1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Vonesat janë të panevojshme

Bekim Shehu27 Mars 2007

Udhëheqësit politik kosovarë dhe autoritet ndërkombëtare në Kosovë, e kanë përshendetur dorëzimin e planit për Kosovën në KS-it të ndërmjetësit, Marti Ahtisari.

https://p.dw.com/p/ArXH
Fotografi: AP

Udhëheqësi i grupit negociator të Kosovës presidenti, Fatmir Sejdiu, në një deklaratë drejtuar qytetarëve shprehet se, pavarësia e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, të shumicës shqiptare dhe të të gjitha komuniteteve pakicë të Kosovës.

Këtë deklaratë presidenti Sejdiu, e bëri vetëm pak orë pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, u dorëzoi zyrtarisht planin për Kosovën të ndërmjetësit, Marti
Ahtisarit, përfaqësuesve të vendeve anëtare të KS-it. Presidenti, Sejdiu, e mirëpret, qëndrimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i cili mbështetë pa rezervë rekomandimin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari, për një pavarësi të mbikqyrur për Kosovën.

"Dua të theksoj se pavarësia e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, të shumicës shqiptare dhe të të gjitha komuniteteve pakicë të Kosovës. Pavarësia e Kosovës e cila fillimisht, sipas planit të Ahtisarit, do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë në shërbim të paqes, të stabilitetit dhe prosperitetit të përgjithshëm të vendit tonë. Pavarësia e Kosovës po kështu i shërben paqes dhe stabilitetit rajonal, sepse po zgjidhet suksesshëm
edhe çështja e fundit e pazgjidhur në Evropën Juglindore," thotë presidenti Sejdiu.

Presidenti, Sejdiu, pret që brenda javëve të ardhshme të ketë një qëndrim të përbashkët për Kosovën në KS-it.

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës, janë të vetëdijshëm për kundërshtimin që mund t'i bëjë Rusia planit të ndërmjetësit Ahtisari, mirëpo ata prapë se prapë shpresojnë që plani i ndërmjetësit Ahtisari, do të miratohet në KS-it. Hashim Thaqi, është anëtar i grupit negociator të Kosovës.

Në emër të presidencës së radhës së BE-së, zyra gjermane në Prishtinë, thekson se presidenca e Bashkimit Evropian mbështet fuqishëm propozimin e Presidentit Ahtisari, propozim ky që synon që në Kosovë të përkrahet ndërtimi i një shoqërie multietnike, demokratike, të bazuar në principet e shtetit ligjor. Zyra gjermane, shprehet se, propozimi i Ahtisarit, është kompromis korrekt, i balansuar dhe që tregon të ardhmën. Plani, përmban masa gjithëpërfshirëse, të cilat duhet të sigurojnë ardhmërinë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, posaçërisht të Serbëve të Kosovës.

Zyra gjermane në Prishtinë, thotë se me dorëzimin e propozimit mbi statusin
në Këshillin e Sigurimit, procesi rreth përcaktimit të satusit të Kosovës hyn në fazën vendimtare, duke theksuar se presidenca e BE-së niset nga fakti, se Këshilli i Sigurimit do të marrë përgjegjësi dhe shpreson se propozimi do të miratohet në kohën e duhur.

Autoritetet kosovare nga ana e tyre, presin që statusi i Kosovës të përmbyllet
sa më shpejtë pasi sipas tyre, vonesat janë të panevojshme dhe të pakuptimta.