1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Shpallen rezultatet e zgjedhjeve

Bekim Shehu / Prishtinë3 Dhjetor 2007

Organizatorët e zgjedhjeve i cilësuan ato të sukseshme dhe demokratike, pavarësisht se numri i pjesëmarrësve nuk ishte i kënaqshëm.

https://p.dw.com/p/CWI5
Zgjedhje, Prishtinë
Zgjedhje, PrishtinëFotografi: AP

Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë ka qenë pak mbi 42 përqindshin, thonë zyrtarë të KQZ. Për autoritet kjo përqindje nuk është e kënaqshme, megjithatë zgjedhjet në Kosovë, të pestat më radhë që nga përfundimi i luftës, shpallen legjitime. Rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e deputetëve në parlametin e Kosovës, shpallin fituese PDK-në, me 34 përqind të votave ose 37 vende në kuvend. E dyta renditet, LDK-ja me 22 përqind apo 25 deputetë. Partia e tretë është AKR e biznesmenit kosovar, Behxhet Pacolli, me 12 përqind të votave apo 13 vende në parlament. Partia e katërt është LDD, me 10 përqind apo 11 deputetë. AAK-ja, ka fituar 9 përqind të votave, pra do të ketë 10 deputetë. Katër vende të tjera janë marrë nga partitë e pakicave jo serbe. Partia reformiste Ora e Veton Suroit, nuk ka mundur të kalojë pragun zgjedhor dhe kështu ka mbetur jashtë parlamentit të Kosovës. 20 vende në parlament janë rezervuar për pjestarët e pakicave kombëtare, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës. Këta të fundit morrën pjesë në zgjedhje shumë pak dhe me një numër partish të vogla, megjithatë në bazë të rezultateve nuk fituan asnjë vend në parlament. Ata kanë megjithatë mundësinë të zenë 10 vende të rezervuara dhe do të përfaqësohen në kuvendin e Kosovës. Zyrtarë të KQZ-ve, thanë se për 31 vendvotime rezultatet janë shpallur të pavlefshme. Në këto vendvotime nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve. Ndërkohë, procesi i numërimit të votave për zgjedhjet lokale akoma nuk ka përfunduar. Tashmë është e qartë se për kryetar të komunave do të ketë një raund tjetër balotazhi. Më parë u tha se balotazhi për kryetarë të komunave do të zhvillohet më 8 dhjetor, por kjo datë edhe mund të shtyhet nëse KQZ-të, nuk arrijnë të përfundojnë në kohën e duhur procesin e numërimit të votave dhe shqyrtimit të ankesave të ardhura nga partitë politike për parregullsitë gjatë procesit zgjedhor. Sidoqoftë, rezultatet për deputetët në parlamentin e Kosovës tashmë cilësohen të përfunduara, ndërsa gjatë ditës së hënë ose të martë ato priten të zyrtarizohen nga shefi i UMIK-ut, Joakim Rycker. Zgjedhjet e 17 nëntorit u vëzhguan nga mbi 25 mijë vëzhgues të akredituar.