1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Shënohet rritje e rasteve me Covid

13 Korrik 2022

Pas rritjes së madhe të rasteve të infektimeve me virusin Corona, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nuk përjashton një shtrëngim të masave kundër virusit.

https://p.dw.com/p/4E3SU
Denkmal ’Newborn’ in Pristina, Kosovo
Fotografi: DW/I. Đerković

Në Kosovë ditët e fundit është shënuar rritje e numrit të të infektuarve me virusin Corona, ndërsa sipas Institutit të Shëndetit Publik, po ashtu ka pasur shtim të rasteve të vdekjeve. Sipas epidemiologëve, bëhet fjalë për nënvariantin e virusit të tipit Omicron me simptomat tashmë të njohura "djegie e fytit, dhimbje e muskulaturës, temperaturë, ethe dhe plogështi. Sipas Ministrisë së  Shëndetësisë, në 24 orët e fundit  nga 467 testime, 175 persona rezultuan me COVID-19, ndërsa, dy persona humbën jetën si pasojë e infektimit. Autoritetet po bëjnë thirrje që të "respektohen masat dhe të mbahen maskat në ambiente të mbyllura”.

Mobilizim për përballimin e çdo vale të mundshme

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor të Kosovës ShSKUK-së, Valbon Krasniqi thirri në takim Komitetin për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19, pas një periudhe relativisht të gjatë të një situate të stabilizuar me Covid. Nga Komiteti u kërkua "rimobilizim për përballimin e valës eventuale që mund të shoqërohet me rritje të mëtejme të spitalizimeve”.

Kosovo Corona-Pandemie
Fotografi: Ministry of Health of Kosovo

"ShSKUK është dëshmuar tashmë me menaxhimin e pandemisë dhe siguron qytetarët e vendit se do të mobilizojë të gjitha resurset në dispozicion për të përballuar çdo valë të mundshme”, thuhet në një komunikatë për media të SHSKUK-së. Megjithë mobilizimin, u potencua edhe fakti i mungesës së personelit në disa fusha specialistike, si "anesteziologë, infektologë, pulmologë” dhe për angazhim shtesë të infermerëve.

Interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinën anticovid, sipas autoriteteve po shtohet pas rritjes së rasteve të infektimeve. "Interesim i madh vërehet te personat mbi 60 vjeç që kryesisht po marrin dozën e katërt të vaksinës”, thanë zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas këtij Instituti në Kosovë deri më tani janë administruar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës. Prej kësaj shifre, 103,344 persona kanë marrë tri doza, 823,818 janë imunizuar me dy doza, ndërkaq me një dozë janë imunizuar 903,523 persona. Që nga marsi i vitit 2020, kur në Kosovë u regjistruan rastet e para me Covid-19, vendi me 1.7 milion banorë ka regjistruar mbi 230 mijë raste me koronavirus dhe 3,140 vdekje.