1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë : Veteranët e luftës ndihen të lënë pas dore

22 Prill 2009

Veteranët e UÇK-së dhe invalidët e luftës janë të zhgënjyer me trajtimin që u bëhet nga qeveria e Kosovës. Ata kërkojnë që pensionet e tyre të rritën dhe invalidët e luftës të shërohen jashtë vendit.

https://p.dw.com/p/Hbuu
Fotografi me simbolin e UÇK.
Veteranët e UÇK-së dhe invalidët e luftës janë të zhgënjyer me trajtimin që u bëhet nga qeveria e Kosovës.Fotografi: AP

Veteranët e ish UÇK-së, një pjesë e madhe e tyre invalid lufte, thonë se janë lënë pas dore nga qeveria e vendit. Selami Ramiqi, ish - luftëtar për çlirimin e Kosovës, ndihet krenar për angazhimin e tij, mirëpo tash i zhgënjyer me trajtimin që i bëhet atij dhe bashkëluftëtarëve të tjerë nga qeveria e Kosovës.

Selamiu është 39 vjeç, baba i tre fëmijëve. Të ardhurat e tij mujore janë 74 euro, një pension i ndarë nga qeveria e Kosovës por, me këtë shumë të hollash ai e ka të vështirë ta mbajë familjen. “Ne nuk kërkojmë më shumë sesa një qytetar i rëndomtë. Të paktën një veteran i luftës të ketë një mirëqenie nga qeveria. Atyre që nuk punojnë tu gjejë një vend pune dhe të ketë kushte për ekzistencë. Ne nuk kërkojmë nga qeveria që të na ndërtojë pallate luksoze dhe të na sjellë vetura luksoze, si ato që kanë vetë, por kërkojmë vetëm që të krijohet një mirëqenie për veteranët, invalidët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës," thotë Selamiu.

Parlamenti i Kosovës, pati nxjerrë më parë një ligj për veteranët dhe invalidët e luftës, i cili u garanton atyre një pension dhe në raste të caktuara ndihmë sociale për familjet e dëshmorëve. Mirëpo, ish ushtarët e UÇK-së, kërkojnë më shumë. Ata kërkojnë që pensioni i tyre të rritet, invalidët e luftës të shërohen jashtë vendit dhe shërimi të paguhet nga qeveria.

Zyrtarë të qeverisë thonë, se janë pajtuar me kërkesat e ish ushtarëve të UÇK-së duke e hedhur ligjin sërish për amandamendim në parlamentin e Kosovës. Mirëpo nuk janë në gjendje të garantojnë vende pune.

Ish ushtari i UÇK-së, Selami Ramiqi, ka profesionin e inxhinierit të makinerive. Pas luftës ai pati filluar të punojë në një fabrikë në Ferizaj. Me nisjen e procesit të privatizimit, fabrika u privatizua, të gjithë punonjësit mbetën pa punë, në mesin e tyre edhe Selamiu. “Momenti kur u ktheva në shtepi dhe u tregova fëmijëve se nuk kam më punë, ka qenë momenti më prekës i jetës sime. Kujtoj kur djali im, i cili ishte vetëm pesë vjeç, mu drejtua. Baba me gjej një pako sepse dua të dalë në rrugë dhe të shes cigare. Këtë moment nuk do ta harrojë kurrë,“ kujton Selamiu.

Selamiu i rikujton udhëheqësve institucional se pjesë e ndërtimit të Kosovës së re janë edhe ish ushtarët e UÇK-së. Selamiu, është invalid lufte, ka patur 22 plagë në trup. Pasojat e këtyre plagëve i ndjen edhe sot. “Tash kam probleme me këmbën e majtë, është jofunksionale sepse i kam të këputura nervat mbi gju,” thotë Selamiu.

Ish ushtarët e UÇK-së dhe invalidët e luftës u futën për një javë në grevë para qeverisë. Ata ndërprenë grevën përkohësisht, pas premtimeve që morën nga qeveria se ligji do të rishikohet në parlament. Atyre iu premtua se kërkësat e tyre do të plotësohen duke filluar nga muaji korrik.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama