1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Sqarime me popullin

Ajete Beqiraj28 Mars 2007

Të martën, në Deçan u mbajt debat publik me qytetarët. Me problemet e komunitetit u përballën kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ryker, komandanti i KFOR-it Roland Kather, zëvendëskryeministri, Lutfi Haziri dhe Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor të Kosoves, Ardian Gjini.

https://p.dw.com/p/ArXB
Manastiri Deçanit
Manastiri DeçanitFotografi: picture-alliance/ dpa
Të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka mbështetur plotësisht propozimin e kryenegociatorit Marti Ahtisari për statusin e Kosovës, i cili dokument javën e ardhshme pritet të prezantohet tek shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit. Kjo ditë në debatin e mbajtur në Deçan u vlerësua si ditë historike për Kosovën, nga
autoritetet vendore e ndërkombtare.

"Kush do të thoshte se do të vinim kaq larg? Mendoj se edhe Grupi i Unitetit ka merita të mëdha për punën e madhe gjatë negociatave dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë, kanë punuar me kujdes dhe mencuri "- thotë kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ryker.

Në prezencën shumë qytetarëve të kësaj komune, ndër të cilët ishin edhe përfaqësues të Manastirit të Deçanit, komandanti I KFOR-it, Roland Kather tha se edhe NATO dhe KFOR-I e përkrahin propozimin e Marti Ahtisarit dhe se do të qëndrojnë në Kosovë derisa Kosova të ketë nevojë.

"Propozimi Ahtisarit përfaqëson interesat e të gjthë qytetarëve të Kosovës dhe pikërisht për këtë edhe NATO-ja dhe KFOR-i do ta mbështesin këtë dokument
plotësisht. Ne jemi këtu për të gjitha etnitë dhe këtë po e bëjmë miqësisht, sepse ju këtë e meritoni. Më shumë se 90 per qind prej jush janë të bindur se në Kosovë kurrë më s`do të ketë dhunë. Koha e dhunës ka kaluar dhe prandaj kemi propozimin e Ahtisarit"-tha gjenerali Kater.

Sikur se në debatet e mëparshme, edhe kësaj radhe u shpreh shqetësimi i deçanasve për Zonën e Veçantë. Njëri ndër ta është edhe Selim Lokaj, i cili shtron pyetje përfaqësuesit të Manastirit të Decanit, atit Sava Janjiç, i ulur në radhën e qytetarëve: "A ma e fuqishme është mbrojtja e Manastirit të Deçanit apo nga këto ligje që dalin nga Pakoja e Ahtsarit?"

Por, përgjigje merr nga kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Nazmi Selmanaj:
"Nuk ka delegacion i huaj që ka ardhë në Manastirin e Deçanit dhe që përfaqësuesit e tij të mos e kenë pranuar këtë fakt. Dhe është shumë mirë që thonë të vërteten!"

Zona e veçantë e shpallur me anë të një aktvendimi nga ish kreyadministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen, në prill të vitit 2005, e futur komplet në Pakon e Ahtisarit, përfshine 800 hektarë, pa përjashtuar as pronat private. Ky qytetar e krahason aktvendimin 2005/5 me një dokument tjetër:

"Unë kam përpara një elaborat të punuar nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë, ku thuhet se territori mbrojtës i Manastirit të Deçanit është 103 hektar. Ndërsa, nga Pakoja e Ahtisarit del 800 deri në 8000, apo deri ku mundesh me u ndal?"

Zëvendësminsitri i Kosovës, Lutfi Haziri thotë se Zonat e Interesit të Veçantë nuk kanë të bëjnë asgjë me eksterritorialitet.

"Eksterritorialitet do të kenë vetëm ambasadat në Prishtinë, mbi parimin e Konventës së Vienës për mbrojtjen dhe të drejtat që kanë shtetet. Reciprokisht, të njëjtën duhet të na njohin edhe ne, Kosovës. Por, asnjë ekstra zonë, besoni! Këto janë fjalë që dëshmohen brënda pak kohe. Brezovica, me ligj të Kosovës është park i mbrojtur, ku s`guxon askush të punojë pa koordinim të aktiviteteve me komunën e Prizrenit dhe të Shterpcës."

Përderisa, kryeadministratori i Kosovës, Joachim Ryker, siguron se ideja se në Zonat e Mbrojtura në Pakon e Ahtisarit mund të jenë ekstra territore, është keqkuptuar. Ai sjell sqarime për qytetarët:

"Shfrytëzimi i pronës kufizohet dhe respektohet si çdokund në botë. Veçanërisht kur flasim për Manastirin e Deçanit dhe pyjet e mrekullueshme përreth, është diçka që duhet ruajtur në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të jenë në gjëndje të presin vizitorët, sepse kjo është pasuri botërore e mbrojtur nga UNESKO. Dhe, ajo që është në Pakon e Ahtsarit për Zonën e Veçantë këtu paraqet një interes të madh për komunën e Deçanit."