1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Reagime të ashpra për moslirimin e Haradinajt

Bekim Shehu
2 Mars 2017

Qeveria e Kosovës u kërkon institucioneve franceze të mundësojnë kthimin e Ramush Haradinaj në Republikën e Kosovës. Të shtunën në Prishtinë priten protesta.

https://p.dw.com/p/2YWNm
Kosovo Prozeste anlässlich der Festnahmen von Ex-Regierungschef Ramush Haradinaj in Pistina
Fotografi: picture alliance/dpa/AP Photo/V. Kryeziu

Shtyrja e vendimit deri më datën 06.04. për lirimin ose jo të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj nga gjykata në Colmar të Francës, nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Në reagime drejtësia franceze konsiderohet e manipuluar dhe e keqpërdorur nga Serbia.

Në shenjë solidarizimi me Haradinajn, Kuvendi i Kosovës ndërpreu punimet deri në fillim të javës  tjetër. E ndërkohë, partia që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, bëri thirrje për protestë gjithpopullore në Prishtinë për ditën e shtunë, në kohën kur Kosovën do ta vizitojë edhe  shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini. 

Padrejtësi në shumë rrafshe

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha në reagimin  e tij se "shtyrja e vendimit për lirimin e zotit Haradinaj, është padrejtësi në shumë rrafshe: "E para, është padrejtësi të mbahet larg familjes dhe vendit të tij kaq gjatë. E dyta, na dhemb të shohim se drejtësia ndërkombëtare vazhdon të ndikohet nga politika serbe. Organet e drejtësisë në Serbi janë ende në shërbim të politikës. Serbia kështu po manipulon me drejtësinë ndërkombëtare. Drejtësia ndërkombëtare ka folur dy herë për Ramushin.”

Symbolbild Ministerpräsident Hashim Thaci nach Wahl im Kosovo 07.06.2016
Fotografi: Armend Nimani/AFP/Getty Images

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se "Shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës”.

Thirrje bashkësisë ndërkombëtare

"Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtoj po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish–kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë”, shprehet kryeministri Isa Mustafa, i cili i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare si thotë "që t'i jap fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë”. Ai i kërkon institucioneve franceze ta mundësojnë kthimin e Ramush Haradinajt në Republikën e Kosovës.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se "lajmi i shtyrjes së vendimit për ish-komandantin Ramush Haradinaj, është një lajm i papranueshëm për gjithë shqiptarët. "Duhet t'u jepet fund njëherë e mirë fletarresteve të Serbisë ndaj ish-luftëtarëve tanë dhe të ndalën këto përpjekje të ulëta për ta njollosur luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi”, shprehet Kadri Veseli.

Kosovo Visar Ymeri
Visar YmeriFotografi: DW/B. Shehu

Edhe udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare, lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se "Është e padrejtë që Ramush Haradinaj vazhdon të mbahet i ndaluar në Francë”, duke e cilësuar zotin Haradinaj "peng i aktakuzave të montuara politike të Serbisë”. "Republika i Kosovës është shtet i pavarur nga Serbia. Jurisdiksioni i saj në Kosovë nuk ekziston. Atëherë si i bëhet që prokuroria e Serbisë paska efekt juridik mbi qytetarët e territorin e Kosovës?. Këtë nuk bën ta pranojë assesi Republika e Kosovës. Ramush Haradinaj është qytetar i Republikës dhe luftëtar vetmohues për çlirimin e saj po nga Serbia. Aktakuzat e Serbisë nuk bën të pranohen. Nga askush në Kosovë. Nga askush që e ka njohur Kosovën si Republikë”, shprehet lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Kërkesa për rishqyrtim të ligjit për Gjykatën Speciale

Dhjetra përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, të indinjuar nga moslirimi i zotit Haradinaj nga gjykata franceze, po qëndrojnë brenda sallës së kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që ligji për Gjykatën Speciale të rikthehet për shqyrtim në parlament edhe pse arrestimi i zotit Haradinaj nga policia franceze është bërë bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Propozim për rishqyrtimin e ligjit për Gjykatën Speciale e dha njëri nga deputetët e PDK-së, Nait Hasani, i cili  në arsyetimin e tij tha se "Kuvendi i Kosovës duhet ta shqyrtojë edhe një herë ligjin  për Gjykatën speciale, sepse ajo është kundër interesit të Kosovës dhe kundër familjeve të dëshmorëve”.

Sidoqoftë, autoritetet e Beogradit që e akuzojnë Haradinajn për krime lufte, pretendojnë se kanë ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të Haradinajt në Hagë, në vitin 2008 dhe më pas edhe në vitin 2012, ku Haradinaj u shpall i pafajshëm.