1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi i kërkon VV-së emrin e të mandatuarit për kryeministë

Bekim Shehu
10 Janar 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i kërkon Albin Kurtit që ta njoftojë nëse Vetëvendosje do të dorëzojë emrin e të mandatuarit për kryeministër apo do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë.

https://p.dw.com/p/3W0At
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i shkroi letër udhëheqësit të lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, nga i cili kërkoi emrin e të mandatarit të Vetëvendosjes për postin e kryeministrit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë në zgjedhje dhe në bazë të Kushtetutës ka të drejtën për formimin e qeverisë nëse arrin të sigurojë të paktën 61 vota të deputetëve nga 120 sa i ka Parlamenti i Kosovës. Presidenti Thaçi në letrën e tij që e publikuan mediet në Prishtinë i kërkon Albin Kurtit që ta njoftojë nëse Vetëvendosje do të dorëzojë emrin e të mandatuarit për kryeministër apo do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë.

"Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për kryeministër”, shkruan në letrën e tij Hashim Thaçi, drejtuar Kurtit duke ia rikujtuar se e ka parasysh edhe pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se "nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.

Lëvizja Vetëvendosje akoma nuk i është përgjigjur presidentit dhe nuk ka njoftuar nëse është në gjendje ta dërgojë emrin e të mandatuarit për krijimin e qeverisë.

Në fillim të kësaj jave Thaçi pati një takim konsultativ me Albin Kurtin, ku diskutoi për mandatimin e kryeministrit. Menjëherë në një njoftim publik Thaçi i dha afat 48 orë Albin Kurtit, për ta propozuar atë. Por, këtë ultimatum Vetëvendosje, e cilësoi si joligjor megjithatë paralajmëroi se do ta dërgonte emrin e të mandatuarit së shpejti, përmes një letre.

Por kjo ende nuk është realizuar për faktin, se Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po arrijnë të merren vesh për koalicionin qeverisës. Tash e dy ditë ka bisedime intensive ndërmjet këtyre dy partive, por marrëveshje nuk ka. Këtë e konfirmon edhe vet Vetëvendosja.

"Bisedimet janë bërë intensive këto ditë, janë bërë të dendura si kurrë më parë, ka edhe opsione të reja, ka edhe lëvizje, por nuk ka marrëveshje. Po diskutohet me përgjegjësi të lartë po negociohet me kujdes, në atmosferë dashamirëse e konstruktive”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes, pas takimit të fundit të Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafa. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një postimi në Facebook tha, se "LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”, duke mos qartësuar se cila është oferta e tyre.

Bisedimet rreth një koalicioni qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, u komplikuan sidomos pas zgjedhjes së kryetarit të kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe kryesisë së kuvendit pa marrëveshje paraprake politike me LDK-në.

Njohësi i Kushtetutës së Kosovës Mazllum Baraliu, duke e analizuar këtë situatë thotë, se "presidenti Thaçi ka ushtuar të drejtën e tij kushtetuese me dërgimin e ftesës për Albin Kurtin për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë”, duke shpjeguar në fakt se çfarë duhet të ndodhë pastaj.

"Pas konsultimeve, presidenti në bazë të Kushtetues obligohet që ta ngarkojë të mandatuarin për krijimin e qeverisë dhe pas kësaj hyn në fuqi afati 15 ditor kushtetues për formimin e qeverisë. Në qoftë se brenda 15 ditëve nuk arrin që mandatari ta dorëzojë listën e 61 deputetëve, atëherë pason edhe një afat tjetër 10 ditor sipas Kushtetutes, i cili pastaj i jep mundësinë presidentit të mandatojë sëeish të njëjtin person, ndonëse një vendim i Gjykatës Kushtetuese shkon më tutje në zgjerimin e interpretimit të nenit 95 duke krijuar mundësinë që eventualisht të mandatohet një person i dytë apo i tretë i një subjekti tjetër ose një partie të tretë dhe në qoftë se as pas 10 ditësh nuk arrihet formimi i qeverisë, atëherë Kushtetua parashikon, që presidenti të shpallë zgjedhjet, që cilat duhet të mbahen 40 ditë pas shpalljes së tyre”, shpjegon Mazllum Baraliu.

Zgjedhjet në Kosovë u zhvilluan më (06.10.2019) dhe që nga ajo kohë kanë kaluar tre muaj që vendi është pa qeveri. Prania ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht bën thirrje për krijimin e institucioneve të reja, sepse Kosovën, siç shprehen, e presin sfida të mëdha. E një ndër sfidat më të mëdha është dialogu me Serbinë i ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018 pas vendosjes së taksës nga qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.