Kosovë: Vendimet duhet të merren me koncensus
18 Janar 2007Grupi negociator i Kosovës hartoi një kornizë të veprimit për periudhën e ardhshme në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe si i tillë ky grup ka mandate që të veprojë deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit. Grupi negociator obligohet
t’i jetësojë në kuvendin e Kosovës të gjitha vendimet që do të merren për statusin dhe ato vendime duhet të merren me koncensus të plotë fillimisht brenda grupit
negociator. Skender Hyseni, është zëdhënës i grupit të unitetit.
Grupi negociator i Kosovës sipas zotit Hyseni, vazhdon të mbajë qëndimin se bisedimet me Beogradin për statusin e Kosovës kanë përfunduar. Në këtë mënyrë
ai hedh poshtë zërat për vazhdimin e negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Grupi negociator i Kosovës përbehet nga të gjithë udhëheqësit e institucioneve qëndrore dhe partive politike kryesore opozitare. Në këtë përbërje bën pjesë edhe kryetari i PDK-së, në opozitë Hashim Thaqi. Ky i fundit, ka publikuar një letër në të cilën thotë se, rrethanat e reja politike në Kosovë kanë ngritur shqetësime serioze për funksionimin demokratik të institucioneve dhe stabilitetit në Kosovë. Në këtë
linjë në mes tjerash ai u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që në këto momente të rëndësishme për vendin të qëndrojnë të bashkuar.