1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë:Veseli pas videos mohon përfshirje në akte kriminale

Bekim Shehu
23 Maj 2019

Kryetari i kuvendit të Kosovës mohoi përfshirje në akte kriminale pas publikimit të një videoje, ku shihen disa persona duke numëruar para dhe ku lakohet emri i tij. Vetëvendosja kërkon dorëheqjen e kreut të kuvendit.

https://p.dw.com/p/3IyL3
Kosovo | Kadri Veseli
Fotografi: Office of the President of Kosovo Assembly

Kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, hodhi poshtë çdo mundësi për përfshirjen e tij në ndonjë rast të krimit të organizuar dhe keqpërdorimit. Në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Veseli dekalroi publikisht se do të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat nëse vërtetohet që ai të jetë i përfshirë në krim të organizuar. Këtë deklaratë, kryetari i Kuvendit e bëri pasi mediet lokale publikuan një video-regjistrim ku shihen disa persona duke numëruar para, persona këta që dyshohen të jenë pjesë e mashtrimeve dhe krimit të organizuar. Në këtë video lakohet emri i Kadri Veselit. Mediet lokale në fillim të kësaj jave e publikuan videon pas një operacioni të policisë së Kosovës ku u arrestua një grup i dyshuar për përfshirje në vepra kriminale dhe fajde. Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se personat e arrestuar dyshohen të jenë të përfshirë në veprat penale "fajde, detyrim dhe mashtrim” duke përfituar kështu në mënyrë të paligjshme mbi 2 milionë euro. Pas publikimit të kësaj video dhe lakimit të emrit të tij, kryetari i kuvendit Kadri Veseli, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për medie, ku tha se ai "nuk ka të bëj asgjë me këtë rast dhe as me personat e përfshirë në këtë rast”.

"Dua t'iu siguroj se nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes sime në këtë aferë unë nga sot deklaroj që do të jap dorëheqje, ky është morali im, ky është besimi im jetësor, kjo është politika ime. E them me siguri të plotë që emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal të mashtrimit. Kur të dal e vërteta e kësaj, atëherë dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale, pavarësisht a janë pjesë e policisë apo e sistemit të drejtësisë ose të politikës”, tha Kadri Veseli.

Kryetari i kuvendit Kadri Veseli që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë, tha se ky rast kërkon sqarime që ka të bëjë edhe me funksionimin e sistemit institucional në këtë rast të zbatuesve të ligjit. Kreu i Parlamentit, Veseli tha se njerëzit që shihen në videon e publikuar dhe që njëri prej tyre e përmend emrin e tij, nuk i njeh.

"Videoja shpërfaq krimin në mënyrë të hapur, të qartë për secilin qytetar e lëre më për organet tona të drejtësisë. Këtu kemi të bëjmë me dy krime, me krimin e bërë dhe krimin e fshehur. Gjashtë vjet të mbahet krimi i fshehur dhe mos të dënohet është krimi më i madh. Pa asnjë dyshim shihet qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar dhe po ju siguroj që kësaj pune do t'i shkohet deri në fund”, tha Kadri Veseli, duke ngitur pyetjen se pse ky rast që nga viti 2013 është mbajtur në sirtarë ndërsa publikohet tash.

"Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar që paska pasur fakte në vitin 2013 të ndërmerren veprime me gjashtë vjet vonesë. Kush është ai, ajo ose ata që e kanë mbuluar këtë krim të organizuar më shumë se gjashtë vjet, kujt dhe për çfarë llogarie iu paska dashtë kjo vonesë që ka mundësuar edhe mbulimin dhe mos dënimin e veprave penale”, deklaroi Veseli.

I menjëhershëm ishte reagimi i partisë politike opozitare Lëvizja Vetëvendosja, e cila përmes një komunikate për medie kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryetari të Kuvendit, për faktin që sipas kësaj partie "vetëm në këtë mënyrë u hapet rruga hetimeve”.

"Në videon që doli në media, në emër të Kadri Veselit kërkohej para e paligjshme, si haraç a si fajde, nga anëtarë organizatash kriminale. E reagimi i kryetarit të Kuvendit ishte, për të thënë të paktën, frikacak: ai tha se po të vërtetohet se është pjesë e këtij rasti kriminal do të japë dorëheqje. Gjithë Kosova e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t'i hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje. Kjo parti rikujton rastin që ndodhi para disa ditësh në Austri, ku personi i përfshirë dha dorëheqje, ndërsa, njëkohësisht u shpallën zgjedhjet e reja.

"Ky është momenti që Kosova të tregojë se dëshiron të ndjekë modelin perëndimor dhe jo atë rus”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.