka ngjallur reagime të ashpra në opinion. Kjo për faktin që në listat e publikuara ka edhe emra të personave që janë të njohur për publik si pjesëtar të vërtetuar të UÇK-së. Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave të komisionit që kanë verifikuar listën e aplikacioneve të veteranëve, ku mbi 19 mijë persona dyshohet të jenë "falsifikator”. Në mesin e të akuzuarve është edhe kryetari i komisionit për verifikim ish-kryeministri i Kosovës Agim Ceku dhe anëtari i këtij komisioni ministri aktual i FSK-së, Rrustem Berisha. Prokuroria Speciale e Kosovës, pas rrjedhjes së informacionit dhe publikimit në medie të listave, përmes një komunikate për media, tha se "nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë, prokuria do të bëjë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm". Prokuroria e shtetit, njofton se "gjykatës që do ta trajtojë lëndën do t'i propozohet që në bazë të dokumentacionit të rishikuar, të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar”. Nga provat e siguruara, Prokuroria njofton se nga veteranët "mashtrues”, buxheti i Kosovës është dëmtuar me miliona euro nga pagesat, siç thotë, të "kundërligjshme”.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar në lidhje me publikimin e listave të personave që akuzohen si veteranë të rremë. Në një njoftim për medie kjo organizatë kërkon rivlerësimin e të gjithë procesit.

"Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nuk mund të pajtohet me publikimin nga ana e mediave të listave të veteranëve të rremë të hartuara nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila listë jo vetëm që është publikuar në kundërshtim me ligjin dhe etikën profesionale, por ka të evidentuar një numër shumë të madh të veteranëve të dëshmuar në luftë, të cilët janë futur në këtë listë pa kurrfarë kriteri. Kjo lë të kuptohet se me rastin e ngritjes së akuzës, nuk është bërë punë profesionale, duke u anashkaluar edhe vet ligji", thuhet në reagimin e veteranëve të luftës. Sipas tyre kjo akuzë që ka dalë nga ky hetim me një listë prej mbi 19 mijë veteranëve të rremë e që në fakt po dëshmohet se përmban shumë lëshime, nuk mund ta çojë këtë proces deri në fund, sepse që në fillim ka kompromentuar procesin.

"Prandaj, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që të fillojë rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një Komisioni, i cili do të punojë në bazë të kritereve të sakta të përcaktuara me ligjin e Veteranëve të Luftës së UÇK-së", thuhet në reagim.

Publikimi i mbi 19 mijë emrave dhe të dhënat personale të tyre nga listat e veteranëve, është shkelje e të drejtave të njeriut. Kështu konstatoi Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, pas një mbledhjeje urgjente. Në një njoftim për medie thuhet se "me rastin e publikimit të listave të veteranëve të dyshuar si veteranë mashtrues, janë shkelur të drejtat e njeriut, të drejtat e privatësisë, si dhe është cënuar prezumimi i pafajësisë duke u bërë gjykim publik përmes mediave ndaj veteranëve. Komisioni, bazuar në fushëveprimin e vet, kërkon nga institucionet kompetente shtetërore që të gjejnë personat përgjegjës të publikimit të këtyre listave dhe ndaj tyre të merren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e komisionit.

Çështja e veteranëve  "mashtrues”, të cilët thuhet se përfitojnë në mënyrë të jashtligjshme pension nga shteti, u bë e njohur pasi një prokuror, që përgatiste aktakuzën për listat e veteranëve Elez Blakaj dha dorëheqje dhe u largua në SHBA. Ai përmes një letre publike tha se, "i është bërë presion nga kryeprokurori dhe ka pasur vështirësi në ngritjen e aktakuzës”. Një muaj pas një prokuror tjetër e mori këtë lëndë, të cilën e dërgoi në gjykatë dhe u ngrit aktakuza ndaj pothuaj komplet komisionit verifikues të veteranëve. Numri i veteranëve të luftës të cilët kanë marrë pagesa nga buxheti i Kosovës për muajin gusht është mbi 38 mijë persona. Por, pas hetimeve që janë duke u bërë për këtë rast, mbi 19 prej tyre, dyshohet se përfituan statusin e veteranit në mënyrë të kundërligjshme. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, njoftohet se është propozuar që "gjykata të pezullojë pagesën e pensioneve për veteranët që dyshohet se janë "falsifikator”, e që numri i tyre dyshohet të jetë mbi 19 mijë.