1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Tre propozime për flamurin dhe dy propozime për stemën

Bekim Shehu / Prishtinë5 Shkurt 2008

Një komision ndërpartiak arriti konsensus në Kosovë për tre propozimet për flamurin e Kosovës dhe dy propozimet për stemën. Kuvendi do të marrë shpejt vendimin

https://p.dw.com/p/D2qC
Fotografi: AP

Komisioni për përzgjedhjen e simboleve të Kosovës flamurit dhe stemës, tashmë ka përfunduar punën. Tri propozime janë përzgjedhur për flamurin e Kosovës dhe dy propozime për stemën. Këto propozime tashmë janë dërguar në kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe në një nga seancat e radhës, kuvendi duhet të miratojë nga një propozim, të përzgjedhë flamurin dhe stemën. 1600 propozime janë bërë për flamur, por vetëm tri janë përzgjedhur nga komisioni. Kriteret kanë qenë të përcaktuara qartë në paketën e statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari. Aty thuhet qartë se flamuri i Kosovës duhet të pasqyrojë karakterin shumetnik të vendit. Në punën e komisionit nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Ata kanë refuzuar të punojnë në një komision që do të përzgjedhte flamurin e një shteti të ardhshëm. Mirëpo, ky fakt nuk duket se do të jetë problem për institucionet qëndrore të Kosovës, sepse parlamenti i Kosovës mund të përzgjedhë flamurin dhe stemën me dy të tretat e votave të deputetëve, numër ky që mund të arrihet nga deputetët shqiptarë.